Intervistë me shkrimtarin Fitim Nuhiu.
Nga Xhemazije Rizvani/ AlSat
– Ç’do me thënë të jetosh në Preshevë?
Kjo pyetje qysh në fillim të çarmatos, s’ke si t’iu përgjigjesh realisht. Të jetosh në Preshevë është sikur të posedosh një shtëpi tënden, por që për gjithçka je i varur prej fqiut tënd të fortë e të vrazhdë dhe nuk pyetesh për asgjë. Jeta në Preshevë është sfidë, kemi mbetur sikur jetimët e dikurshëm, jo sikur këta jetimët e sotëm që të gjithë i përkëdhelin dhe i ndihmojnë.
A keni vështirësi për të siguruar libra?
Kemi shumë vështirësi që të sigurojmë libra, sepse pikë së pari duhet të mendojmë kufijtë që duhet t’i kalojmë, gjegjësisht doganat si nga Kosova ashtu edhe nga Maqedonia e Veriut, kështu që kur dikush boton ndonjë libër, mezi i fut librat e tij në vendin e vet që të mund t’ia dhuroj lexuesve, ose të bëjë ndonjë promovim ose edhe në rastin më fatlum por që edhe nuk ndodh – t’i shesë.
Kemi një librari shkollore që herë pas here ka filluar kohët e fundit të sjell botime të fundit që dalin në Tiranë apo në Prishtinë, por të paktë janë ato.
Si është politika e botimeve atje? A keni mbështetje ju si krijues?
Nëse një krijues dëshiron të botoj librin e vet, menjëherë e mendon Prishtinën si opsionin e parë dhe të fundit, këtu kam parasysh isbn në bibliotekën kombëtare të Kosovës, etj… dhe kjo paksa duket paradoksale që gjersa jetojmë brenda shtetit të Serbisë nuk tentojmë ne si qytetar të Serbisë që të ngrisim një bibliotekë nacionale shqipe, autonome, të pavarur, që të kemi mundësinë të operojmë brenda shtetit ku jetojmë dhe të shfrytëzojmë edhe të drejtat dhe mundësitë që ministria e Kulturës së Serbisë ndan fonde që edhe ne të përfitojmë prej tyre duke pasur parasysh që jemi taksapagues të këtij shteti dhe që fundi fundit shteti e ka obligim kushtetues për gjëra të tilla, mirëpo prapseprapë mendoj se problem është tek ne që nuk tentojmë që të organizohemi dhe të koordinohemi, të formojmë mekanizmat e duhur që të kërkojmë me ngulm atë që na takon.
Ne si krijues të rinj, sapo e mbaron një libër, menjëherë mendon sikur një ‘familje e varfër’ që sheh nga t’ia mbaj, që kërkon mëshirën e një dorë të epërme, që të kërkoj ndonjë fond që t’ia dalë të botoj librin e vet, dhe kjo mendoj se është mizerje, sepse t’iu drejtohesh p.sh. komunës, duhet të kesh të njohur partiak, t’iu shkosh përshtat, ose t’i kërkosh ndihmë financiare ndonjë biznesmeni që realisht kjo gjë zbeh dhe çnderon dinjitetin dhe karakterin e krijuesit të sotëm. Thjesht pa para apo pa të njohur, krijimet e tua, çkadoqofshin ato mund të mbeten dorëshkrime të përhershme që s’mund ta shohin dritën e botimit.
Si ju duket jeta me letërsinë dhe nga e keni kuptuar që siç do thoshte Rreshpja ”jeni të mallkuar me art”?
Personalisht, jam mirënjohës të gjithëve, që janë të shumtë, që kanë ndikuar që të gjej rrugët e mia drejt leximit, sidomos leximit letrar, sepse kjo për mua, e them me sinqeritetin më të madh, është ngushëllimi i përhershëm dhe kënaqësia, shoqërimi im që më mban gjallë gjithmonë dhe në humor të mirë.
Na flisni për krijimtarinë tuaj kur ka filluar?
Me shkrime kam filluar vonë, diku nga viti 2015, filluan të më silleshin disa fjali nëpër kokë, e fillova të shkruaj ca fraza përsëritëse, me tematikën e njerëzores së humbur, duke filluar secilën fjali me fjalën Njerëz… si denoncim i njerëzve të ligj dhe i grumbullova ato fjali (383 fjali denoncuese, 7 fjali prononcuese dhe 104 pyetje), sa që në fund mendova që titullit të librit të parë t’ia vendosja emrin Ç’njerëz. Kjo punë më ka zgjatur afro 3 vite derisa mbarova librin dhe në vitin 2019 e bëra promovimin e parë në Preshevë, ku të pranishmit patën diskutime rreth tematikës në fjalë. Gjithashtu kam pasur promovim edhe në Kumanovë dhe në televizionet Alsat, tv21 dhe Klani në Tetovë ku kam shtjelluar librin në fjalë.
Tani kam mbaruar librin tim të dytë, me poezi, me titull goditës “Vdekja është femër” afro 80 poezi, ku besoj shumë shpejt do të dalë në dritë dhe lexuesit do të mund ta gjejnë lehtësisht për ta lexuar.
Gjithashtu në dorë kam shumë punime që jam duke i përpunuar dhe në proces e sipër me tematika krejtësisht të ndryshme nga ato të parat, ku veçoj një romansë dashurore…
Çka duan fëmijët (çka i kënaq më shumë te librat)?
Fëmijët duan diçka të lehtë, diçka joshëse për imagjinatën dhe kuptimet e tyre të “thjeshta”, diçka që nuk i bezdis dhe që nuk na dalin dorësh nga leximet, sidomos nga “sulmet” ose joshjet e sotme teknologjike që janë bërë fatkeqësisht të domosdoshme dhe pa to nuk mund të mendosh jetën dhe punët e sotme ditore.
Shpeshherë e kam diskutuar ndër miq që librat me fotografi në librat për fëmijë mendoj se ia ngushtojnë dhe ‘nënçmojnë’ imagjinatën dhe inteligjencën fëmijëve dhe i keqorientojnë kuptimet e tyre letrare duke ia skicuar dhe duke i futur në kuptime skematike gjë që me kalimin e kohës bezdisen dhe si pasojë i braktisin leximet e tyre. Fëmijët duhet joshur inteligjencën, shpirtin e konkurencës brenda klasës psh, dhe që t’ia dalin që të motivohen për lexime të pafundme, lexime të larmishme ku trajtohen aventura, udhëtime, adrenalinë fëmijërore.
A lexojnë sot fëmijët?
Ah, pyetje problematike. Të thuash JO, s’është e vërtetë, por edhe të thuash PO, nuk është aq e vërtetë. Mendoj se e vërteta është diku në mes, sepse fëmijët që takoj në punën time ditore shoh që lexojnë libra të ndryshëm dhe që dinë t’i komentojnë tematikën e tyre, që dinë të dalin nga skemat e ndërtuara brenda kontekstit të librit dhe mund edhe ta gjykojnë kupto vlerësojnë siç duhet një libër, kuptohet për fëmijë.
Përse është më e vështira të shkruash për fëmijë?
Kjo pyetje nuk më takon t’i jap përgjigje, sepse unë nuk shkruaj për fëmijë.
Cilat janë aktivitetet që keni realizuar për fëmijët? Grupi Letrar si funksionon? Sa angazhohen nxënësit?
Para një viti, duke parë nxënësit e mi të klasës së IV, një gjeneratë e tërë e shkollës fillore ku unë punoj, shihja fletoret e disa nxënësve të shkruara me vjersha, poezi e tregime të tyre autoriale dhe shihja mbi banka libra që huaznonin nga biblioteka e qytetit që lexonin vazhdimisht, sepse shihja libra të ndryshëm, dhe e mendova mirë e mirë dhe vendosa të filloj disa takime pas mësimit me nxënësit e mi, që shihja se entuziazmi i tyre ishte shumë i madh, gjë që me thënë të drejtën edhe mua më entuziazmonin dhe më motivonin që të vazhdoja me idenë time.
Çdo dy javë mbanim takime të rregullta letrare ku zgjedhnim nga një libër, varësisht nga mosha e tyre dhe kërkoja prej tyre që ta lexonin brenda dy javëshit dhe kur u takonim të diskutonim për librin, tematikën, personazhet, përshtypjet e nxënësve, të mira ose të këqija për librin në fjalë, gjë që shihja se aktiviteti jonë dalë ngadalë po merr formën e duhur.
Nëse ke pasionin dhe bën një punë me zemër, të hapen të gjitha dyert e aktiviteteve, gjë që vinin organizata dhe njerëz të ndryshëm që të bashkëpunonin me ne, sidomos me nxënësit e mi, sepse në çdo takim letrar, kemi pjesën e fundit që nxënësit të lexojnë, interpretojnë ndonjë vjershë të tyren autoriale, gjë që i ndihmonte që t’a humbasin frikën që të dalin para publikut, të flasin rrjedhshëm kur shpjegonin tematikën e librit, etj, saqë kemi mbajtur aktivitete të shumta dhe të larmishme, psh, një mbrëmje kulturore disa student në Bujanoc organizuan muzikë, stand up comedy, dhe pjesën e poezive e kemi mbuluar ne si Grup Letrar.
Tani që po i bëjmë edhe një vjetorin e Grupit Letrar, nxënësit më propozuan që t’ia vendosim një emërtim këtij grupi që të kemi etiketën tonë përbashkuese, dhe aty kuptova se kemi arritur që nxënësit ta ndjejnë atë ‘team spirit’ (shpirtin ekipor) që të ndjejnë atë frymën përbashkuese letrare dhe kjo gjë më gëzoi pamasë që ia arrita deridiku të bëj pjesën time në shkollën më të madhe në Preshevë, pra në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”.
Tani Grupi Letrar “LEXO” numëron 40-50 nxënës që variojnë, kryesisht nga klasa IV – VI, sepse akoma nuk i kam selektuar dhe minimizuar numrin e tyre që të merrem më seriozisht në punët dhe aktivitetet që na presin në të ardhmen.
Vlen të ceket, që kur filluam mbajtjen e takimeve tona letrare, unë moderoja takimin dhe mendoja se nxënësit ishin aty për të më dëgjuar, por realisht, natyrshëm, madje gëzohem që ka devijuar ky kurs, dhe kemi diskutime shumë interaktive sa që shpesh habitem se mos vallë jam unë nxënësi aty apo mësimdhënësi, thjesht thënë, kam mësuar dhe akoma mësoj prej fëmijëve shumë gjëra që sinqerisht më bëjnë të mendoj thellë, se përsë ne gjithnjë kemi qasjen e gabuar kundrejt tyre, që i shohim si fletore që mbi to vetëm duhet shkruar, e nuk i shohim edhe si libra, që herë pas here vlen lexuar.
Çka ndikon në mosleximin e fëmijëve dhe cili është motivi që i nxit për të lexuar?
Egërsia e teknologjisë, rrjetet e ndryshme “sociale” sot, jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit i kanë hutuar, gjë që ia kanë zhvendosur boshtin e prioriteteve dhe argëtimeve të tyre, sa që të shohësh një fëmijë që lexon një libër, ke parë një mrekulli tokësore, por sidoqoftë nuk duhet dorëzuar, kemi akoma hapësira dhe mekanizma që mund t’i orientojmë fëmijët tanë drejt leximeve, sidomos atyre letrare.
Po tek të rriturit, a ka rënë interesi për leximin?
Ne jemi një popull që kryesisht nuk lexojmë, kështuqë nuk mund të themi se a ka rënë interesimi i leximit, sepse i rënë ka qenë qysh në fillet e saj, sidoqoftë, mendoj se leximi i librit gjithnjë është në modë dhe është shumë trendy, që herëdokur njerëzit do t’iu kthehen, sepse vetëm aty do ta gjejmë strehën tonë të sigurtë.
A mendoni se e ardhmja e romanit është në rrezik dhe se njerëzit parapëlqejnë me shumë tregimet, skicat…?
Jo, nuk mendoj këtë, përkundrazi, mendoj se romani është ajo që do mbijetoj gjithnjë.
Si qëndroni mes poezisë dhe tregimit, cila ka më shumë vështirësi?
Poezia kërkon që brenda pak rreshtave të tregosh diçka, një mesazh, një sublimim shpirtëror, një trajtesë, etj, gjersa tregimi ka hapësirën që të lejon të tregosh detajet dhe shpjegimet e gjerësishme, mirëpo sidoqoftë mendoj se tregimi është më i vështirë në të shkruar, sepse duhet t’iu përmbahesh frymës, stilit, të mbash mend se me çka ke filluar e ku do përfundosh.
Poezia është roman në miniaturë. Miniaturistët e dinë mirë se çka dua të them.
Po bashkëpunime keni me hapësirat shqiptare? Sa ju përfshin e ju ftojnë në ngjarje kulturore?
Personalisht, edhepse jam krijues i ri, i panjohur, kam pasur kërkesa të ndryshme nëpër evente kulturore, kryesisht në Kosovë dhe këtu në Maqedoninë e Veriut, dhe nuk mungon një vullnet i tillë mbarëkulturor.
Mirëpo, kemi edhe shoqata shkrimtarësh dhe artistësh që realisht janë klika, që janë ca qarqe të mbyllura që nuk bashkëpunojnë dhe ndjejnë veten elitarë, që nuk mund të preken nga shpirtërat tanë tokësorë, sidoqoftë, koha do e dëshmojë se arti dhe kultura nuk e duron një sjellje të tillë.
Ç’ju pëlqen të lexoni më shumë, cilët autorë kanë ndikuar te ju?
Më pëlqen të lexoj libra të shumtë dhe sa më të ndryshëm në tematikë. Më pëlqen të lexoj 3-4 libra njëkohësisht, dhe kjo gjë më argëton pamasë.
Ka autorë të shumtë që kanë ndikuar në formimin tim letrar, mirëpo dua ta filloj me Dostojevskin, që më ka gdhendur shpirtin artistik e letrar, pastaj Çarls Dikens, Balzaku, Sabato, Hygo, Elif Shafak, Halid Husein, Orhan Pamuk, E. Heminguej, Umberto Eko, etj…
Kurse nga tanët: Fatos Kongoli, Petro Marko, Kim Mehmeti, Shkëlzen Halimi, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, etj…
ObserverKult