Nuk mund t’i japim askujt në botë atë çfarë nuk e kemi!

ervina toptani

Nuk mund t’i japim askujt në botë atë çfarë nuk e kemi! Sado ta duam atë njeri të cilit i premtojmë diçka të vyer, nëse nuk e kemi nuk do të mundemi ta japim. Për këtë arsye duhet të impenjohemi që të kemi, të fitojmë diçka. Secili nëse punon pak me veten do të fitojë njohuri, urtësi, mençuri, dije të çfarëdo lloji, do të mundet më pas të japë diçka me vlerë e t’i ndajë ato me këdo që ka për zemër.

Nga Ervina Toptani

Nëse njeriu nuk ka njohuri, nuk ka mençuri mund të japë vetëm injorancën që ka, nëse nuk ka gëzim e pozitivitet do të japë vetëm negativitet e trishtim. Nëse nuk ka sukses në asgjë që bën do të japë vetëm dëshpërim. Ne e kemi prej dekadash shembullin e politikanëve tanë në Shqipëri që njohin mirë artin e hajdutërisë, mashtrimit e janë mjeshtra të shpikjes së mekanizmave të zhvatjes e në fakt vetëm atë kanë dhënë deri tani.

Nëse njeriu nuk ka asgjë të mirë për të dhënë do të marrë çdo gjë të mirë që gjen tek të tjerët e kjo nuk ka lidhje me përgjegjësinë qytetare, por atë personale e cila në fund dëmin e shkakton kolosal tek e gjithë shoqëria bashkë.

Unë çdo ditë marr përsipër një detyrë të madhe, të bëhem Ervina më e mirë e mundshme që çdo ditë që hyj në klasë me studentët e mi e kur kthehem në shtëpi tek familja ime të kem vetëm më të mirën, më të vlefshmen për të dhënë. Nëse të gjithë do të ndiqnim një rrugë të tillë do të rrisnim breza të shkëlqyer. Mendojeni njëherë, sa prej atyre që ju rrethojnë në punë, në shkollë, në shoqëri, në biznes apo edhe në familje, apo dhe ju vetë, impenjohen të jenë çdo ditë një milimetër më lart se ç’ishin dje në mënyrë që të reflektojnë e të japin më të mirën e tyre?

Ndaj shoqëria është produkt vetëm i vetvetes dhe vetëm vetveten pasqyron. Lum ai që jeton dot në lumin e turbullt ku noton çdo lloj specie e ia ka dalë që asnjë pikë e këtij uji të helmuar të mos i futet në trup, shpirt e mendje.

ObserverKult

lexo edhe:


Ervina Toptani: Më dhemb në shpirt ende dhimbja e tyre e patretur