“Nusja e shitur”, opera e tretë e vënë në skenën shqiptare

Opera “Nusja e shitur” erdhi premierë në skenë në vitin 1956. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shkruan se 65 vite më parë, më datë 19 maj 1956, trupa artistike shfaqi premierën e operës “Nusja e shitur”. “Kjo ishte opera e tretë e vënë në skenën shqiptare”, shkruan teatri, që ka publikuar dhe foto nga opera e vitit 1956.

TKOB shprehet se vepra është e kompozitorit Bedrich Smetana, dirigjent Mustafa Krantja, regjisor Milada Jeraskova, piktor Hysen Devolli, mjeshtër kori Kostandin Trako, koreograf Bohumil Çegan, ndërsa ka publikuar dhe emrat e artistëve në role. “Krushina: Mihal Ciko, Hysen Kurti; Ljudmilla: Gjyzepina Kosturi, Gjenovefa Heba; Marzhenka: Marie Kraja, Ksanthipi Mullisi; Miha: Mentor Xhemali, Koço Timko; Hata: Tefta Çavo, Melpomeni Nelaj; Vasheku: Kristaq Paspali, Zeqir Agolli; Jeniku: Zihni Berati, Maliq Herri; Kecali: Hysen Pelinku; drejtor i cirkut: Dhimitër Jani, Petro Toroveci; Esmeralda: Andromaqi Haderi, Myrvete Kallajxhi; indiani: Haxhi Tafaj.

Solistë baleti ishin Gëzim Kaceli, Mihallaq Stoja, Flora Kodra, Vera Mesiti”, shkruan TKOB në faqen Facebook. Më herët në datë 18 maj, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shkruante se shkëlqeu në rol artistja Maria Kraja. “Shkëlqen në veçanti Maria Kraja në rolin e Marzhenkës, si për mjeshtrinë e zërit të saj të kulluar dhe plot sentiment, ashtu dhe për interpretimin e rolit që i është besuar, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

Kujtojmë sot në prag të përvjetorit të operës “Nusja e shitur” të kompozitorit çek Bedrich Smetana, artikujt dhe vlerësimet e kohës, për Maria Krajën, mjeshtren e vokalit operistik shqiptar, pas interpretimit të rolit kryesor në këtë vepër”, shkruante teatri. Maria Kraja (Zarë, 24 shtator 1911 – Tiranë, 21 nëntor 1999) ka qenë arsimtare dhe këngëtare lirike shqiptare. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Maria Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj..

LEXO EDHE: Nga opera në Spaç, historia e sopranos që ndoqi vëllezërit nëpër burgje