Nji koment mbi romanin “Murana” të Leon Lekajt

Nga Arben Borshi

E quej koment, sepse mendoj se i tillë asht. Asht ndryshe prej fjalës “reçension”! Të bajsh nji reçension letrar për nji vepër, don me thanë se ke kompetenca profesionale në këtë lamë. Prandaj, i vetëdijshëm për këtë mungesë, e quej “koment” ose thjesht përshtypje .

E lexova me andje romanin “MURANA”. Nji Roman që të tërhjek gjithnjë e ma shum, fletë mbas flete deri në fund.

Edhe pse ngjarjet shtjellohen në nji ambjent jo real, në pamje të parë, në fakt pasqyron nji realitet të kobshëm historik,  të cilin vetë autori e ka përjetue në vetë të parë.

Por temën e veprës, që pasqyron me nji teknike të zgjedhun të tipit orwellian, Leoni ka dijtë me e mbështjell me nji formë artistike të admirueshme.

Si bashkëmoshatar i tij, por ma tepër si nji bashk-jetues i të njëjtës periudhë të terrori, të nji prej regjimeve komuniste ma kriminale të Europës, jam në gjendje t’i kuptoj dhe t’i analizoj ngjarjet, ndjenjat, atmosferën, kohën në të cilën zhvillohet narrativa e MURANËS.

Përshtatja e emnave të personazheve në mnyrë alegorike, si: Vigjilent Dhelpra, Proletar Plumbi, Zabit Xheblati etj, ashtu si për vendet; Fshati Humnaja, Humnera e Ujkut, Kulla e Mallkimit etj, autori ia ka përshtatë historisë tragjike të përjetueme. Kto emna pasqyrojnë saktësisht karakteret kriminale të klikës komuniste.

Futja e temës të dashunisë ndërmjet dy të rinjve, protagonistit Rudolf Shkira dhe Irenës, vajzës të doktorit, krijon ngjyra romantike në nji ferr të zi. Intrigat e ndërthuruna si dhe dashuria e pakëmbyeme e Rudolf Shkirës ndaj vajzës së inkuizitorit Vigjilent Dhelpra, Marjetës, e komplikojnë edhe ma shum narrativën, tuj e ba ma interesante.

Në këtë roman, autori shpesh bashkon rrëfimet dhe ngjarjet e protagonistave me historinë personale të përjetueme. Prandaj ndokush mund ta marrin si fantazi, kur në të vërtetë asht përshkrimi i realitetit të trishtë në mnyre artistike.

Nji prej aspekteve që spikat në këtë roman, asht momenti kur në Muranë, të gjith banorve të saj, dikujt ma pak e dikujt ma shum, kishte fillu t’i delte në mes të vetullave nji gungë, që autori e përshkruen me kto fjalë:

“Në të gjith Muranën mendohej se gunga shfaqej tek njerëzit që kishin bërë keq, por përhapja me shpejtësi e asaj copë mishi mbi ballë të shtetasve të saj, çoi në përfundimin se ishin të paktë ata të cilët kishin mbetur pa gungë.”

Ktu, Leoni denoncon me alegorine që e karakterizon, pikën ma të ulët të moralit njerëzor, veset si: cmira, dashakeqsija, urrejtja, antivlera, që regjimi terrorist komunist i stimuloi dhe i kultivoi në ndërgjegjet e njerëzve për gati nji gjysë shekulli. Dhe pasojat e asaj “gunge” janë edhe sot e ksaj dite të pranishme në shoqninë shqiptare, sidomos në trashëgimtarët e “Dhelprave” dhe “Plumbave” të shumtë e të ngjashëmve të tyne.

Nji tjetër aspekt që ka nji domethanije të jashtzakonshme dhe që autori e nënvizon me forcë, asht kthimi i Zabit Xheblatit prej nji krimineli të paskrupullt dhe injorant, në nji njeri me ndjenja humane e i gatshëm deri në vetmohim, për t’i pshtu jetën pikërisht viktimës të radhës, Rudolf Shkirës. Dhe e gjith kjo metamorfozë e ndërgjegjes i dedikohet At Nikoll Palit, i cili ndërsa ishte i burgosun nën hetuesi, në birucat e sigurimit, i mëson shkrim e kndim pikërisht xhelatit të tij injorant , Zabit Xheblatit, që do ta ekzekutonte ma vonë, tuj zbatu urdhnin. Ktu mund të hapet nji diskutim shum ma i gjanë për problemin kardinal që shoqnia shqiptare ende nuk asht në gjendje me e përballu: VRASJA E NDËRGJEGJES DHE PENDIMI!!

E jo vetëm për ekzekutuesit materialë të urdhrave të ekzekutimit fizik apo dënimeve tjera, por kryesisht për urdhnuesat e këtyne krimeve dhe të atyne që i mbështeten në mënyrë besnike. Dhe ky asht nji tregues i pamëshirshëm i kalbësinës së ndërgjegjes tonë kolektive. Sidomos të atyne që në pozitat e “inteligencijes” të atëhershme si pishtarë të realizmit socialist (ndonjeni ka lanë edhe përshtypjet për romanin ndër fjalë, përshtypje abstrakte!!), nuk patën guximin të kërkojshin ndjesë publikisht, pikërisht për fajin se ishin përkrahësit dhe perçuesit e asaj flame që bani t’i delte “ gunga”në ballë pothuej të gjith popullsisë.

Ky roman, mund të rreshtohet pa dyshim, në radhët e romaneve si “Rrno për me tregue”, at Zef Pllumi ,“Burgjet e mia”, Don Simon Jubani, “Në kërkim të nji ditari” Ahmet Bushati,  “ Nji monument nën dhe”, Fritz Radovani, “Çinarët”, at Konrad Gjolaj ,“Kur këndonin gjelat e tretë”, Agron Tufa “Takimi fatal me diktatorin”, Gjet Voca , “Zoti zbret në ferr” Marcel Hila , “Në rrugët e ferrit”, Visar Zhiti , “Njeriu përballë përbindshit” e Jozef Radit,  e shum autorë tjerë që trajtojnë tema të ngjashme, të cilëve ju kërkoj ndjesë që nuk përmendi emnat. Natyrisht që kjo kolanë librash, krijojnë atë që un e quej: Kolana e Arqipelagut Gulag shqiptar! Dhe mos pritni se do t’i bahet ndonjëherë, derisa nuk do t’ndryshojë kursi politik, prezantimi pompoz siç iu ba librit aq të dashtun të “sovranit” : “E lirë”!

Nuk më mbetet tjetër veçse me falenderu mikun dhe shkrimtarin Leon Lekaj dhe me ftu dashamirësit e librit me e lexu këtë roman…e mbase edhe me e komentu, çka do t’ishte me shum vlerë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ROMANI SHQIPTAR NË PËRGJITHËSI DHE “MURANA” E LEON LEKAJT NË VEÇANTI