Njerëzit më në fund pas 31 vitesh mund ta fotografojnë pikturën e famshme të Pablo Picassos

Muzeu Kombëtar “Reina Sofia” në Madrid pati marrë një vendim për ndalimin e fotografimit të pikturës së famshme ‘Guernica’ të piktorit Pablo Picasso që kur u ble ajo për herë të parë në vitin 1992. Pra, ky muze e ka hequr kufizimin tek tash pas 31 vitesh.  
“Guernika u bë një simbol politik, në një shkallë të tillë që shfaqet si një emblemë në çdo episod dhune apo cenueshmërie të civilëve”, thuhet në një përshkrim të faqes së internetit të muzeut, shkruan petapixel.com.

Piktura “Guernica” është pikturuar në vitin 1937 dhe është njëra nga punimet më të famshme të piktorit, pikturë kjo e cila shfaq efektet e Luftës Civile të Spanjës.

Një zëdhënës në këtë Muze ka njoftuar se është shumë shpejt për të thënë se cilat do të jenë efektet e vërteta të ndryshimit të rregullit, i cili hyri në fuqi më 1 shtator.

Me sa duket, një pjesë e arsyes së ndryshimit ishte shpresa se lejimi i fotove do të reduktonte turmën, thonë zyrtarët e muzeut.

“Duhen vetëm disa sekonda për të bërë një selfie, dhe kështu ritmi i publikut do të rrjedhë më shumë”, tha një zëdhënës për The London Times.

“Nuk e dëmton pikturën, por përkundrazi parandalon turmat dhe njerëzit që përpiqen të bëjnë një fotografi të fshehtë, ndërsa rojet në dhomë i qortojnë. Do të përmirësojë përvojën e vizitorëve.”

Por Muzeu “Reina Sofía” ka ende disa kufizime se si mund të bëhen fotografi në të gjithë muzeun.

Më parë, dhoma ku strehohej piktura “Guernica”  ishte e vetmja zonë që ndalonte bërjen e fotografive tërësisht.

Nuk lejohet fotografimi me blic dhe përdorimi i shkopinjve për selfie, trekëmbëshe ose mbajtëse të tjera kamerash.

Nuk është i vetmi muze që ka një ndalim të plotë të përdorimit të blicit. Shumë muze kanë rregulla të tilla bazuar në atë se ekspozimi i papritur i dritës mund të dëmtojë punën delikate në piktura.

Dhe akoma më shumë vende, përtej edhe atyre që strehojnë objekte të çmuara, nuk lejojnë përdorimin e shkopinjve ose trekëmbëshave për selfie.

Megjithatë, Hyperallergic raporton se Muzeu “Reina Sofía” është përballur me kritika për ndalimin e përgjithshëm të fotografimit të Guernica-s.

Ndryshe, nga shumë kritikë është cilësuar si piktura më prekëse dhe më e fuqishme kundër luftës në krejt historinë e artit pamor.

Piktura në bardhezi me dimensione 3.49 me 7.76 metra portretizon vuajtjet e shkaktuara nga dhuna dhe kaosi.

Paraqet një kalë, një dem, gra që bërtasin, një foshnjë të vdekur e një ushtar të copëtuar. Gjithçka rrethohet nga flaka./ petapixel.com / ObserverKult


Lexo edhe:

PIKASO: ÇDO FËMIJË ËSHTË NJË ARTIST. ÇËSHTJA ËSHTË QË AI TË MBETET I TILLË EDHE KUR TË RRITET…

Rinia nuk ka moshë.

Kompjuterat janë të kotë; dinë të japin vetëm përgjigje.

Piktura nuk shërben për të dekoruar banesat. Ajo është një armë mbrojtjeje e sulmi kundër armiqve.

Çdo fëmijë është një artist. Çështja është që ai të mbetet i tillë edhe kur të rritet.

Arti është gënjeshtra që na lejon të njohim të vërtetën.

Thëniet e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult