Nga: Tanushe Muhametaj
Ishte njeriu ai që ndjeu nevojën të fliste të njëjtën gjuhë me llojin e tij, një etikë të përbashkët si çelësin e suksesit për jetesën ne bashkësi. Ishte po njeriu i cili kërkoi të çlirohej nga këto kode e mënyra jetese. Kështu nevoja për një njeri më të mirë ka qenë e përhershme, një njeri në kapërcim si shpresa më e madhe e Nietzsche-s. Sigurisht sugjerimi që përcjellë thuajse githë vepra niçeane për Mbinjeriun, afirmitetin ndaj jetës, vullnetin për fuqi të shtyjnë drejt një rishikimi të gjykimeve dhe besimeve tona. Fundja çfarë është njeriu më shumë nga çfarë mendon dhe beson?
Por sa i madh mund të jetë tensioni që krijohet në mendim kur shpresa e Niçes bëhet shpresa e Migjenit? Filozofia flet shqip, problemi kërkon zgjidhje në shqip.
Pse shqiptari lejon të shkel dinjitetin e tij? E pyesin ç’je? Dhe nuk di të përgjigjet në është pjellë e Zotit apo Zoti është pjella e tij. Zoti shpërfaqet si gënjeshtra jonë më e gjatë i përgjigjet Nietzsche gjithë dyshimeve të Migjenit. Çlirimi kombëtar për Migjenin do të realizohej pas fitores në luftën kundër religjonit të huaj të imponuar. ”Dheu ynë qe kafshatë e huej”. Shqiptari vërtitej në një botë me Zot, kokëulur dëgjonte, bindej. Jo pa qëllim shfaqet koncepti i ferrit, sepse Zoti nuk mund të arrijë aty. Jeta nis kërkimin e mundimshëm për të gjetur lidhjen e humbur me qenien e njeriut. Në mungesë të Zotit, njeriu bëhet baza e gjithçkaje. “Tashmë zoti ka vdekur që të rrojë mbinjeriu” deklaron autori.
Rileximi i veprës migjeniane na shtyn drejt një labirinthi pa dalje pasiqë karakterizohet nga një kompleksitet i pazgjidhshëm njëherë e mirë. Risia e universaliteti i vargjeve përtej kontekstit historik e bën autorin të pashueshëm. Fati i mos anatemimit të plotë të veprës migjeniane në periudhën famëkeqe të komunizmit, i dha një përligjje në vetvete, pasi baltën (censurimin fanatik të kohës) nuk e kishte në shpinë siç ndodhi me shumë vepra të tjera. Migjeni u lexua edhe në atë kohë të zymtë (referuar aspektit letrar) edhe pse vepra e tij në thelb përshkohej nga një tension anti-ideologjik e kërcënues, mbi një rebelim tematik e social. Por ajo çka shkakton një lloj interesi është prevalimi i këtij autori edhe në bashkohësi. Ai flet për një shekull të ri, i cili duhet të udhëhiqet nga një njeri i ri.
Migjeni vetë nuk beson fare në madhështinë. Mund të tingëllojë absurde sepse konceptet që i paraprin këtij kërkimi, janë tepër të fuqishme e plot shpresë. Por madhështia e njeriut kthehet në një tragjikomedi për Migjenin përderisa ai është i paaftë t’i rezistojë injorancës, mjerimit e korrupsionit të përgjithshëm moral. Janë keto tre të fundit të cilat ai i denoncon për regresin shoqëror. Akuzon aparatin shoqëror dhe religjionin e përsëri kthehet e mendon se fajin më të madh e ka përsëri njeriu (dhe jo shoqëria e marrë në terësinë e saj)
Mënyra e vetme për të arritur tek dinjiteti i vërtetë njerëzor për Migjenin është përmes revoltës. Dëshpërohet kur sheh se servilizmi mbizotëron gjithçka, i kthen malësoret skiftera në pëllumba. Vallë a nuk është më e vështirë rruga e servilitetit se sa e revoltës?
Kur studion religjonin, Migjeni është i bindur se ose njeriu beson në njeriun ose në Zotin, pra njëra përjashton tjetrën dhe pikërisht në këtë moment shihet lidhja me filozofinë e Nietzsche-s.
Sigurisht nuk është detyrë e jona të kritikojmë faktin se asgjë nuk ndryshon nëse kalojmë nga teologjia në antropologji e nëse njeriu zëvendëson Zotin në këtë lojë metafizike, kjo i takon Heidegger-it e filozofëve të mëvonshëm.
Pra, nga këtu lind edhe ideja e interpretimit të mbinjeriut migjenian – është i vetmi koncept rreth të cilit ai shkruan kudo besimplot e duke shfaqur vendosshmëri. Për të mbështetur këtë ide të Ubermensch së pari Migjenit i duhet të kritikojë ashpër religjionin, gjë të cilën e bënë pa hezitim (duhet pasur parasysh faktin që dalja kundër traditës ka qënë dhe do të mbetet shumë e vështirë, duhet kurajo për t’i bërë njerëzit të vetdijeshëm se janë në rrugën e gabuar). Ky besim është përgjegjës për një robërim shekullor dhe çlirimi kombëtar vjen vetëm pas fitores kundër besimit të huaj të imponuar. Religjioni e privon njeriun nga vullneti i lirë nga dinjeteti i tij, pasi njeriu ka dinjitet vetëm kur ky i fundit është i papërcaktuar. Ka nevojë për një gjendje a hapësirë në të cilën ta gjejë vetë kufirin se deri ku mund të shtrihet e sa mund të arrijë. Prandaj duhet të ishte njeriu i ri ai i cili do e udhëhiqte këtë luftë.
Në kohë trazirash njeriu duhet të marrë më tepër guxim se çdo herë tjetër. Pikërisht për faktin sepse është i nënshtruar e shtypur, i shtrënguar mendërisht vetëm kjo arsye mjafton për të kërkuar përtej. Për këtë shqetësohet Migjeni pasi bijët e shekullit të ri (siç i quan ai) janë vonuar. është misioni i tyre të flakin shenjtërinë e mesjeten në kërkim të së vërtetës, vlerave të reja, larg servilizmit e hipokrizisë.
Njeriu bashkëkohës i Migjenit kishte rënë në një rehati mendimi. Konformist ndaj çdo gjëje që mund t’i ofrohej si e vërtetë. Ndaj autori pret një ndërgjegje pa dyshime e cila do të mund t’i kapërcej trajtat e ndrydhura. Të lindet një njeri, thotë ai, me ideal të ri e të na shpjerë në një epokë të re. “Këto forca progresive e revolucionare janë gatuar përmes tërë historisë kombëtare”. Autori beson se edhe në Shqipërinë e tij, ashtu si në çdo komb tjetër, janë bijët e shekullit të ri të cilëve, ai ju njeh një sërë atributesh duke e bërë edhe veten pjesë të tyre, gjë që na lejon në një farë mënyre edhe të nënkuptojmë misionin e vetë autorit. Pra, për Migjenin gjithë mjerimi i shprehur, shpresa, etj., nuk janë thjesht ndjenja të cilat nevojiten për ta bërë një poezi sa me të arrirë, përkundrazi ai pret që këto mesazhe t’iu hapin entuziazmin e duhur bijëve të Shqipërisë.
Shpirti i tyre duhet të jëtë luftarak “e çuem grushtin për me luftue” (shkëputur nga poezia) e me synim për fitoren përfundimtare edhe nëse kjo do të thoshte flijim. Migjeni përmend një tjetër term “luftëra të reja” për të nuk është e rëndësishme thjesht fitorja kundër religjionit ai kërkon një emancipim të vazhdueshëm e progresiv për shoqërinë pra këtu përcaktori “të reja” nuk ka kuptimin e parë, por kuptimin e tipit e llojit të luftërave: luftra të një tipi të ri, me përmbajtje, më qëllime dhe motive të tjera”. Ajo çka duhet të tentojmë të kuptojmë është raporti mes mbinjeriut dhe bijëve të shekullit të ri, a është i pari pjesë e të dytëve apo i udhëheq ata? A duhet të zgjohej kjo ndërgjegje e çliruar tek të gjithë shqiptarët apo mjaftonte vetëm një e tillë për të udhëhequr? Pasi Migjeni flet gjithashtu edhe për një forcë shoqërore kombëtare… dhe nëse ai kërkon të lindet vetëm një njeri atëherë nuk është larg religjionit i cili pret poashtu të zgjedhurin, shpëtimtarin (Messaiah).
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re!
(Të lindet njeriu..)
Sartri shkruan “individi vjen në ekzistencë në kushte dhe rrethana të përgatitura shumë më parë prej të tjerëve dhe shoqërisë”. Dekonstruksioni kritik e ngërthen Migjenin në tonin e pesimizmit, por në një analitikë më të thellë ky ton buçet nga revolta, nga trajtat e reja që njerëzimi pret e shpreson të lindë.
Në të gjithë veprën rëndon fort projeksioni i mendimit letraro – filozofik, specifikisht analiza e realitetit të mefshtë të kohës të vektorializuar deri në bashkëkohësi. Themeli i filozofisë së Migjenit ngrihet mbi çështje ekzistenciale të cilat edhe më parë janë të lëvruara nga filozofët më të mëdhenj të kohës. Lindja e njeriut përkon me një botë tashmë ekzistente dhe të formuar e ardhja e këtij njeriu, në këtë shoqëri të formësuar shihet dhe pritet si një shpresë, si një fije drite përmirësimi:
“të lindet një njeri,
nga gjin` i dheut tonë te rim me lot të vakët,
nga thalb` i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët për një gen të ri.”
Mirëpo ky ndryshim social ishte paralajmëruar edhe më parë nga Nietzsche, në momentin kur ky i fundit kërkonte një kthim “kokëposhtë” të tabelave të vlerave dhe riformulimin e tyre nga e para. Edhe Migjeni si Nietzsche ndërmerr një barrë të tillë mbi shpinë, kërkon të përmbysë konceptimin e marrëdhënieve shoqërore të kohës. Porse shkrumbimi i hierarkisë vlerore të individit edhe këtu endet në një kryqëzim mes dy autorësh. Nëse për Nitzsche-n individi nuk duhet të mbartë në shpinë atdheun, familjen, punën, shoqërinë, duke marrë vlerë prej shkallës së nënshtrimit dhe vënies së vetes në shërbim të të gjithë këtyre strukturave sociale, si kusht për të qenë i pranueshëm nga shoqëria, përkundrazi janë atdheu, familja, puna, shoqëria që marrin vlerë në funksion dhe në shërbim të individit ekzistencial, sipas asaj sa ndihmojnë lirinë dhe ekzistencën e individit. Në krye të të gjithë tabelës duhet të vendoset vetëm individi me lirinë e tij! Këtu duket se shpie mendimi i thellë i Nietzsche-s mirëpo Migjeni kthesëzon qëndrimin e tij, individi i ri migjenian duhet të bartë një ide të re më sublime për atdheun, familjen, shoqërinë, etj.
Njeriu tek Migjeni nuk është “Njishi” plot lavdi të ngritura në kurrize të të tjerëve, por është ai njeri atributi kryesor i së cilit është urtësia. Megjithëse vetë njeriu i ri i Migjenit merr dy trajta të ndryshme në dy poemat e tij, te poema “Të lindet njeriu” vet ky i fundit e lind brenda tij një dëshirë munguese, ky njeri bart në qenien e tij parimet me të larta e si telos ka një përmbushje, një plotni munguese që ai do konkretizojë. Shqetësimi i Migjenit tek kjo poezi është më i përmbledhur, kryesisht tek çështja patriotike.
“Të lindet një njeri
I madh si madhni
Dhe ndërgjegjiet tona t`i ndezi në dashni
Per nje ide të re, ideal bujar,
Për një agim të lum e të drejtë kombtar.”
Mirëpo tek “Trajtat e mbinjeriut”, Migjeni largohet më shumë me Mbinjeriun niçean. Që në nëntitull, kjo poemë entuziaste kumton një thirrje drejt Nietzsche-s, pasi tashmë kemi një diferencë që në premisë me njeriun e ri primar migjenian. Si një kundërpërgjigjie brenda vetes Migjeni gjendet në mes dy ekstremeve. Kjo poeme vjen si një shtrirje më e gjërë, dilematizohet brenda ndjesive të kundërta si shpresë dhe frikë, e mirë dhe e keqe, errësirë dhe dritë, vdekje dhe ideal. Krijimi i “Trajtave të mbinjeriut” synon një ardhmëri, mbi një iluzion
“Një sfinks i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm
Pa zemer, pa ndjenja,
Syt e tij rrufena-
Qarkullojnë rreth rruzullit tue synue vranshëm.”
Individi ekzistencial, në mendimin e Kirkegard ishte i detyruar në një farë mase të respektonte rregullat etike dhe fetare, për të shpëtuar nga situata e mëkatit të mbartur dhe si një rrugë e domosdoshme për të mundësuar eskatologjinë, bashkimin me të pafundmen (Zotin) . Megjithëse e implikuar nëpër kallëpët konceptuale fetare, çështja e ekzistencës te Kirkegardi mund të gjejë zgjidhje vetëm brenda këtij formatimi. Filozofia e Migjenit nuk ka të bëjë fare me referimin tek bota e përtejme, përkundrazi ajo botë pluhurizohet tek proza “Idhuj pa krena”. Ekzistenca është procesi konkret, prandaj shqetësimi i tij filozofik sillet rreth asaj që i ndodh qenies njerëzore: shtegtimi ekzistencial nëpër labirinthet sociale. Sikur të mos mjaftojë fakti që është e limituar, në realitetin shoqëror ajo nuk është as e pavarur, as autonome, por gjithnjë e përdorshme, e kufizueshme dhe në gjendje të mjerueshme.
Flasim për botën e mjerimit tek Migjeni, aty ku shembet shpresa, njeriu mundohet dhe vdes. Banor i kësaj bote mund të ishte njeriu i dobët e i sëmurë i Nietzsche-s, skllavi që ndjente gjithfarë emocionesh të shemtuara mbi jetën. Por Nietzsche e e përdorë këtë kritik ndaj këtij lloj morali (të cilin e cilëson si morali i skllavit) për një tjetër qëllim për të na drejtuar tek Ubermensch.
Mbinjeriu i Migjenit edhe pse i frymëzuar nga Nietzsche është i një tjetër lloj, një përshtatje me gjendjen e asaj kohe. Shqiptari duhet të refuzoj mjerimin të zgjoj në vete dashurinë për jetën e lirinë, të hedh hapa me një frymë progresiviste. Sigurisht kjo është një lloj analogjie me njeriun e dobët i cili kultivonte mëri dhe urrejtje për veten.
“Ky instikt i shtypur i lirisë i mbytur i burgosur në brendësi, që përfundon duke mos mundur të shkarkohet dhe të shpengohet tjetërkund në mos kundër vetes: kjo dhe vetëm kjo gjë, është, në fillesën e saj, ndërgjegje e keqe”.
Jo gjithmonë është e lehtë përballja e dy autoreve, madje në rastin tonë është tepër komplekse megjithate rreziku duhet ndërmarr për të hapur shtigje të reja. Nietzsche niset nga të tjera premisa me shumë më shumë koncepte sepse qëllimi i tij është të cthemeloj traditën ndërsa Migjeni përdor këtë frymezim për të bërë thirrjen e tij, e zgjuar qytetarët e vet. Tek Nietzsche njeriu i dobët sic ai e përshkruan tek vepra “Gjenealogjia e moralit” ishte tepër i zgjuar e dinak, ai e krijonte perëndine me qëllim që asnjë vuajtje mos të kalonte pa u vënë re. “Historia njerëzore do të ishte tepër e trashë pa gjeninë që kanë futur brenda saj te dobëtit”. Pra religjigjioni i Nietzsche e kishte funksionin e tij “nuk synonte të shëronte sëmundjet, por të luftonte hidhërimin e depresionin, ta lehtësonte ta mpinte”. Edhe pse Mbinjeriu i Nietzsche-s shfaqet shumë frymëzues, gjithë kjo teori është e kushtëzuar siç çdo gjë tjetër. Jeta bëhet e mundur vetëm në saj të ekzistencës së forcave dhe përplasjes së tyre dhe njeriu e përverton atë. Niçe e jep alternativën e vetë, vitalizmin, të pranojmë vujatjen e madhështisë së subjektit. Të jetojmë me pathos, duke kaluar çdo lloj vështirësie, të dominojnë problemet. Ajo që na intereson është se Nietzsche ëndërronte për një tjetër njeri, evolimi i të cilit mund të jetë i pakonceptueshëm nga ne. Njerëzimi si masë e sakrifikuar për mirëqenien e një lloji të veçantë njerëzor më të fortë – ky do të ishte progres për të. Kështu që e kemi një referencë, ja dalim të bëhemi më mirë, përderisa një prej nesh e ka menduar të mundur. Prandaj ka plot të mira që duhen parë tek prespektivizmi i Nietzsche-s. Bindja ndaj një të vërtete sjellë shumë pasoja, ajo mund të ngjizet sot dhe të influencoj me qindra breza pas nesh. Mbase të pamurit e gjërave nga shumë këndvështrime të ndryshme do mund të shmangte shumë konflikte e mbase do bëheshim më empatik. Pra, ajo që Nietzsche sugjeron i kapërcen kufijtë e Migjenit, është më e gjerë e gjithpërfshirëse.
Nëse njeriu i dobët kishte nevojë për priftin ndërkohë që njeriu i Migjenit ishte i cinteresuar, nuk vepronte me qëllim, thjesht ishte i përshtatur me fatin e vetë. Një tjetër dallim thelbësor është se Migjeni pret që të lindet ky njeri i ri ndërkohë që për Nietzsche-n, Ubermensch duhet të ishin të gjithë dhe mund të bëheshin të tillë kur te kapërcenin gjithçka që kishin qenë e gjithçkaje që i kishin shërbyer deri në atë moment. Gjithsesi “cili prej nesh do të ishte mendimtar i lirë sikur të mos ekzistonte kisha?”. Së fundmi cfarë ndodhte me shqiptarin atëherë dhe sot, ku shfryhet gjithë mllefi si rezultat i skamjes, shfrytëzimit dhe shtypjes? E paskemi lodhur Migjenin duke kërkuar të shumëpriturit bijë të shekullit të ri a një mbinjeri!