Dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua libri “Nji letërsi tjetër” i shkrimtarit Primo Shllaku.
Libri flet për fenomenin e disidencës në Shqipëri, për letërsinë që u krijua paralelisht asaj ‘zyrtares’ – brenda vargonjëve të Realizmit Socialist, duke u ndalur tutje tek tre autorë të veçantë: Zef Zorba, Lec Shllaku dhe Frederik Rreshpja, të cilët Shllaku i ka analizuar e interpretuar përmes psiko-kritikës.
Promovimin e hapi me një fjalë rasti ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili vlerësoi ndërmarrjen Shllakut për t’u marrë me disidencën si fenomen.
Profesoresha Dije Demiri-Frangu e cilësoi “Nji letërsi tjetër” si libër unikal, duke u ndalur fillimisht te gjuha e përdorur aty, gegnishtja e pasur me trajta burimore e më pastaj tek autorët të cilët i trajton Shllaku, pak të njohur e të prezantuar para lexuesve.
Tutje, Demiri-Frangu vlerësoi trajtimin e disidencës dhe edhe informacionet e dhëna brenda librit për atë që Shllaku e konsideron “vetëdije estetike mbi artin”, e jo formacion estetik apo shkollë letrare.
“Primo bën një krahasim me disidencën në Evropë dhe në botë gjë që është gjigante në raport me letërsinë tonë. Sepse para së gjithash disidenca ka kërkuar guxim.”
“Ky libër ia vlenë sepse merret teorikisht edhe me realizmin socialist. Viktima më e madhe e komunizmit ishte letërsia, ishte arti dhe këtu gjejmë shumë informacione për ate se si u trajtua leteërsia shqipe gjat kësaj periudhe”
“Zef Zorba është autori i parë me të cilin merret Primo në këtë libër “Nji letërsi tjetër” . Është një personazh që thjesht ka një komunikim shpirtëror me muzikën, me pikturën, me letërsinë sado që kishte një profesion tjetër. Pastaj një njeri me një bagazh evropian, që ishte student i Italisë dhe dihet se ata që ishin studentë të Evropës ishin shënjestër e komunizmit.
Një dashnor perfekt i gruas së tij, me të cilën bien në burg, një krijues aristokrat…Zorbën Shllaku e quan avangardist, poet origjinal, të pavdekshëm, me një vepër të pavdekshme. E tregon simbolizmin e tij…”, tha mes tjerash Demiri-Frangu.
Te kapitulli të cilin ia ka kushtuar të atit, Lec Shllakut, Demiri-Frangu e sheh Primo Shllakun paksa të frenuar.
“Ndalet pak në elemente të jetës së tij, jep imazhin e tij si njeri i ndershëm, që ka bërë një vepër gjigante me 4500 faqe, për punën ne teatër, vënien në skenë të Juda Makabe. Edhe vet autori shprehet se është i hendikepuar të shkruaj për të për shkak të lidhjes që ka.”
Ndërsa sa i përket Frederik Rreshpjes, i cili është autori i tretë për të cilin ka shkruajtur Shllaku, Demiri-Frangu thotë se është poet që të shqetëson për shkak të botës hipersensitive.
“Vlerësimi i Shllakut shkon në ekstremin prej mizantrop, skizofren deri tek ekstremi filantrop. Frederiku nuk shkruan për burgun dhe Shllaku ngrit pyetje se pse nuk e bëri këtë. Janë disa psikologji të cilat i materializojnë fatkeqësitë. Perandoria e heshtjes, e vetmisë e ka sunduar Frederik Rreshpjen… Frederiku ta krijon një dhembje të dyfishtë, dhembje për fatin edhe për jetën e tij si krijues”
Shkrimtari Halil Matoshi në referimin e tij “Disidenca versus t’hatruemt e diktaturës”, thotë se nuk ka diçka ma kërcënuese dhe krejt e ngjashme me filozofinë e katunit se socializmi.
“Realizmi socialist ishte modeli i ni arti të mbyllun, art të masave që i përshtatej realitetit të diktaturës, që nga Moska në Turanë, pra ishte paraart dhe propagandë për “Kishën e re”, partinë dhe “Njeriun e ri”, pa identitet as kombëtar e fetar (kombi e feja konsideroheshin mbetje borgjeze) dhe të ftyrë! “Artistët” e masave simas autorit Primo Shllaku, ishin entuziastë që vinin nga të katër anët, por kryesisht ata vinin prej fshatit”, thekson Matoshi duke shtuar se në librin “Filozofija Palanke” (Filizofia e fshatit”) nga Radomir Konstantinović, shpirti i fshatit rrfen religjionin e mbylljës dhe simas të cilit, nuk ka botë jasht këtij shpirti.
“Pra, bota soset m’u n’krye t’sokakut të fshatit ku jetonte entuziasti i real-socit”, thekson Matoshi.
Ai ndalet te fenomeni i Disidencës, trajtuar nga Shllaku duke konsideruar me të drejtë vlerësimin e tij se Disidenca, në fakt, nuk âsht as metodë, as rrymë, as edhe nji prirje letrare.
“Disidenca asht problem njerëzor, asht problem i virtytit qytetar dhe i karaktereve individuale. Pra, në radhë të parë, asht problem moral, i etikës dhe i lirisë.”, thotë Matoshi.
“Autori disidencën e vërtet ndaj realsocit ia njeh ZEF ZORBËS. Ardhja e Zorbës në fushën njingjyrshe të letrave shqiptare prej vetiu shkaktoi bujë. Tue i bâ ni analizë kritike artit poetik te Zorbës, autori e krahason vargun e tij me kadencën muzikore, me violën jo vetëm si instrument muzikor por edhe si lule.
I dyti vjen LEC P. SHLLAKU erudit dhe autor romanesh, shkrue përgjat realsocit, porse botue mas ramjës së regjimit.
Dhe i treti âsht FREDERIK RRESHPJA; poeti që Deri më 1973 ai shkruente me zell proregjimental, përmendte parti, komisarë, dëshmorë, shokë të rënë, “1 Majin”, minatorët, anmiqtë, burokratët, horizontet, shekujt, kaltërsitë, qiellin, ylberët, yjet, komisarët… Rreshpja e braktisu realsocin për me iu qas poezisë si lirik e andrrimtar deri në simbolist të shquem. Dhe tue hedhë dritë mi veprën e disidentave, autori pashmangshëm i kthehet e rikthehet Martin Camajt, si ‘refuzues estetik’ i normës letrare”, shton Matoshi, duke potencuar se Primo e di se letërsisë së shkrueme tjetër duhet me iu qasë ndryshe, jo vetëm si kundërshti formaliste e ideologjike por edhe si fakturë estetike, letërsi që përdor ‘mjete letrare’ të avancueme.
Shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni, e cilëson librin “Një letërsi tjetër” model të psikokritikës, madje që shkon edhe përtej kësaj. Paraqitjen e autorit Shllaku në librin “Nji letërsi tjetër”, Apolloni e konsideron si paraqitje nga një pikëpamje sartriane e edhe mënyrën e ngritjes së pyetjeve gjithashtu e konsideron të një pikëpamjeje të tillë.
“Ne në Fakultetin Filologjik si metodë e kemi tejkaluar, por, psikokritika në këtë nivel që na vjen këtu tek libri i Primo Shllakut është diçka e re në studimet tona dhe shkon përtej psikokritikës. Pra, diçka tjetër që analizon edhe sjelljet, personalitetin, çfarë zakonisht nuk e kemi parë.”
Apolloni e konsideron librin si shartim mes Frojdit dhe Sartrit.
“Edhe profesori Primo Shllaku mundohet ta trajtojë nga kjo përspektivë sartriane problemin e disidencës. “Ku ishit ju ku ndodhte socrealizmi?” – kjo është pyetja në kapitullin e parë, në kapitullin përgjithësues “Disidenca” që mendoj së është dashur të botohet si libër i veçantë.
Tek kapitulli “Disidenca shqiptare” autori bën shpalosje, shpikje termash, pasuron fjalorin me një terminologji herë latine e herë greke që duket interesante si shpikje dhe si shartime nocionesh. Gjithashtu autori ngreh disa hipoteza, madje trajton legjendat urbane që janë të pashmangshme në letërsi. Ndikojnë tek secili shkrimtar si këtu që ndikojnë.”
Sa i përket disidencës, Apolloni thotë për Shllakun se e trajton si akt intelektual e politik, si një kundërvënie ndaj politikës, e kush do të merrte guximin t’i kundërvihej Enver Hoxhës? Ishte rrezik.
“Zef Zorba duke përfaqësuar një model e nënkupton disidencën. Pra nuk e pranon atë modelin e hapur dhe zgjedh diçka tjetër, ku ai bëhet edhe i heshtur. Disident nuk më del, por modeli i tij është antisocrealist. Antisocrealizmi nuk është disidencë pasi që disidenca do konfrontim.”, theksoi Apolloni i cili duke u ndalur te analiza që Shllaku i bënë veprës së babait, Lec Shllakut thotë se do t’kishte preferuar që Primo të shkruante një tregim për babain e tij e jo një studim.
“Do të ishte më e pranuar për të gjithë”, theksoi Apolloni.
“Autori i tretë është Frederik Rreshpja dhe këtu na bën nervoz të gjithëve. Profesoresha Demiri tha që nuk pajtohet me atë që ka shkruar Primo për Frederik Rreshpjen. Nga kjo perspektivë psikokritike është shumë normale të problematizohet. Rreshpja menjëherë pas rënies së komunizmit kur e boton veprën e tij e prish atë trininë Kadare – Agoli – Arapi, që njihej kështu si hierarki. Nuk ndodhte ndryshe p.sh Agolli të kalojë mbi Kadarenë.
Në këto vite njerëzit befasohen se po shkruajka edhe dikush tjetër pasi autori edhe pse ka shkruar nuk ka komunikuar. Pastaj dalin edhe Primo Shllaku dhe të tjerë dhe njerëzit e shohin që ajo trini që shihej e shenjtë nuk ka qenë bash e shenjtë”, thotë Apolloni , duke shtuar se Shllaku e analizon Rreshpjen si personalitet labil e që ky fakt nuk e bën personalitet stabil në letërsi.
“Qasja sartriane thotë se ne duhet ta gjejmë intelektualin, tipin e angazhuar në letërsi. Kur të ndodh një fatkeqësi, ai duhet të shkruaj. Rreshpja futet në burg dhe nuk shkruan asnjë poezi për burgun. Primo thotë se a është kjo normale… Primo nuk e gjen intelektualin tek Rreshpja”, thekson Apolloni i cili e cilëson Rreshpjen si poet intuitivist.
“S’është poet i kulturuar si Elioti që çmendin me njohje të teorisë, ky na jep përshtypje as që ka lexuar teori ndonjëherë”, thotë ai.
Apolloni e vlerëson librin si frojdian dhe sartrian, por kapitulli për Rreshpjen si shumë frojdian.
“Te Rreshpja e kemi trajtimin sikur ky është një poet që kishte probleme me fatin e vet dhe që nuk e pranonte karakterin dhe të vërtetën e vet. Një luftë mjaft e madhe psikologjike që vlen të bëhet edhe roman. Kam lexuar disa intervista të Frederik Rreshpjes dhe nuk kam përshtypjen e shkrimtarit të kulturuar, por shkrimtari nuk e ka obligim të jetë i kulturuar dhe i sjellshëm.
Frederik Rreshpja në disa intervista më del si njeri i çmendur ku nuk e di për njërin se a e ka djalë a jo dhe s’është i interesuar për atë punë. E folura e tij është metaforike, pasi vet poeti ka dashur që të largohet nga e folura e zakonshme, i largohet të folurit metonimik.
Gjuha e pazakontë është gjuha e të marrëve. Dhe pse është i marrë Frederik Rreshpja, mendoj se pikërisht për këtë arsye është i mirë” tha Apolloni duke e përmbyllur në formë batute se autori i tretë që trajtohet nga Primo Shllaku është njëri nga miqtë më të afërt të Primo Shllakut në poezi.
“Është njëri prej atyre që i qëndrojnë më së afërti”, tha Apolloni.
Ndërsa autori Primo Shllaku në mbyllje të përurimit tregoi se ky libër ka qëndruar shumë kohë në kompjuter sepse tashmë nuk rrinë librat në sirtare.
“Ka qëndruar pikërisht sepse e kam ditur se ky ishte një libër me spec që do t’ia prishte qejfin shumëkujt. Në pritje që ky libër të mos i prishte qejfin shumëkujt unë kuptova se njerëzit po bëheshin më radikal në ndjeshmërinë për t’ia prishur qejfin dhe atëherë thashë a të dalë sa nuk ka ra shumë borë dhe nuk dilet pastaj. Kështu e nxora librin. Me thanë të drejtën nuk kam ndryshuar mendim dhe ky mund të jetë defekti i madh që kam”.
Shllaku theksoi se kritika është kaq pamjaftueshme dhe kaq subjektive sa që po vdesim pa e kuptuar se çfarë kemi bërë dhe kjo është e tmerrshme.
“Ne kemi nevojë të madhe për dajak, për njerëz kritik pra. Dhe jo për dashamirësi e për miqësi”, theksoi Shllaku.
Promovimi u organizua nga Social Creativity dhe Ambasada e Shqipërisë, ndërsa sponzor medial ishte ObserverKult.
ObserverKult