“Nuk ta mbyll derën baba ty…”

elona caslli ndeshje
Elona Caslli

Nga Elona Caslli


Shumë vite më parë në mos u gabofsha, te ” Njerëz të humbur” ishte një zotëri nga zonat e thella të veriut që kërkonte vajzën e tij me të cilën kish vite që nuk kish komunikuar.

Nga kërkimet rezultoi se vajza e tij kish pasur fatin e mbrapshtë të shumë vajzave të tjera shqiptare, që kishin përfunduar rrugëve të Evropës. Ngjarjet e kishin përthithur si ortek dhe gjendej rrugëve të Evropës si punëtore seksi.

Mbaj mend që pas shumë përpjekjesh babai lidhet me telefon me të bijën. Nuk e mbaj mend fytyrën e babait, por mbaj mend fjalët e tij; Kthehu në shtëpi të pastë baba! Nuk ta mbyll derën baba. Do t’i kalojmë të gjitha bashkë, veç kthehu në shtëpi. Para teje baba nuk vë askënd.

Nuk i ka kushtuar pak atij burri ta thotë me zë dhe figurë këtë gjë në këtë vend, ku mbizotëron mentaliteti primitiv, por ai nuk u kushtëzua nga ky mentalitet, por u ngrit mbi këtë të fundit dhe u kushtëzua veç nga dashuria për të bijën dhe në të vërtetë kushti i vetëm duhet të jetë dashuria.

Vajzat mund të gabojnë, vajzat mund të dashurojnë edhe djalin apo burrin e gabuar, por kjo nuk do të thotë që të damkosen përjetë nga një opinion i kalbur që në thelb djalit i lejon gjithçka dhe vajzës asgjë.

Nuk ka as fëmijë të përsosur dhe as prindër të përsosur. Vetëm dashuria i përsos njerëzit.

Post Scriptum- Fjalët e atij zotnie shumë vite më parë janë një mesazh i mirëfilltë për shoqërinë shqiptare- Nuk ta mbyll derën baba!


Lexo edhe:

ELONA CASLLI: E DIJA, VEÇSE SHPRESOJA KËTË HERË MOS TA BËJE…

ObserverKult