Peter Handke, nobelisti i polemikave për idetë e tij politike, shtatë javë pas vetëvrasjes së nënës së tij, në vitin 1972, do të shkruante romanin “Një brengë përtej ëndrrave”.
Përmes këtij libri që vjen në shqip nga Elda Ymeri, fillimisht në vitin 1997, për ta riparë sërisht pas vlerësimit të autorit me çmimin “Nobel” në Letërsi për vitin 2019, autori rrëfen jetën e nënës së tij, me të gjitha peripecitë e një gruaje të thjeshtë e të pikëlluar, në një mjedis të varfër, e cila përpiqet që të emancipohet. Botuesja edhe redaktorja e librit Marjana Ymeri rrëfen detajet e përkthimit “Një brengë përtej ëndrrave”.
“Fillimisht romanin e kemi përkthyer në vitin 1997, por nuk kishte më kopje të tjera, prandaj pas çmimit “Nobel” në Letërsi për vitin 2019 menduam që të sjellim një ribotim të tij. Në këtë libër Handke konfrontohet me jetën edhe vetëvrasjen e së ëmës. Nëna e tij, e cila vret veten në moshën 51-vjeçare është shembulli i një gruaje të vetësakrifikuar”, rrëfen Marjana Ymeri.
Handke teksa përshkruan jetën në vitet e nazizmit në Austri gjatë Luftës së Dytë Botërore sjell edhe shumë elemente autobiografike, përmes evidentimit të ndjenjave të tij.
“Përmes historisë së nënës, që është njëkohësisht edhe historia e Handkes, kuptojmë sesa e vështirë është që t’ia dalësh në një ambient, nëse mendohet se ndjek vlera të gabuara. Fëmijëria e Hankes vërtet ka qenë një fëmijëri jo e zakonshme, por që e ka shënjuar atë. Kjo mund të jetë edhe e mirë, sepse fëmijëri të tilla nxisin shkrimtarët, që të shkruajnë vepra të mëdha, por edhe që ndikojnë jetën e tyre. Unë këtë libër e shikoj edhe si një formë dashurie të Handkes për nënën e tij, atë dashuri, që s’ja dha kurrë gjatë jetës”, shprehet Ymeri.
Shkrimtari austriak është i njohur edhe si apolog i Slobodan Millosheviçit dhe kritik ndaj bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi, por botuesja rrëfen se në shqip do t’i përkthejnë vetëm letërsinë e tij të mirëfilltë.
“Unë mendoj se në fjalimin që bëri për “Nobelin”, Handke humbi një rast të madh. Pasi ai pati mundësinë që ta modifikonte mendimin e tij, tashmë që bota e di se cilat janë anët e drejta dhe cilat të shtrembra. Ndoshta, në këtë, mund të ketë ndikuar edhe origjina sllovene e nënës së tij. Por, le t’i lëmë mënjanë këto, ne si shtëpi botuese “Dituria” s’do të botojmë kurrë libra, që kanë në qendër idetë e tij. Ne do të botojmë letërsinë e tij të mirëfilltë, siç është edhe ky libër”, përfundon Ymeri.
Shkrimtari Peter Hanke është fitues i çmimit “Nobel” për Letërsi në vitin 2019./shqiptarja