Njerëzit e mëdhenj duhen zbuluar, nga sot edhe Kadare

mall Ismail Kadare laokoonti - pse shqiptarët ikin nga vendi i tyre
Ismail Kadare
ndue dedaj fjalë artistë

Nga Ndue Dedaj

Ky shkrim ishte përgatitur për t’u publikuar këtë fillim jave. Në çastin që morëm lajmin e hidhur të shuarjes së Ismail Kadaresë, menduam se ishte në kohën e duhur, pasi edhe Kadare është njëri nga ata, në mos i pari, që duhet zbuluar!…

1
E thoshte Ernest Koliqi… Në pamje të parë duket paradoks, si u dashkan “zbuluar” ata që janë zëmëdhenjtë e kohës, përherë në sytë e publikut? Me gjasë ky është një përceptim disi folklorik, kurse gjykimi racional është tjetër, vjen më vonë, kur nuk vlojnë më emocionet e bjerren superlativat për miqtë e shokët e mëhallës, që era më e lehtë i shkund si gjethe të thata nga “lisi” i madhështisë së rreme.
Koliqi kërkon që të zbulohet Mjeda, vetëm një muaj mbasi poeti i soneteve të famshme është ndarë nga jeta, si për të thënë se tash është koha për ta bërë këtë. “Dom Ndreu duhet zbuluar si njeri dhe si artist”, shkruan Koliqi. Sepse… “Kur e shifshe, të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak dhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë e të përlyeme përpara me pluhun burrnoti… Poeti i njimbëdhetë rrokshave të “Lissus” nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë”. Por Ndre Mjeda kishte një veti të lartë, që e kanë vetëm të mëdhenjtë e çdo kohe, krej në dallim nga ne njerëzit e sotëm me “furçë” në dorë. Koliqi: “Për natyrë (ishte) përbuzës i çdo reklami dhe i çdo eksibicionizmi, urrente lávdin dhe ndryhej në nji përvujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne”, i cili e vijon portretizimin e tij, duke na treguar ca gjëra të pakëndshme për Mjedën, se atij nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa – copa, tue i qit prej gojet me mundim, ngatërrohej tue folë e, kur véhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë, teksa ishte “anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve”. A e njohim ne këtë gjuhë “kritike” ndaj një shkrimtari apo artisti? Je, sepse ne nuk jemi racionalë e të besueshëm në ato që themi, por thjeshtë virtualë; për mendësinë tonë, si mund të mos ishte Mjeda dhe orator, apo nuk kishte qenë dhe deputet në Kuvendin Kombëtar? Por kjo nuk i prish aspak punë personalitetit të tij të madh, nuk e zbeh atë. Por, thotë Koliqi, jo vetëm që nuk ishte i panjerëzishëm, “përkundrazi, tue e njoftë s’afërmi ndihej në tê nji edukatë humanistë plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja. Ja, pra që nuk qenka një gjë e thjeshtë të flasësh për Mjedën, këtë mund ta bëjë vetëm një i lartësisë së tij krijuese dhe intelektuale: “Dom Ndreu duhej zbulue si njeri dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësepari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte me themel. Qysh në rini fitoi përjâshta konkurse me vjersha klasike. Shëtiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllavi. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analiza e me objekcione të paprituna”. Ky ishte ai “prifti i katundit”, me plot gojën i madh, por që nuk mbahej me të madh, nuk i duronte ngrefosjet e vetes dhe të tjerëve.

2
Faik Konica ishte padyshim njeri i madh i kohës së tij dhe atë fillim shekulli XX vinte nga Belgjika, Londra e Uashingtoni drejt e në Gomsiqe, për të “zbuluar” një tjetër bashkëkohës të tij, të madhin At Shtjefën Gjeçovi. Dhe pena e mprehtë që do të shpotiste dhe Naimin, do të “hahej” në polemika me Nolin, apo do të fshikullonte dhe vetë Mbretin, i cili e kishte dekretuar Ministër Fuqiplotë të vendit tonë në SHBA, do ta përshkruante fratin famullitar me zhgun më mirë se të ishte një lord anglez apo senator amerikan. Është skica e njohur “Ca kujtime mbi At Gjeçovin”, që Konica e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” të Bostonit, më 1930, edhe si një homazh për heroin e shqiptarisë. “At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Françeskanëve, një ditë u njohme me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca më tepër kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zeza, ku çkëlqente mendja po edhe zemërmirësia. At Gjeçovi fitonte menjiherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të paka, po kudoherë në vent, vetëm kur në të kuvenduar e sipër takohej ndonjë pikë mi të cilën kishte dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko romane – At Gjeçovi çelej ca më gjatë dhe athere ish gëzim ta dëgjonte njeriu”.
Një ditë, teksa Konica ishte bashkë me At Gjergj Fishtën në Shkodër, vendosën t’i bënin një vizitë Gjeçovit në famullinë e tij të largët: “Aso kohe, At Gjeçovi ishte famullitar… në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës në udhë nga Shkodra në Orosh”. Konica, i mësuar në metropole botërore, nuk mund të mos vinte re peizazhin i varfër malësor: “Një gjë për të vënë re dhe që më mbushi me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtatë a tetë orësh me kalë, nuk gjetëm as katund, as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shenjë gjallësie: një vend i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit”. (O Zot, tek lexon këtë pasazh të Konicës, pyet veten: a thua historia përsëritet? Por të kthehemi te ardhja e tij e vetme në atë skaj Mirditë.) Konica, ndërkohë, është i gëzuar nga mikpritja e të zotit të shtëpisë. Ai mënjehërë vihet të lajmërojë botën për “zbulimin” e tij: “Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur… një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, në pastëri e në vobëksi të zemrës tij e dinte veten të vogël…” Dihet, njerëzit e mëdhenj të tilla janë, s’kanë kohë të meren me ledhatimet e miklimet e sedrës së vet. Por nga ana tjetër, shikoni si e lartëson Konica si ndonjë princ kurore tjetrin, kurse për At Fishtën që është gjithashtu aty, nuk ka kurrëfarë befasie, në atë famulli e ka filluar shumë vite më parë shërbesën fetare.
Konica, i vëmendshëm ndaj çdo detaji, vijon me përshkrimin e famullisë së Gomsiqes, si “shkollë dhe vend këshillash të mira, që u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njerëzve në nevojë”, kuse përtej kësaj “At Gjeçovi, kohën që i tepronte, ia kushtonte studimit. Merrej atëhere me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët tona është Kanuni i Lek Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dymijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej saj”. Konica që ka parë muzetë e huaja me shumë duk, mrekullohet nga ky tempull i thjeshtë besimi, kulture dhe historie mes malesh: “Në katin e sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mend, veçan, një enë të vogël, të quajtur “lacrumatorium” lotore, asosh që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr bashkë me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lotët. Nuk më shkonte atëhere kurrë ndër mend se pas ca vjetësh secili prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore, ku të mbledhim lotët tanë për At Gjeçovin!” Sa emocion të krijojnë këto fjalë dhe sot! Konica nuk shprehet me fjalë të mëdha, si atdhetari, martiri, edhe pse këto askujt nuk i shojnë më shumë se atij. Ai e di se në këtë botë peshojnë vetëm fjalët e zemrës.
Konica e përmbyll skicën e tij duke shkruar se At Gjeçovi “ishte i ditur, me një dituri pa tingëllim, po dhe shqiptar i kthjellët, që i përkiste çdo mirësi” dhe se “emri i këtij njeriu të rrallë do të vijë duke u rritur e një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të shqiptarësisë”.

3
Famullia e Gomsiqes në Mirditë dhe Gjeçovi. Famullia e Kuklit në Zadrimë dhe Mjeda. Janë dy tekste të shkurtëra korifejsh të letrave, për të tjerë korifej të letrave, për rastësi, të shkruara në një kohë, përkatësisht: Konica më 1930 dhe Koliqi më 1937, kur nuk rronin më dy “priftat e katundit”. Por dhe sa e sa “famulli” të tjera shqiptare, apo për Shqipërinë, ku rrojtën fisnikët e letrave, artit, diturisë, si Ismail Kadare, Nonda Bulka, Esad Mekuli, Dhimitër Pasko, Mustafa Greblleshi, Dhora Leka, Katarina Josipi, Odise Paskali, Robert Elsie, Antonio Belushi etj.
Kjo është raca e vjetër i shkrimtarëve, artistëve dhe dijetarëve shqiptarë, njëlloj si ata europianë e që na duhet t’i kemi për model e të mos marramendemi pas fjalëve tona fluturake, karshi vetes e të tjerëve. Fjala aq sa të zbukuron, kur e thua me vend, aq dhe të “shëmton”, kur e vulgarizon. Sot është trendi me u formulue kushtime me fjalë të fryra për shkrimtarët dhe artistët, nga individë që nuk kanë kurrëfarë grinte profesionale. Rrjetet sociale janë një mështrim në këtë drejtim, pasi të japin mundësinë të jeshë “krah për krah” me të mëdhenjtë, por pa qenë si ata. Një shkrimtar nuk të përfill kur ti i thur lavdërime të kota pa ia lexuar librat, edhe pse për njëlloj etike mbase nuk t’i fshinë komentet në murin e tij. Si mund të ndjehet mirë ai kur ti i e cilëson dhe “publicist i shquar”, pa shkruar dhe një artikull në jetën e tij, pasi do të thoshte: nuk më mjaftoka që jam shkrimtar, që u dashka të plotësohem dhe me publicist, pa qenë i tillë? Vetëm provinca vendos shumë “tulla” në biografinë e dikujt, për ta rritur atë articialisht, duke ia numëruar një më një të qena e tëpaqena: poet, shkrimtar, eseist, publicist, analist, studiues, historian, orator etj., me u ndie keq Fan Noli para këtij enumeracioni që haset gjithandej nëpër jetëshkrime kinse autorësh, ndërkohë që e nesërmja do të jetë e pamëshirshme ndaj çdo teprimi, ekzaltimi, deformimi. Intelektualët e vërtetë e kanë “llogarinë” me të nesërmen dhe jo me të sotmen.
Personalisht nuk habitem pse ka kaq shumë rapsodizëm në shoqërinë e sotme, pasi kjo ndodh ngaqë nuk lexohet më, por vetëm “kuvendohet” për bëmat heroike të bashkëkohësve, njëlloj si për ato me lahutë të gjyshërve. Nuk është rastësi që, edhe pse nuk ka më rapsodë qysh nga Dervish Shaqja, tash një gjysmë shekulli, rapsodët janë ata që mbajnë sot më së shumti titullin “Mjeshtër i Madh”!? Teksa tjetër është etnografia e së djeshmes, tjetër moderniteti. Ky i fundit ka pak fjalë dhe shumë mendim. Krahas zëmëdhenjve ka dhe zhurmëmëdhenj, ndaj duhen zbuluar vërtetë të mëdhenjtë, qofshin artistë, shkrimtarë, dijetarë etj. Është e lehtë t’iu qasesh, pasi ata kurrë s’kanë bërtitur për veten e veprën e tyre, s’kanë lënë as bashkëkohësit ta bëjnë një gjë të tillë. Sapo u botua vepra letrare e Pjetër Meshkallës, që do të na bëjë atë të njohur si autor e jo vetëm si meshtar martir. Ka njëqind vjet që Ali Asllani thotë përmes poezisë ca të vërteta të hidhura për pushtetarët, mund të jetë kjo arsyeja që ai ende është duke shtegtuar drejt të sotmes, pa “mbërritur” ende, në të vërtetë duke e tejkaluar atë. Panteon për së gjalli nuk ka, bile dhe për së vdekuri nuk dihet nëse e mbërrinë. Aleksandër Dymës në Francë iu deshën dyqind vjet…
P. S. Ngushëllimi ynë i përshpirtshëm për Kadarenë është “Pastë dritë” dhe shkrimtari ynë i madh e ka kaherë e do ta ketë përherë atë, është drita e veprës së tij, si e rrallëkujt në Ballkan.

ObserverKult


Lexo edhe:

VDEKJA E ISMAIL KADARESË, KOSOVA SHPALL 3 KORRIKUN DITË ZIE SHTETËRORE