“Njëzet vjet m’u deshën të vija tek ti”, Rudina Papajani lexon poezinë e Luan Ramës

Poezi nga Luan Rama

Erdha Melina
njëzet vjet rrugë m’u deshën
të vija tek ti në zemër të Athinës,
një kafe piva në lagjen «Plaka»,
«Kafenea Melina» shndriste në diell si një vajzë e dashuruar,
rrugën mora nga Akropoli për tek ti
atje ku flije nën mermerin e nxehtë të Moresë,
merre këtë cigare Mërkuri,
çohu dhe ndize si njëherë
ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko»
kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»,
çou dhe këndo këngën e trishtë të “qirios Andonit”
që i lumtur ishte veç në ëndërr,
Melina, gjaku im i shprishur,
i dua sytë e tu të mëdhenj siç dua detin
dhe diellin që bie e shuhet në të,
gjithë dashuritë e Greqisë janë në sytë e tu
dhe shkuma e Jonit dhe e Egjeut që vjen e të mbulon gjer këtu,
Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua,
se të puthurën tënde ende e kam në faqe
dhe përqafimi yt krahët mi ngroh,
ah, duart dhe gishtërinjtë e tua
që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë
dhe vargjet e rënda të Janis Ricos,
shko tani Melina, u bë vonë,
shko ti vajzë e Argolidhës arvanitase
Dasin dhe Haxhidhakis të presin atje nën dhé,
shko ashtu përhumbur në tymin e cigares
se agimi po afron dhe bota do të zgjohet,
ndryshe do duhet të të mbart mbi vete,
të shkoj si bohemi i legjendës nëpër erë
ku ca fjalë të prushta pas nesh do jehojnë:
një i gjallë me një të vdekur shkon…


Lexo edhe:

LUAN RAMA: UNË SHOH VEÇ TË KUQEN TËNDE MBI BUZË…