Nurie Emrullai: Në perëndim të shpresës

ty poezi nga nurie emrullai

E afroj gishtin drejt syrit
për të parë vijën e re mbirë në lëkurë.
‒ një mijë edhe një perëndime,
e hëna e pesëdhjetë e katërt e jetës sime.
Sa shumë shi mban lëkura ime
sa shumë fjalë notojnë nëpër trup.
Ajër gjithmonë i rënduar.
Nuk pastrohem dot ‒ është gjaku im.
Nuk rrëfehem dot ‒ janë fjalët e mia.

Afroj gishtin edhe më afër.
Para syrit ‒ si para diellit.
Dhe arrij të depërtoj në lëkurën time:
Sa paskam duruar!
Sa paska prekur kjo dorë dhe ka njohur!
Sa qenkam lutur dhe kam harruar!
Sa shpesh u zgjat në përqafim, u mohua.
Sa herë u mbërthye pas mënge, e u shty:
‒ Ik tutje ti shejtane e dreqit! Mos u ngopsh kurrë!

Braktisjet kanë peshën e vdekjes.
Dhe dora ime futet në xhepin e tij të vogël…
Nëpër krahërorin që nuk i mjafton një dorë.

Më falni, por humba rrugën e poezisë
siç humbet syri nëpër lëkurë të dorës,
siç tretet dora nëpër rrudhat e lëkurës.

Zot, sa peshon plakja, por jo sa koha!
Jam gungaçe se mbaj pesëqind qese gjaku mbi shpinë,
gjak që zemra i pulsoi për të,
por ai nuk e dëgjoi kurrë.
Nuk më pa kurrë
sepse s’kishte kohë as të jetonte.

Ja, përsëri më iku poezia.
Dhe midis mendimit futet ai
që përçmon të jetë këtu.

Që do të më kapte për fytyre
e do më bërtiste:
“Dreqi ta hajë,
boll shkruajte për mua,
boll u more me mua
ti duhet të jetosh!
ti duhet të jetosh!”

“Unë duhet të të dua.
Kaq e thjeshtë është bota.
Unë të dua.”

“Ti duhet të jetosh…”

Tani s’ka më poezi…
Sepse ai nuk është me mua,
sepse ai vjen dhe ik dhe
ma rrënon jetën përsëri nga fillimi prapë…

ObserverKult


Lexo edhe:

NURIE EMRULLAI: ATIJ QË ERDHI