“Është respekt dhe privilegj shumë i madh të flasësh për të madhin Agim Krajka”, tha në një lidhje telefonike për “Shqipëria Live”, këngëtari i njohur Kozma Dushi.
“E kam njohur në rininë time në Festivalin e Këngës së RTSH-së. Por nuk pata fat asnjëherë të këndoja këngë të tij, edhe pse e kisha shumë dëshirë. Por për të hyrë në portën e Krajkës, ishte radhë shumë e madhe. Ishte fat që të këndoje këngët e tij”, tha Dushi.
Sipas këngëtarit të mirënjohur, Agim Krajka ka bërë muzikë të vërtetë shqiptare të lehtë. Gjithashtu rrëfeu edhe historinë e festivalit të 26-të të Këngës në RTSH, ku Krajka i mori vendin e parë.
“Ishte viti 1987. Juria kishte vendosur që çmimin e parë t’ja jepte këngës “Lot me ty o djalë se ta di merakun”, kënduar nga unë. Por kur i kanë thënë Nexhmije Hoxhës për ndarjen e çmimeve kishte thënë: “Edhe kënga e Krajkës është e bukur”. E menjëherë u bë lëvizja, ku çmimi i parë shkoi për këngën e tij “Nuk të harroj”, tha Dushi.
Ky i fundit shtoi se kënga e Krajkës ishte shumë e bukur dhe shumë më ritmike se kënga e tij. “Unë e kam takuar shpesh, dhe kur i kujtoja këtë detaj më thoshte: “Komi edhe kënga jote ishte e bukur, por unë ngela gjithmonë në vend të dytë. Kënga mbetet, nuk kanë rëndësi çmimet””, përfundoi këngëtari i njohur.
LEXO EDHE: NDARJA NGA JETA E AGIM KRAJKËS, KËNGËTARJA PËRLOTET: U TRONDITA, E TAKOVA NË TETOR- BËMË PLANE PËR…