Nuk ka kushte në Kosovë, filharmonia e mban koncertin e fundvitit në Shkup

Filharmonia e Kosovës, koncertin e fundvitit ia ka kushtuar bilbilit të këngës, Nexhmije Pagarushës.

Mirëpo, Koncerti “Në kujtim të Nexhit” do të mbahet në shtetin fqinj shkaku i pamundësisë për të akomoduar orkestrën e përmasave të nevojshme për realizimin e këtij programi.

Numri i pjesëmarrësve të cilët mund të ndjekin koncertin e fundvitit është i kufizuar.

Koncerti organizohet në Sallën e Filharmonisë Maqedonase në Shkup më 19.12.2020 (E shtunë) nga ora 15:00.

“I kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë rreth organizimit të koncertit në Kosovë (me publik) dhe përshkak të pa mundësisë për të akomoduar orkestrën e përmasave të nevojshme për realizimin e këtij programi – jemi detyruar që koncertin ta mbajmë në Shkup. Publiku i Kosovës por edhe ai i Maqedonisë të cilët do të jenë të interesuar ta përcjellin koncertin duhet të drejtojnë kërkesën e tyre në [email protected].”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se një koncert kushtuar bilbilit shqiptar nuk u realizua më parë shkaku i karantinës.    

Tutje Jashari bëri të ditur se në sallën që do të mbahet koncerti, deri në 240 persona do të lejohen të hyjnë brenda./ ObserverKult