Një vit nga prishja e Teatrit Kombëtar! Pabesia gjatë natës, si u shemb historia 82-vjeçare

 Në mëngjesin e 17 majit të vitit të kaluar u regjistrua një ditë e zezë për artin në Shqipëri. Ishte ora 04:30 e mëngjesit kur godina e Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental u rrethua nga fadroma dhe Forcat Speciale Policore, duke arritur qëllimin: rrënimin e ndërtesës historike në qendër të Tiranës. Lajmi u prit me protesta në shesh, të shoqëruara nga dhunë policore dhe dhjetra të shoqëruar, ku nuk munguan qytetarët e thjeshtë dhe as përfaqësuesit e partive politike.

“Nuk mundem më! Shikoni si e kanë shqyer more!,”-lotët e aktorit Mehdi Malka bënë xhiron e rrjetit, njëjtë si pamjet e Kiço Londos. Kjo shembje nuk u ideua në 17 Maj, por kjo shembje rezulton e ideuar që në vitin 2002 në mendjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës së atëhershëm, Edi Rama, por që nuk u realizua dot për shkak të rezistencës së artistëve.

Shembja u rikthye si temë diskutimi sërish në vitin 2018, atëherë kur Edi Rama ishte më i fortë, tashmë në pozitën e shefit të ekzekutivit shqiptar. Peticionin kundër shembjes e firmosën fillimisht të gjithë artistët me një zë të unifikuar,  në sallën e Akademisë së Arteve por ishte ndërhyrja e politikës që bëri artistët të përçaheshin,e u ndanë në dy palë pro dhe kundër shembjes përmes peticioneve.

Në krahun tjetër kryeministri Rama vijonte me përpikmëri planin e tij, ku tashmë kishte bërë gati dhe kishte prezantuar në kryeministri projektin e Teatrit të Ri me arkitektin e njohur Bjarken Ingels. Plani ishte që teatri do të ndërtohej me Partneritet Publik Privat, gjë e cila hasi në kundërshtinë e hapur artistëve. Në funksion të realizimit të shembjes dhe ndërtimit me PPP të teatrit, Ministria e Kulturës e drejtuar nga ish-ministrja Mirela Kumbaro hartoi një ligj special, me qëllim shembjen dhe ndërtimin e teatrit nga kompani private “Fusha”.

Një muaj përpara shembjes kompania “Fusha” u tërhoq nga gara dhe Bashkia e Tiranës premtoi se teatri do të ndërtohej me para publike. Me një vendim qeverie teatri i kaloi Bashkisë dhe me një vendim të këshillit Bashkiak të mbajtur online në kushtet e pandemisë u vendos shembja e Teatrit Kombëtar, e cila u realizua në mënyrë tinëzare në orët e vona të natës së 17 Majit 2020, duke finalizuar në këtë mënyrë përpjekjen 20 vjeçare të kryeministrit Rama.

Pas shembjes, përveç protestave qytetare nisi edhe nënshkrimi i një peticioni nën moton e famshme italiane ‘Com’era, dov’era’, për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte siç ishte por duke ndrequr gabimet e te shkuarës apo materialet e përdorura. 16 mijë persona firmosën peticionin online por planet për projektin e arkitetkit Bjarke Ingels vazhdojnë dhe kryetari i bashkisë Veliaj dhe krymenistri Rama thonë se  projekti danez do të jetë ai që do të zbatohet.

Prishja e Teatrit Kombëtar tregon ndër të tjera prishjen e një ëndrre, që sado rezitencë t’i bësh diçkaje që do fort, si në rastin e rezistencës dy-vjeçare të ‘Aleancës Për Mbrojtjen e Teatrit’, sërisht do të ketë njerëz  të veshur me pushtet që do të kujdesen për të ta shkatërruar.

Sot një vit nga dita kur u shua një godinë por së bashku më të edhe shpresa se ‘nëse lufton fort për gjërat i arrin ato’, Tirana është më e varfër. Tirana ka më pak histori dhe më shumë kulla që nuk thonë asgjë. Tirana është kthyer në një qytet që nuk i përket më qytetarëve të saj./dosje.al