Zhvillimi i vrullshëm i teknologjive të informacionit dhe internetit ka krijuar shumë lehtësi dhe avantazhe dhe në fushën e gjuhësisë e përkthimit; veçanërisht lidhur me kuptimin e fjalëve dhe frazave të ndryshme në gjuhë të huaja, përdorimin e tyre të saktë, sidomos në dokumentet zyrtare ku hasen shumë probleme.
Dr. Jorgji Kote
Gjithsesi, kur njihesh me botime prestigjioze në këtë fushë, sheh se nevojat e mëdha shumëplanshe dhe sfidat e shumta me të cilat ndeshemi kudo, jo vetëm nuk i kanë « nxjerrë jashtë loje », por i bëjnë dhe më të nevojshme botimet cilësore.
Bindesh më shumë për këtë realitet kur shfleton Fjalorin frazeologjik shqip – anglisht të Prof. Dr. Eshref Ymerit, të botuar muajt e fundit. Me 25.440 shprehje frazeologjike dygjuhëshe në 1300 faqe, sipas vlerësimit të ekspertëve më të njohur të kësaj fushe, ai përfaqëson veprën më të plotë cilësore të këtij zhanri; vlerë tjetë e shtuar është shoqërimi i shprehjeve frazeologjike me sqarime dhe shpjegime shteruese, të cilat bëjnë që Fjalori të shijohet dhe si letërsi artistike.
Siç thekson në Parathënien e tij, një nga zërat më prestigjiozë të gjuhësisë sonë krahasuese, Prof.Dr. Rahmi Memushaj « botimi nga një autor i vetëm i dy fjalorëve në harkun e 12 vjetëve ( më 2007 Fjalori Frazeologjik italisht – shqip) ka qenë një punë e stërmundimshme, të cilën edhe një ekip leksikografësh do ta kishte të vështirë ta përballonte.
Pavarësisht nga modestia e autorit, lejohemi të pohojmë pa mëdyshje se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushën e fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë » Prof. Dr. Eshref Ymeri që sapo mbushi 81 vjet është padyshim ndër emrat më autoritarë në fushën filologjike dhe të përkthimit.
Kjo falë përvojës universitare të gjatë, përkthyes i zhanreve të ndryshme, shef i redaksisë së përkthimit në ish – Shtëpinë Botuese « Naim Frashëri » hulumtues i devotshëm dhe intelektual social dhe në këto 20 vitet e fundit që banon në SHBA.
Bashkë me studentë të tjerë në vitet 70, jam dëshmitar i punës së tij plot pathos e pasion për dekada të tëra dhe me botimin e fjalorëve të ngjashëm në italisht dhe rusisht, si « dominionet » e tij të para.
Vlen të theksohet se kemi të bëjmë me një fjalor shprehjesh frazeologjike, çka përmban shumë më tepër vlera por dhe vështirësi të shumëllojshme. Sepse, veç aspekteve gjuhësore, duhen trajtuar me kompetencë dhe të zgjidhen një sërë çështjesh të tjera jo të lehta.
Dihet tashmë se shprehjet frazeologjike nuk janë thjesht struktura semantike, por para së gjithash vlera dhe thesare të gjuhës, të cilat pasqyrojnë natyrshëm dhe artistikisht historinë dhe traditat popullore, veçoritë e kulturës dhe mënyrës së jetesës të popujve ku flitet ajo gjuhë, si të Shqipërisë, Britanisë së Madhe, SHBA-ve, etj.
Nëpërmjet njohjes dhe përvetësimit të tyre në komunikimin e përditshëm të çdo moshe, gjinie e profesioni, lexuesit jo vetëm kuptojnë më shpejt, më mirë dhe më thellë, por dhe shijojnë larminë e jetës në të gjitha nuancat dhe ngjyrimet e veta.
Si pasuri e gjuhës, frazeologjizmat jo vetëm reflektojnë jetën në shumë rrethana të saj, por dhe nevojën për ta interpretuar, vlerësuar dhe për të shprehur qëndrime ndaj realiteteve të ndryshme historike, politike, ekonomike, sociale, etj.
Për rrjedhojë, jo vetëm përkthyesi, por dhe kushdo tjetër i interesuar në këtë fushë, nëpërmjet shprehjeve frazeologjike në të dy gjuhët, mund të përcjellin shumë më cilësisht zhvillimin e shoqërisë në të dy vendet, duke filluar nga doket, zakonet dhe traditat e tyre më të lashta e deri te arritjet më të fundit në fushat e shkencës, teknologjisë bashkëkohore, internetit, kibernetikës, etj.
Në rastin e këtij Fjalori, këto vlera dhe specifika bëhen dhe më të theksuara dhe përkatësore, mbasi bëhet fjalë për shprehje frazeologjike nga gjuha angleze në shqip; dihet tashmë se anglishtja ka gjetur përhapje të madhe në një ekspansion të paparë gjeografik.
Për ata që e njohin mirë këtë gjuhë, kjo dukuri nuk shpjegohet vetëm me aspektin politik, d.m.th. me « pronarët « e saj të ligjshme, SHBA-të, Anglia, etj., por dhe me avantazhet dhe lehtësitë e saj të shumta e të mëdha.
Është e vërtetë se ajo ka huazuar shumë nga frëngjishtja dhe gjermanishtja për shkaqe historike ; veçse, falë cilësive dhe kapaciteteve të saj të jashtëzakonshme, anglishtja i ka shumëfishuar ato fjalë dhe semantikën e tyre, veç krijimit të fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike tipike angleze, të cilat kanë vërshuar kudo në jetën e përditshme në të gjitha fushat, sidomos në teknologji dhe në art.
Larmia dhe pasuria e shprehjeve frazeologjike në anglisht shpjegohet dhe me faktin se ajo është gjuha e titanëve të mëdhenj të letërsisë dhe arteve, në radhë të parë e Shekspirit të madh, si dhe gjigandëve të tjera, Lord Bajron, Milton, Burns, Shelley, Dickens, Mark Twain, Galsworthy dhe plot të tjerë. Është gjuha e Çurçillit legjendar që siç thonë « e mori gjuhën angleze, e çoi në beteja dhe e nxori fitimtare » Veç të drejtës anglo-saksone, Anglia është dhe djepi i futbollit, i muzikës, i Bitëllsave, i trimave dhe betejave legjendare, etj.
Veç sa sipër, nevoja e përvetësimit dhe përdorimit të arsenalit të shprehjeve frazeologjike ndihet shumë dhe në fushën e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, në proceset e ndërlikuara të negociatave, të marrëveshjeve të ndryshme, të ndërmjetësimit në kriza e konflikte, etj.
E kam parë shpesh dhe gjatë përvojës time të gjatë si përkthyes dhe diplomat se shprehjet frazeologjike, sidomos proverbat, thëniet e urta janë mënyra më elegante për tejkalimin e situatave të pakëndshme gjatë negociatave diplomatike, tregtare, etj, si mënyra më e mirë “për të qetësuar gjakrat” dhe për të krijuar një klimë dhe mjedis më të pranueshëm ndërmjet palëve.
Natyrisht që kjo përbën një barrë të vështirë për përkthyesit por dhe të gjithë negociatorët apo bashkëbiseduesit, sepse të dish dhe komunikosh mirë në një gjuhë do të thotë të dish të përdorësh me elokuencë dhe shprehjet frazeologjike, proverbat, etj.
Këtë temë Profesor Ymeri e ka shtjelluar gjerësisht me ngjarje nga jeta dhe teoria në dy librat e tij të mëparshëm kushtuar përkthimit, si art, pasion dhe mjeshtëri.
Gjithashtu, përkthimi, kuptimi dhe përdorimi i saktë i shprehjeve frazeologjike përbën sfidë më vete. Sidomos për përkthimin ose përdorimin e frazave që nuk janë të barasvlershme me gjuhën e vendit e që janë të shumta. Fjala është për shprehje dhe thënie të urta si “ u dogj nga qulli dhe i fryn kosit” fshati digjet…krihet, “i zoti e nxjerr gomarin nga balta” “ t’i biesh me top” “ sipas vendit dhe kuvendit” dhe shumë e shumë të tjera.
Së fundi, siç shprehet Prof.Dr. Hajri Shehu, një nga autoritetet më të njohura të gjuhësisë sonë prej dekadash, ky fjalor « është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof.dr. Eshref Ymerit.
Me këtë Fjalor frazeologjia dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë dhe leksikografinë angleze.