Nga: Esmeralda Shpata
Kam gjetur një të dashur, zonjushë Anjën. Buzëqeshja e saj është si diell dhe më zotëron shqisat. Natyrisht, nisur nga logjika, pamja ime e shqetësuar nuk mund ta shmangë dot dashurinë e shfaqur hapur për të.
Është shumë e shkathët, humbet për ditë të tëra në botën e saj të fshehtë, e kërkoj gjithmonë, më është bërë shtysë. Ndonjëherë lodhem shumë ta gjej. Ka raste që dhe tërhiqem, veçse, kur e ndërmend ç’vajzë e gjendur është, e gjej forcën sërish.
E kam ende në mendje herën e parë që e ndoqa, padashur, mendja më shkoi te sikleti që ndjeva kur u pamë në sy, prania e saj më pengonte ta shihja më qartë. Ula sytë në tokë dhe një sëmbim në zemër gati më paralizoi.
Anja nuk më ka dashur ndonjëherë aq sa e dua unë, këtë e ndiej, jo vetëm kaq, e ndiej dhe e di sepse e ndoqa një ditë kur doli nga puna.
Ajo ecte shkujdesur, unë i përvidhesha dhjetë metra pas me majë të gishtave.
Dyshimet e mia qenë kaq të forta, saqë kisha kohë që e planifikoja ta ndiqja. E ndoqa pra, pa e bërë fjalë me asnjeri tjetër.
M’u ftohën duart dhe ngriva në këmbë kur e pashë që trokiti në një derë të vjetër.
Trokiti tri herë dhe dera kërciti dhe e përthithi brenda, më erdhi një mendim i ndyrë dhe volla.
Tani që e risjell në mendje atë rast e quaj veten me shumë fat që u ndjeva më mirë pas të vjellave. Instinkti im mashkullor i ra në të, e kuptoi menjëherë sesa e vështirë ishte lidhja me Anjën.
Nuk kam kujt t’i ankohem, mbase do të lehtësohesha disi në qoftë se do të kisha dikë t’i hapja zemrën.
Jam një burrë frikacak, e kam më të lehtë t’ia mbath gjetkë, nëpër përfytyrime, sesa t’i dal para dhe t’i flas çfarë ndiej së dashurës sime. Tani që e gjeta , mundem ta quaj kështu, e dashura ime. më vonë do mundohem t’i shoh gjërat më qartë, por mbase deri atëherë do ta quaj të dashur.
I hapa derën e shtëpisë, i janë ndryshkur menteshat dhe kërcet kur e hap. E kemi lënë me fjalë, pas tri trokitjeve ia hapim derën njëri-tjetrit. Megjithëse në lagjen tonë nuk ka shumë lëvizje, vetëm disa çifte të moshuara që mbyllen brenda herët, nga frika se mos dikush i përndjek për t’i vjedhur.
Një dyshim i sëmurë, ca spazma të tmerrshme ankthi ma morën frymën në mënyrën më të keqe kur e pashë Anjën të tmerruar nga prania ime në rrugë. Ashtu në hall siç isha ia vura duart mbi fytyrë, ia zura hundët dhe ia shtrëngova aq fort sa më nëpërmendën përpëlitjet e fundit të këmbëve të saj.
Anjën e lëndova sepse e dua. Instinkti im i panginjur nuk i përket më së ardhmes sime, unë këtë e di, ama ajo tani është e qetë. Nuk e ndjek më askush, ajo është bërë imja me të gjitha, pa asnjë përjashtim, sipas rastit, ajo nuk vjen në shtëpi për ditë të tëra.
Ndërkaq unë jam përndjekësi i saj i betuar, është e kotë të shtirem, më i lënduari në të gjithë këtë unë jam. Nuk e di si nuk u morëm vesh e na humbi filli fare, nuk patëm asnjë parandjenjë për t’u kapur e për të mos humbur shpresat. Në fakt shtëpinë e blemë të dy, do të ishte e tepërt të thosha se unë kam kontribuar më shumë për të.
Veçse për derën nuk u morëm vesh ta ndërronim, ajo ma besoi mua, unë ia pata me hile, plus që u druajta për jehonën e tri të trokiturave.
*Titulli i origjinalit: “Njëri nga ne ka frikë”
ObserverKult
Lexo edhe: