Quhet edhe stinë e “Nobelit”, kur dy javët e para të tetorit mbushen me kumtet e komiteteve në Suedi dhe Norvegji për laureatët e çmimeve në shkencë, letërsi, ekonomi, si dhe kontribut për paqe. Për dashamirët e letërsisë kudo në botë, “gongu” do të bjerë sot pasdite, në orën 13:00, kur do të jepet emri i autorit i cili, sipas fjalëve testamentale të Alfred Nobelit, ka prodhuar “në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim ideal”.
Me një interesim të pazakontë që do të përcaktojë edhe reputacionin e çmimit më prestigjioz letrar në botë, Akademia suedeze qëndron para një sprove jo të lehtë: a do t’i shkojë çmimi i sivjetmë “Nobel” një emri që do të jetë i pëlqyeshëm për publikun apo do të jetë një përzgjedhje kontroverse?
Jamaica Kincaid dhe Anne Carson janë “pëshpëritur” si fitues të mundshëm të “Nobelit” të sivjetmë.
Emrat e apostrofuar nga faqe të ndryshme përfshijnë Maryse Condé – shkrimtarja nga Guadeloupe që fitoi një “Nobel” “alternativ” më 2018 – shkrimtarja ruse Lyudmila Ulitskaya, bestselleri japonez Haruki Murakami, autorja kanadeze Margaret Atwood dhe garuesi i përjetshëm, Ngũgĩ wa Thiong’o, shkrimtar, poet e dramaturg nga Kenia.
Ndërsa gazeta, revista e magazina kulturore e letrare po vënë “baste” për fituesit potencialë, “Nobeli” mund të mos lërë jashtë loje edhe kandidatët e vjetër.
Redaktori i kulturës në të përditshmen suedeze “Dagens Nyheter”, Björn Wiman, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Komiteti i Nobelit të përcaktohet për ndonjërin nga pretenduesit e mëparshëm, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar me Handken, transmeton ‘koha.net’.
“Nëse kjo ndodh, çmimi mund të shkojë për Peter Nadasin nga Hungaria, Ismail Kadarenë nga Shqipëria apo Mircea Cartarescun nga Rumania”, ka thënë Wiman për AFP.
Më 28 janar, pikërisht në ditëlindjen e 84-t, tri ditë para afatit përfundimtar të dorëzimit të nominimeve në Komitetin Nobel, Akademia e Shkencave të Shqipërisë kishte ripropozuar Ismail Kadarenë për çmimin prestigjioz letrar.
Gjysma e dytë e vitit të kaluar atij ia kishte sjellë “Nobelin” amerikan, siç quhet alternativisht çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”. Gjatë ndarjes së këtij çmimi Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”. Po të njëjtin muaj shkrimtarit shqiptar i ishte ndarë edhe çmimi “Pak Kyongni 2019”, një nga vlerësimet më të larta letrare në Korenë e Jugut. Po ashtu, presidenti francez Macron ia kishte ndarë atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Por “Nobeli” i sivjetmë ende mban “shijen e hidhur” të përzgjedhjes së vitit të kaluar, kur Akademia suedeze laureoi autorin austriak, Peter Handke. Sipas vendimit të akademikëve, ai qe vlerësuar “për një vepër me ndikim, e cila me zgjuarsi gjuhësore ka zhbiruar periferinë dhe veçantinë e përvojës njerëzore”.
I kritikuar gjerësisht në Perëndim, autori austriak ishte njëri nga mbështetësit më aktivë të Slobodan Milosheviqit, madje edhe mohues i gjenocidit serb në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.