Nuk u dorëzua kurrë: Edhe sikur fytin të ma prisni nga gurmazi im do të dalin përsëri germat A, B, C shqip

Në vend të nderimit dhe respektit, familja e Ilia Dilos vuajti në diktaturë përndjekjen më të egër. U burgosën, u dëbuan, iu plaçkitën shtëpitë, u pushuan nga punët dhe u zhveshën nga të drejtat, por dinjitetin që nuk është një rrobë, askush nuk mundi t’ua heqë. Ndoshta kjo e tërboi dhe më shumë regjimin që nuk e ndali përndjekjen ndaj familjes Dilo deri në fund

Mësuesi, patrioti dhe gjuhëtari i shquar, Ilia Dilo, mbylli sytë në tetor 1945 duke parë vetëm fillimin e terrorit komunist, që do të godiste ashpër familjen e tij, në vitet që pasuan. Dy nga djemtë ia burgosën dhe torturuan pa asnjë faj. Të gjithë familjes, djemve, vajzave, nipërve e mbesave, ia vunë thembrën e përndjekjes në fyt dhe sikur mos t’u mjaftonte që ia kishin bërë shpirtin t’i dridhej, ia lëvizën nga vendi edhe kockat si forma më e skajshme e presionit ndaj asaj familjeje. Kjo përndjekje është arsyeja përse emri i Ilia Dilos që për nga veprimtaria, meritonte të ishte i njohur nga kushdo, është i zbehtë apo i padëgjuar. Diktatura e bëri zakon të fshinte firma nga dokumentet, të hiqte njerëz nga fotografitë, të zhdukte emra nga librat pa iu druajtur së vërtetës dhe historisë, siç nuk iu druajt as Zotit, kur shembi kisha e xhami. Kështu bëri dhe me emrin e Ilia Dilos, ndaj sot pak njerëz e njohin.

Pak e dinë që tre vjet para se Ismail Qemali të formonte memorandumin e Grecës e t’i kërkonte Perandorisë Osmane autonominë e Shqipërisë, Ilia Dilo do të dërgonte nga Zagoria, një memorandum kundër Portës së Lartë dhe Patriakanës së Stambollit ku kërkonte edhe hapjen e shkollave shqipe. Përgjigja ishte dënimi me vdekje, të cilit i shpëtoi më pas, por nuk iu tremb aspak gjatë kohës që i rrinte mbi krye. “Edhe sikur fytin të ma prisni nga gurmazi im do të dalin përsëri gërmat A, B, C shqip”, tha ai në Gjykatë.

I paharruar është dhe fjalimi që mbajti në sheshin e Gjirokastrës në vitin euforik të ndjenjave kombëtare, 1920, në 8-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, që i dha Ilia Dilos për mbiemër edhe emrin e vendlindjes së tij, Sheperi, që ndihej krenar për këtë bir të tij. Nuk ndaloi së punuari për gjuhën shqipe, jo vetëm si mësues, por edhe si studiues i saj duke tërhequr vëmendjen me erudicionin e tij edhe të profesor doktor Norbert Joklit, që do thoshte për të “mes maleve të ashpra të Zagorisë ndodhej një oqean diturie”. Në 1927-ën ai botoi studimin e tij mbi gramatikën dhe sintaksën, sidomos të toskërishtes, për shkollat e mesme, i cili është ribotuar më pas në Romë dhe Tiranë, siç përmend Zylyftar Hoxha në shkrimin e tij kushtuar Mësuesit të Popullit dhe Nderit të Kombit Shqiptar. Me këtë frymë dashurie për atdheun dhe dijen u rritën edhe të dhjetë fëmijët e tij, shtatë djem e tre vajza. Mes tyre u formuan intelektualë të spikatur në fusha të ndryshme, mjekësi, avokati, veterinari, matematikë, histori-gjeografi etj., të cilët si bij të babait bënë çmos për çlirimin e vendit gjatë viteve të Luftës. Jani Dilo, avokati i diplomuar në Romë, ishte një nga strategët e Ballit Kombëtar që luftoi kundër pushtuesve. Në këto luftime mori pjesë edhe vëllai tjetër, Koço Dilo dhe e gjithë familja ishte e mobilizuar në mbrojtje të atdheut, por me çlirimin e Shqipërisë dhe shpalljen fitues të komunistëve, avokat Jani Dilo u largua nga Shqipëria së bashku me drejtuesin e Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri.

Këtu do të niste plani për hakmarrje i komunistëve ndaj asaj pjese të familjes që kishte mbetur në Shqipëri. Ata u dëbuan nga Tirana dhe Durrësi. Pa triska fronti dhe të pushuar nga punët, megjithëse të shkolluar në institutin e Fultz-it apo universitetet e huaja, duhej ta fitonin bukën e gojës me mundim. Por prapë për regjimin komunist nuk ishte mjaftueshëm. Dënimi u përshkallëzua deri në burgosje. U dënua fillimisht Margariti, me akuzën që paskësh pasur lidhje me shovinistët grekë dhe kishte sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 me propagandë. I hoqën për dy vjet lirinë dhe e dërguan në kampin e Maliqit, ku do të sëmurej për tërë jetën. Për disa vite zuri shtratin dhe kur në 1970, arrestuan vëllanë tjetër, Koçon, ai nuk mundi ta përballonte goditjen duke u ndarë nga jeta e duke lënë pas pesë jetimë, të cilët, ashtu si gjithë pasardhësit e Dilove, me gjithë moshën e njomë duhet të mbanin në shpatulla dhe shpirt barrën e rëndë të armikut. Një prej tyre, Eduard Dilo, në një shkrim për Illyria-n, disa vite më parë, kujton sesi kur ishte në vit të parë të shkollës së mesme, në gjimnazin “J.Kilica” në Fier, drejtori i shkollës e kishte thirrur para gjithë nxënësve dhe duke e quajtur bir armiku i kishte komunikuar përjashtimin nga shkolla duke e tërhequr nga këmisha e arnuar dhe duke e detyruar të dilte menjëherë jashtë oborrit. Në ato vite, xhaxhai i tij, Koço, pasi kishte marrë dënimin me 10 vite burg, ishte në Spaç, ndërsa familja ishte plaçkitur deri në palcë me pretekstin e marrjes së sendeve të Koços.

Koçon e arrestuan një ditë marsi të vitit 1970, me pretekstin se donte të arratisej. Nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë akuzë,  nuk kishte as edhe një provë që të mund ta mbështeste, ndaj ato u sajuan shëmtuar, siç ishte garuzhdja që “do ua çonte vëllezërve, avokat Janit dhe doktor Orestit, në Amerikë”. Pas katër muaj torturash në kalanë e Gjirokastrës, ai doli në gjyq në muajin korrik, ku teatri i sajesave me dëshmitarët që binin në kontradiktë me njëri-tjetrin, u bë vërtet i turpshëm. “Zotërinj, nxënësit nuk i keni mësuar mirë, sepse ata po thonë gjëra kontradiktore”, tha Koçoja në sallën e gjyqit, me të njëjtën qetësi të të atit rreth 60 më parë, edhe pse mund të rrezikonte jetën si dhe babai dikur. Gjykata e kapërdiu turpin dhe shpalli vendimin për ta dënuar me 10 vite burg Koço Dilon që fitoi publikisht mbi atë farsë, por vetëm moralisht. Por më shumë ishte e pamundur! “Të lumtë vëlla! Ki besim e shpresë vetëm tek i madhi Zot!”, jehoi si kambanë thirrja e të vëllait Qirjako në atë tempull të zhveshur ateizmi, për t’u kujtuar gjatë më pas ndër ata që e dëgjuan.

Koçoja vuajti për 10 vite në Spaç dhe dy apo tre vjet pasi u lirua, u nda nga jeta.  Trupi i tij u çua të prehet në Sheper, ku ishin varret e prindërve, vëllezërve dhe motrës Viktori, mësueses së përkushtuar që nuk iu nda vëllezërve burgjeve, megjithëse një gjëmë e kishte goditur para pak kohësh edhe atë vend. Sipas dëshmisë së nipit të Ilia Dilos, Fonit, të cituar në një shkrim të Anton Çefës, Ilia Dilos në vitin 1979, iu thye varri me urdhër nga qarqet e larta të diktaturës dhe pasi ia zvarritën kockat rrugëve të fshatit, ia hodhën në humnerë. Përmbajtja antikomuniste e shkrimeve të tij që, pas sekuestrimeve të vazhdueshme të shtëpive të Dilove, kishin rënë në duart e Sigurimit kishte tërbuar drejtuesit e lartë deri në atë pikë sa i përdhosën edhe varrin  atij patrioti, mësuesi dhe studiuesi të shquar. Megjithëse familja e Dilove vuante prej vitesh përndjekjen e regjimit, ky i fundit nuk ndalonte së i përcjelli mesazhe terrori, duke treguar që asgjë nuk do të ndryshonte dhe kurrë nuk do të ishte e lehtë për ta. Kurrë derisa ky regjim të vazhdonte. Dhe ndodhi që në fund u dorëzua ai…