Objektet e zbuluara në ujërat detare pranë Durrësit së shpejti do të vendosen së bashku në Muzeun Arkeologjik, i cili kohët e fundit ka marrë statusin e Muzeut Kombëtar.
Lajmin e ka bërë të ditur për ATSH-në, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Alban Ramohito, sipas të cilit tashmë grupet e specialistëve pranë Ministrisë së Kulturës po punojnë për hartimin e platformave shkencore, ku do të mbështetet ngritja e Pavijoneve të Mesjetës dhe të Arkeologjisë Nënujore përkatësisht në katin e dytë dhe të tretë të godinës së Muzeut të Durrësit.
Sipas Ramohitos, një pjesë e madhe e relikteve të mjeteve lundruese me moshë deri 2500-vjeçare janë zbuluar nga arkeologët nënujorë në gjirin e Durrësit.
Përfundimet studimore dëshmojnë se anijet antike me mallra janë mbytur kryesisht gjatë lundrimit në hyrje apo dalje nga skela dhe limani i Durrësit në antikitet dhe në mesjetë, për shkak të motit të keq apo të pengesave nënujore të panjohura. Aktualisht në Muzeun e përuruar në vitin 2001 funksionon vetëm pavijoni i antikitetit me rreth 2,700 objekte të zbuluara në Durrës dhe në rrethinat e tij.
Drejtori Ramohito tha gjithashtu, se Muzeu do të jetë pjesa më e rëndësishme e Qendrës Muzeore Durrës, që siç e përcakton Ligji nr 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe Muzetë” është institucion me status “muze kombëtar”, në varësi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, me seli në qytetin e Durrësit, e cila administron Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Parkun Arkeologjik Durrës, kufijtë e të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”./atsh