Nga Blerim Latifi
Burri që shihni në fotografi është Kadri Sinamati nga Kukësi, bashkë me familjen e tij, e cila gjatë regjimit komunist u persekutua deri në përmasa tragjike. Sinamati në vitin 1941 u emërua sekretar i nënprefekturës së Drenicës, e cila funksiononte si pjesë e Prefekturës së Pejës. Me të marrë detyrën, Kadri Sinamati, pati një ide: T’i ndryshohej emri qytezës. Emri “Serbicë” ishte emër i imponuar nga sundimi i serb dhe meqë ky sundim kishte marrë fund, tani duhej gjetur një emër që do të reflektonte historinë dhe identitetin kombëtar të popullatës së Drenicës.
Po, cili emër meritonte të përzgjidhej?
Në ato vite, si pasojë e ndikimit të historiografisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të ideologjisë monarkiste të Zogut, në mesin e shqiptarëve, Skënderbeu ishte figura më e vlerësuar historike.
Kjo figurë u shkonte përshtati si nacionalistëve shqiptarë, ashtu edhe autoriteteve italiane, për shkak se raportet politike në mes shqiptarëve dhe italianëve, nën regjimin e Musolinit, shiheshin edhe si ringjallje e raporteve dhe aleancave që kishte pasur dikur Skënderbeu me shtetet italiane mesjetare, Venedikun, Napolin dhe Shtetin e Papatit. Në funksion të këtij perceptimi pragmatik politik, në vitin 1940, në Romë, u vendos shtatorja e Skënderbeut dhe një shesh mori emrin “Piazza Skanderbeg”. Inaugurimin e sheshit e bëri vetë Benito Musolini.
Sheshi, edhe sot, ka të njëjtin emër dhe shtatorja e Skënderbeut përbën një nga atraksionet turistike për turistët që udhëtojnë në Romë.
Në kontekstin e këtij valorizimi të madh që i bëhej Skënderbeut në vitet e pushtetit italian, Sinamati nuk e kishte të vështirë të gjejë emrin e duhur për qytezën e vogël në zemër të Drenicës. Dhe emri që ai kishte në mendje ishte Skënderaj.
Si nacionalist që ishte, Sinamati nuk dëshironte që emri të kishte prapashtesën turke “beg” dhe të quhej Skënderbeg, por prapashtesën “aj” të gegnishtes, me të cilën emri merrte formën Skënderaj. Ideja për emrin e ri të qytezës, iu propozua qeverisë së Tiranës, e cila e miratoi menjëherë dhe më 28 nëntor të vitit 1942, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në qytezën që tani quhej Skënderaj, u ngrit për herë të parë flamuri kombëtar shqiptar.
ObserverKult