Një shqiptare mes 150 grave që po ndryshojnë Italinë

“Gratë e pamposhtura” është një projekt i lindur fillimisht, nga një grup me rreth 150 gra dhe vajza, të cilat, sjellin ide inovative në Itali. Ato janë themeluese, menaxhere, aktiviste apo studiuese. Pra, gra që mund të jenë shembull dhe frymëzim për shumëkënd.

Me kalimin e kohës, “Gratë e pamposhtura” janë bërë një kolonë editoriale dhe një komunitet, prej rreth 2,000 grash e vajzash. StartupItalia ka publikuar listën e 150 “grave të pamposhtura” që po ndryshojnë Italinë, për vitin 2020.

Në listën e gjatë është edhe Anita Likmeta. Lindur në Durrës, Shqipëri, ajo u transferua në Itali me familjen, në moshën 11-vjeçare – së pari, në qytetin Pescara dhe më vonë në Romë, ku ndoqi akademinë “Corrado Pani”, shkruajnë mediet italiane.

Në vitin 2011, Likmeta u transferua në Paris, ku ajo do të zhvillojë esenë mbi historinë, me tezën nën drejtimin e profesorit Giancarlo Giordano, për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë, në periudhën nga 1922 deri në vitin 1943.

Gjithmonë në Paris, ajo njeh një realitet kulturor që solli bashkëdrejtimin e një dokumentari me drejtorin francez Kourtrajmé Mohamed Mazouz, ku edhe intervistoi kandidatin për çmimin “Nobel” në letërsi dhe bashkatdhetarin Ismail Kadare, artistin Kiki Picasso, artistin italian Tanino Liberatore, si dhe politikanin francez, Francois Asselineau.

Më 13 tetor të vitit 2013, gazeta “Il Fatto Quotidiano” boton një artikull të saj, ku Likmeta flet për udhëtimin që e solli atë në Itali dhe vizionin e saj në lidhje me politikat e imigracionit. Nga janari 2014, shkruan në “Huffington Post”. Nga prilli deri në gusht 2015, bashkëpunoi në faqen kulturore “IlGiornaleOff” të “Il Giornale”.

Likmeta është diplomuar për letërsi dhe filozofi, pranë Universitetit të Romës, “La Sapienza”. Ajo është historiane dhe filozofe, me pasionin për komunikimin dixhital. Merret me gazetari, film dokumentar, teksa njihet edhe si blogere,autore tekstesh etj.

“E pamposhtur”, Anita Likmeta, radhitet kështu mes 150 grave më të fuqishme, të cilat, po ndryshojnë shtetin fqinj, me vizionin dhe punën e çdonjërës. /Konica.al