Një gjysmë shekulli kinematografi, një vit pas ndarjes nga jeta kujtohet kineasti Kujtim Gjonaj.
Bashkëpunëtori i tij, shkrimtari Enver Kushi e veçon si kineastin që udhëtoi anë e mbanë kombit, për të sjellë biografitë e figurave të shquara dhe filmin artistik gjithëpërfshirës. Ndërsa aktorja e njohur Margarita Xhepa, shpreh dëshirën që dokumentari ku punoi para një dekade me Gjonajn, të kthehet në film artistik.
‘Kujtimi para se të fliste, buzëqeshte njëherë, pastaj nxirrte fjalën. Aty fshihej mirësia e këtij njeriu’
Ishte fare i ri kineasti Kujtim Gjonaj, kur së bashku me moshatarët e tij, rendte në biletaritë e kinemave të kryeqytetit, për të siguruar një radhë, mes publikut. Prej aty, do të krijohej siguria, se ai e dashuronte filmin ende pa e ditur, se kinemaja do të ishte e ardhmja e tij.
Afro 5 dekada kontribut në kinematografi përmes skenarit e regjizurës, kineasti Kujtim Gjonaj, kujtohet nga miq e kolegë në ambientet e Muzeut Historik, një vit pas ndarjes nga jeta shkak të COVID-19.
“Gjurmët e kohës”, udhëtim në rininë e Gjonaj
Dokumentari “Gjurmët e kohës” përmes rrëfimeve, udhëton në rininë e Gjonaj, kur ai shfaqi pasionin e madh për historitë njerëzore e letërsinë. Kur mendonte se profesioni i gazetarisë do ta afronte me njerëzit e kësaj toke e më tej më artin e të shkruarit.
Në fakt ashtu ndodhi, në vitin 1968 ai nis punë si redaktor i skenarëve të dokumentarëve, ndërsa pas 5 vitesh do të shfaqej si autor i tyre. Ish-Kinostudio që ai ëndërronte dhe ku punonin figura të adhuruara prej tij si: Anagnosti, Gjika e Dhamo, do të kthehej në shtëpinë e tij të dytë.
“Në rrugëtimin e tij të gjatë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jashtë kufijve. Sa kilometra ka bërë Kujtim Gjonaj, për të përjetësuar në filmat e tij dokumentarë, momente pikante të historisë së Shqipërisë, figurat e shquara dhe kulturën e madhe shqiptare”, u shpreh miku e bashkëpuntori i tij, shkrimtari Enver Kushi.
Xhepa: Sikur ta shikoja “Ëndrrën çame” film artistik
Duke ndjekur me ëndje procesin se si skenarët ktheheshin në gjuhë filmike, Gjonaj do të përvetësonte regjisurën. Ai e kaloi edhe këtë sprovë me një seri filmash, ku gjinia e dokumentarit historik do të mbetej “Kali i tij i Betejës”. Ikona e kinematografisë e teatrit shqiptar, Margarita Xhepa kujton bashkëpunimin me Gjonajn në 2011-ën me “Ëndrrën Çame”.
“Kemi punuar bashkë, në dokumentarin e mrekullueshëm ‘Ëndrra çame’, që kam shpresë se do të bëhet edhe film”, shprehet aktorja Margarita Xhepa.
Përtej kineastit, “Mjeshtrin e madh” Gjonaj, miqtë e kujtuan si njeri modest, e të fjalës së mirë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinematografisë me filma si “Kryengritjet e mëdha”, “Thirrja”, “Ata ishin katër” si dhe biografitë e figurave të shquara.
“Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, ose vdekatarët e zakonshëm, krijuesit kanë një fat tjetër përjetësinë, para se të ikin nga kjo jetë”, shton Kushi./shqiptarja.com
————————-
Lexo edhe:
MESAZHI EMOCIONAL I DJALIT TË KUJTIM GJONAJT, PAS VDEKJES SË TIJ
ObserverKult