“O politikanë, lërini rehat filmat ‘e diktaturës’, merruni me ndonjë aventurë tjetër…”

Partia Demokratike në Shqipëri nëpërmjet një projektligji, ende në proces, kërkon “të vendos një gurthemel në ndërtimin e shtetit të së drejtës”.

Projektligji “Për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar”, synon të ndalojë çdo mjet komunikimi, qoftë vepra krijuese intelektuale, të krijuar gjatë diktaturës, me arsyetimin se në atë kohë i ka shërbyer propagandës komuniste.

Ky projektligj është propozuar ditë më parë dhe ai vazhdon të shkaktojë jo pak debate. Ka të tillë që janë pro ndalimit të këtyre filmave, por janë shumë që thojnë se këta nuk duhet të ndalohen se emetuari.
  
Ndër të fundit që reaguan lidhur me këtë gjë janë regjisori, Saimir Kumbaro, që e konsideron heqjen e filmave të prodhuar gjatë diktaturës si “akt esktrem”, ndërsa studiuesi Çelo Hoxha e sheh pastrimin si të domosdoshëm.

Kumbaro: Le t’i bllokojnë, por nuk ka sens, nuk ka logjikë…

“Deputetët tanë ‘të nderuar’, që janë me shumicë, e që ‘dinë shumë’, kanë marrë përsipër të ngrenë dorën që të t’i bllokojnë këta filma. Le t’i bllokojnë, por nuk ka sens, nuk ka logjikë që t’i bllokosh filmat.

Ai që do ta shikojë, e çon stacionin, nëse nuk i pëlqen shikon filma amerikanë. Njësoj për atë që lexon një roman, ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’, apo që e shikon dhe film, po si pëlqeu ndryshon stacion. E njëjta gjë edhe me piktorët, janë emra si Namik Prizreni, Sali Shijaku, janë me dhjetëra autorët që nuk ke të drejtë tua bllokosh krijimtarinë”, tha regjisori Saimir Kumbaro.  

Në projektligj, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është menduar si autoriteti qendror, që do të merret me zbatimin e tij.

Vetëm prodhime filmike, të realizuara nga viti 1945 në vitin 1990, rezultojnë 4024, çka do të donte një numër ekspertësh të konsiderueshëm, që do të përbënin grupet e punës që parashikohen të ngrihen në rast miratimi.

“Këto grupet e punës më duken si iftaret e dikurshme. Por nuk arsye pse t’i ndalojnë! Arsyeja që japin është absurde. A nëse flasim për filma dokumentar që i bëjnë fresk komandatit Hoxha, partisë etj, dakord. “, thotë Kumbaro.

“Më vjen keq që të përdoret ky ‘ndalim i filmave’, sepse do binim në një censurë krejt tjetër. Nga ajo ish-komunistja, në një neo komunizëm të ri”, shprehet Kumbaro.

Saimir Kumbaro tregoi edhe sa “paguheshin” për filmat e bërë në atë kohë, pasi që shumë pohojnë se aktorët e regjisorët e saj kohe kanë “marrë para të majme”.

“Sa mirë do ishte të ishim paguar. E vetmja pagesë e jona ka qenë që vinte një farë Bajrami, që shfaqte filmat në bllok dhe ne me zemër në dorë i thonim: Hë ç’tha komandanti Enver Hoxha. Kur thoshte se kish qeshur, ne qetësoheshim! Filmat i kemi bërë pa shpërblim, por me pasion!”, shprehet regjisori.

Hoxha: Ndalimi i këtyre filmave është “pastrim i mjedisit”

Në anën tjetër drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, pohoi se ndalimi i këtyre filmave është “pastrim i mjedisit”.

“Ato që konsiderohen vepra të realizmit socialist janë në tërësinë e tyre vepra propagandistike. Institucionet që i kanë bërë, kanë qenë të gjitha të financuara në shërbim të diktaturës”, thotë studiuesi Çelo Hoxha.

Sipas tij, historia nuk fshihet, “por ajo ka qenë një industri që përdoret në dëm të shoqërisë shqiptare”.

“E ka përdorur vetë shoqëria shqiptare për të shkatërruar veten e vet!”.

Hoxha foli për mënyrën e pastrimit të artit e kulturës nga veprat me porosi dhe lë të hapur edhe të tjera alternativa.

“Mund të bëhen edhe me shpjegim me pulla etj. Por për mua në mënyrë kategorike ato duhet të trajtohen njësoj si veprat propagandistike të regjimit komunist. Të merret përvoja gjermane çfarë u bë me to. A jepen më në televizor të pakontrolluara ato mashtrime?! Por, ka edhe disa gjëra  që është gjynah që po jepen, kur luftojnë italianët me llastiqe. Tregon se ç’lloj vulgariteti ka qenë niveli i krijimtarisë”, u shpreh Çelo.

“Kush janë këta, që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë, që nuk i njeh kurrkush…”

Ditë më parë për këtë çështje reaguan edhe kineastë e aktorë tjerë të njohur.

Kineasti Mevlan Shanaj, e konsideron të gabuar vendosjen e drejtësisë për krimet e diktaturës, duke censuruar artin e realizuar në atë kohë.

“Më thanë që Alibeaj paska propozuar në Kuvend ndalimin e filmave të para 90! Nëse është kështu… si themelues i PD, ndiej trishtim të konstatoj këtë kërkesë absurde nga PD. Ju them këtyre PD-istëve, se këtë ide, mes shqiptarëve nuk e përkrahin as 3 % e popullatës…”

Ai tha se tentimi eventual për ndalimin e këtyre filmave mund të ndikojë që të shtohet shikueshmëria si për çdo gjë të ndaluar!

“Shoqëri e çuditshme, kaq shumë të dashuruar këta politikanë me censurën në art! Koha e ka bërë shkëlqyeshëm përzgjedhjen dhe seleksionimin. Merruni me ndonjë aventurë tjetër!

Populli di vetë çfarë zgjedhë, nuk mund t’i imponohet asnjë instrument politik”, shtoi Shanaj.

I ashpër në reagim ishte edhe aktori tjetër Luftar Paja. Ai thotë se “këta që nuk duan kinematografinë,  janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia ka etapat e veta, që nuk mund të zhbëhen”.

“Këta thonë, të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, çfarë do të bëhet? Prite kur të dalin ndonjë ditë, këta myteberë, që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se, pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare”.

“Por, le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta, që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë, që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë. Unë, Luftar Paja, u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do të bashkohem me ju, t’i ndalojmë filmat që doni ju”, pohoi Luftar Paja.

Çka përmban projektligji?

Partia Demokratike përmes një projektligji ende në proces, kërkon të vendos një gurëthemel në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Projektligji “Për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar”, synon të ndalojë, çdo mjet komunikimi, qoftë vepra krijuese intelektuale, që do të gjykohet sot, se në atë kohë i ka shërbyer propagandës komuniste.

Imazhe, monumente, lapidare, emërtime, vepra të muzikës, baletit, artit pamor e më gjerë, çdo gjë që do të gjykohet se ka përcjellë informacion të pavërtetë dhe në shërbim të diktaturës, është pjesë e listës. Madje, shkohet më tej, duke e lënë të hapur mundësinë për marrjen e masave të tjera ligjore në emër të drejtësisë.

Neni 9 i këtij projektligji ndalon dhe heq nga qarkullimi çdo vepër me përmbajtje me propagandë të hartuar para ligjit, dhe nuk lejon prodhimin e mëtejshëm të tyre. Me veprat audiovizuale ndodh po njësoj, ndalohet transmetimi, përmbledhja e përdorimi i tyre.

Krijimet nuk ndalohen vetëm kur ato i shërbejnë edukimit për krimet komuniste, mbahen në muze, ekspozohen, përdoren në kontekst ndërgjegjësues në tekstet akademike, leksione etj. Penalizmi në rast shkeljeje të këtyre kufizimeve shkon nga 100 deri në 200 mijë lekë.

Grupi i punës që ka punuar për paketën e dekomunistizimit përbëhet nga Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, sekretarja e PD-së për të Përndjekurit Politikë, Jonila Godole, Drejtorja e Fondacionit për Liri dhe Demokraci pranë PD-së Enriketa Papa si dhe Këshilltari Ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së, Marash Logu.

Për zbatimin e këtij projektligji, siç citohet në relacionin shoqërues të firmosur nga 18 deputetë, mes të cilëve edhe ish lideri i PD-së Lulëzim Basha, nuk do të krijohen organe të tjera shtetërore.

Autoriteti Qendror, sipas tyre që do të merret me zbatimin e tij, do të jetë Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndonëse në grupin hartues nuk ka pasur asnjë anëtar të kësaj strukture.

E përgatit: V. K.- ObserverKult


Lexo edhe:

TIMO FLLOKO: I KËRKOJMË FALJE PUBLIKUT PËR ‘KRIMET’ TONA NË FILMAT GJATË PERIUDHËS SË KOMUNIZMIT

ObserverKult