“Nobel 2020”, laureatët nderohen pa ceremoninë klasike

Dita e sotme, shënon ndarjen ceremoniale të “Nobelit”. Laureatët për vitin 2020 do të nderohen në mungesë, përmes disa ceremonive që këtë vit organizohen ndryshe, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Përhapja e këtij virusi ka shtyrë zyrtarët e Nobelit, që të anulojnë festat vjetore në Oslo, ku prezantohet çmimi vjetor i Nobelit dhe në Stokholm, ku ndahen çmimet për: mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe ekonomi.

Organizata Botërore për Ushqim pritet të pranojë Çmimin Nobel për Paqe, në një ceremoni në Romë.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara është shpërblyer nga Komiteti Norvegjez i Nobelit, për “përpjekjet për të parandaluar shfrytëzimin e urisë si armë për luftë dhe konflikt”.

Në Oslo, kryeqytetin e Norvegjisë, udhëheqësja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, do të mbajë një fjalim online nga Instituti i Nobelit.

Më vonë gjatë ditës, në kryeqytetin suedez, do të transmetohet një ceremoni përmes ekranit, në të cilën do të publikohen disa klipe që shfaqin laureatët duke pranuar çmimet nëpër vendlindjet e tyre.

Kjo është hera e parë nga Lufta e Dytë Botërore, që anulohen festimet në Stokholm, ndërsa fituesit janë shpallur në muajin tetor.

Çmimet tradicionalisht prezantohen më 10 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së themeluesit të këtij çmimi, Alfred Nobel.

Nobel, shkencëtar suedez dhe filantrop ka vdekur më 1896.