“O Kadri Hazbiu ç’më bëre, ti je Judë”

kadri hazbiu

“O Kadri Hazbiu ç’më bëre, ti je Judë”, kjo replikë e gruas së kryeministrit me ish-ministrin, është marrë nga dokumentat arkivore të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut në 1983, të cilat janë botuar nga DITA.

Personazhet që replikojnë janë Kadri Hazbiu (i dënuar me vdekje në fund të gjyqit) dhe Fiqret Shehu gruaja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

Kadriu: A janë të vërteta ato shpjegime që ke dhënë në proces për sa i përket vajtjes sime më 17 dhjetor të vitit 1981 në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu? A janë të vërteta?
Fiqreti:- I thashë edhe këtu, janë të vërteta.
Kadriu:- Aa, janë të vërteta! Në vijim të kësaj desha të bëj një pyetje: Nga ç’portë erdha unë?

Fiqreti:- Nuk e di se nga ç’portë erdhi…
Kadriu:- Nuk e patë nga ç’portë erdha unë?. Se korridori…, tani kupton, është kryqëzimi i dy dyerve. Nga ç’portë erdha?
Fiqreti:- Nga ç’portë hyri!?. Ku e di unë!. Shtëpia jonë kishte dy hyrje. Ishte hyrja kryesore, ishte hyrja…..

Kadriu:- Më falni, edhe një herë insistoj në këtë që ju të shpjegoheni se nga ç’portë erdha? Sa porta ka shtëpia juaj për të hyrë!? Nga ç’portë erdha unë. Të lutem shumë, e shpjegoni këtë?
Ndërhyn trupi gjykues:- E ke të qartë nga hyri?
Fiqreti:- Jo nuk e kam…

Kadriu: (vazhdon me ato që ka deklaruar gruaja e Mehmet Shehut në procesverbalin e marrjes në pyetje): – A kishte urrejtje Mehmet Shehu atë natë siç thoni në procesverbal ju… Qëndroni në këtë?
Fiqreti:- Po.

Kadriu:- Kishte urrejtje? Thoshte ‘A Kadri ç’më bëre!”?. E konsideroni ju urrejtje ndaj meje këtë?
Fiqreti:- Unë kam thënë…
Kadriu:- Po, ose jo, nuk më duhen mua hollësira.
Fiqreti:- Ka thënë o Kadri Hazbiu, si Judë u solle ndaj meje!

Kadriu:- Domethënë, ai kishte një urrejtje ndaj meje në këtë….

Fiqreti:- Mehmet Shehu ishte i mërzitur ndaj qëndrimit tënd me dy faqe.. Nga një anë sulmoje Mehmet Shehun, nga ana tjetër i solle përgjigjen e agjenturës sovjetike natën e 17-ës. Qe një qëndrim i dyfishtë.

Kadriu:- Mu përgjigj pyetjes sime!
Fiqreti:- Ja, përgjigja është kjo…
Kadriu:- Mu përgjigj pyetjes sime. Ishte kjo e Mehmet Shehut, urrejtje kjo ndaj meje?

Fiqreti:- Kjo ishte punë agjenturore, qe kurdisur dhe qe caktuar vija e sjelljes. Po kishte momente që për çështje personale, si njëri, dhe tjetri, kush të ishte i pari. Në këtë rast, goditej Mehmet Shehu direkt nga Kadri Hazbiu. Prandaj ai thoshte: ‘O Kadri Hazbiu ç’më bëre, ti je Judë!

Kadriu:- I nderuar trupi gjykues! Unë e kam shumë të qartë dhe s’dua shumë fjalë. Si rrjedhim i këtij qëndrimi në Mehmet Shehut, tek kjo (tregon me gisht gruan e Mehmet Shehut) u krijua një urrejtje ndaj meje? Po, ose jo!

Fiqreti: Dale ti mos e ngri zërin për të na frikësuar, se nuk frikësohemi kollaj.

Kadriu:- Jo, moj.. Je trimëreshë ti këtu!?

Kryetari:- Më tutje, ke tjetër Kadri?

Kadriu:- Pllakë gramafoni e kurdisur…/gazetadita.al

Kadri Hazbiu dhe Enver Hoxha

ObserverKult

Lexo edhe:

URDHRI I KADRI HAZBIUT: GENC LEKËN E VILSON BLLOSHMIN PUSHKATOJINI NË VENDIN E CAKTUAR…