Veç gruas franceze, Odette-ës, Niko Lezo solli nga Tuluza edhe shumë njohuri, që nisi t’i vinte menjëherë në jetë. Ai ngriti laboratorin e parë kimik në vend. Centralin e parë elektrik të Tiranës. U angazhua në politikë dhe u dënua si antifashist. Por regjimi komunist, mbuloi me hije të gjitha arritjet e tij profesionale, duke vendosur ta pushkatonte më 26 shkurt 1951
Pas pushkatimit të 21 burrave dhe Sabiha Kasimatit, mesnatën e 26 shkurtit, familjet e tyre. Të ndara grupe-grupe, u dërguan në vendet e internimit që ishin caktuar për ta.
Në një nga këto grupe që zbarkoi në Lushnjë, ndodhej edhe një grua franceze. Megjithëse jetonte prej gati 30 vitesh në Shqipëri, ndoshta ende në të folurën apo stilin e saj, dallohej diçka e huaj që i ka tërhequr vëmendjen një prej fëmijëve të atij grupi, Seitit, i ati i të cilit, Reiz Selfo, ishte pushkatuar me bashkëshortin e saj, Niko Lezon.
Seiti e përmend në librin e Uran Butkës “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, kur tregon se bashkë me ta. Në ditët e para kur sorrollateshin rrugëve të Lushnjës, para se t’i çonin në një haur, në lagjen “Stan”, ishte dhe “një zonjë franceze, Odette Lezo me qenin e saj, Scleme”.
Odette ishte vajza me të cilën ishte dashuruar dhe martuar Niko Lezo në fillim të viteve ’20, në Tuluzë. Ku ai kryente studimet për inxhinieri kimike dhe të cilën më pas e kishte sjellë në Tiranë.
Fëmija i parë, vajzë, u kishte lindur në Francë
Fëmija i parë, vajzë, u kishte lindur në Francë, ndërsa në Tiranë u bënë prindër edhe të një djali, Vankos. Vajza më pas ishte martuar me një italian dhe bashkë me origjinën e Nikos, i cili ishte minoritar grek, i bënin të shumta fijet që e bashkonin këtë familje me botën imperialiste. Nëse goditej Niko Lezo, që ishte në qendër të tyre, atëherë e gjithë rrjeta. Ajo që ekzistonte veç në mendjet e udhëheqësve komunistë, zhbëhej. Dhe kështu u bë.
Më 23 shkurt 1951, ish-deputeti i Delvinës dhe antifashisti i internuar nga pushtuesit italianë, arrestohet dhe dënohet me pushkatim nga qeveria e shtetit të tij.
Ai u arrestua pas shpërthimit të bombës në Ambasadën Sovjetike. Por akuzat nuk kishin të bënin fare me bombën. U akuzua, siç shkruan Uran Butka në librin e tij “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, si shtresë e pasur. Si deputet i Delvinës në kohën e Nolit, si i dyshimtë për marrëdhëniet e tij me misionet anglo-franko-greko-italiane.
Por edhe sepse gruaja e tij franceze një ditë ishte parë në plazhin e Durrësit, sigurisht “për t’u lidhur me misionet e huaja”. Dhe se ai vetë kishte lidhje me elementë reaksionarë që ndodheshin të burgosur si Skënder Cilka, Petro Marko, Lame Kareco etj.
U dënua “për pjesëmarrje në organizatë terroriste
U dënua “për pjesëmarrje në organizatë terroriste, për hyrje në shërbim të spiunazhit imperialist, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për nxitje për luftë”. Ai i mohoi akuzat për terrorizem dhe lidhjet me të huajt, veç atyre familjare. Apo vizitave që shokët e dhëndrit i bënë në shtëpi me rastin e fejesës së vajzës.
Sa për të tjerat, nëse ato do të ishin arsye për ta dënuar me pushkatim. Atëherë nuk kishte asnjë mundësi për t’u mbrojtur. Dhe nuk mund të mbrohej.
Bashkë me 21 persona të tjerë, u çua drej vendit të pushkatimit edhe pse. Si edhe të tjerët, nuk kishte bërë asgjë për të marrë atë dënim. Dhe pse vetëm 60 vjeç, ishte një ndër më të moshuarit e këtij grupi që u dënua me pushkatim.
Nëse sot përmendim emrin e Niko Lezos, kujtesës kolektive mund të mos i thotë asgjë edhe pse gjatë 30 viteve që jetoi në Shqipëri. Pas kthimit nga Franca, ai u bë nismëtar i disa veprave, të cilat më parë nuk ekzistonin në Shqipëri.
Ai themeloi laboratorin e parë kimik në vend dhe në vitin 1923
Ai themeloi laboratorin e parë kimik në vend dhe në vitin 1923 u dekretua nga Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar, drejtor i këtij laboratori. Punoi për vite me radhë në këtë laborator. Me ndërprerjen e viteve të internimit gjatë pushtimit fashist. Madje edhe pas luftës, kur laboratori kaloi nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Niko arriti të bëhej edhe kryetar i Degës së Studimeve në Ministrinë e Industrisë.
Gjithashtu, siç shkruan i biri në kujtimet e tij, Niko Lezo ka ngritur edhe centralin e parë elektrik në Tiranë. Jo vetëm kaq. Nga Franca, Niko nuk kishte sjellë vetëm njohuritë si inxhinier kimist, por edhe mënyrën e të jetuarit.
Emri i tij përmendet në një artikull të gazetës Minerva, të vitit 1932, me autor Nebil Çikën. Si njeriu që ngriti kabinën e parë të pushimit në plazhin e Shkëmbit të Kavajës. Që do të kthehej më pas në një nga plazhet më të njohur në vend.
Mbështetëse të fortë kishte sigurisht Odette-ën
Në kujtimet e tij, i biri Vanko Lezo, përmend edhe angazhime të tjera të të atit, në disa drejtime. Në atë shoqëror, për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek të cilit i përkiste. Por dhe në atë industrial, pasi Nikoja ngriti në oborrin e shtëpisë së tij një impiant të prodhimit të gazit sulfuror, që përdorej për frigoriferët.
Mbështetëse të fortë kishte sigurisht Odette-ën që shkurtin e vitit 1951 do të mbetej vetëm, pa bashkëshortin. Në një vend që, edhe pse kishin kaluar 30 vite, nuk mund të quhej i saji. Aq më pak rrethinat e Lushnjës, që me siguri i shihte për herë të parë dhe ku duhet të jetonte në një haur.
U internua edhe i biri, Vankoja. Nuk u lejuan të merrnin asgjë me vete, por ja që Odette kishte mundur të merrte të paktën qenin e shtëpisë. Një mik, dashuria e të cilit do e ndihmonte më shumë sesa kurrë, në një kohë kur të gjithë i largoheshin familjes së armikut.
Megjithëse tani është zbuluar e vërteta, përsëri pak dihet për njerëzit që u pushkatuan mesnatën e 26 shkurtit. Pak mund ta dinë që pas laboratorit të parë kimik dhe centralit të parë elektrik në Tiranë, qëndron Niko Lezo. Ky njeri që në Tiranë mund t’ia lexojmë emrin, vetëm te varri i përbashkët i viktimave të 26 shkurtit te Varrezat e Dëshmorëve. Dhe në pllakën përkujtimore në ndërtesën e ish-Legatës së Bashkimit Sovjetik, sot Ministria e Arsimit./kujto.al
Lexo edhe:
E TMERRSHME: JA ÇKA E DETYRUAN KOMUNISTËT TË BËNTE BABAI ME DJALIN E TIJ QË KISHTE NDËRRUAR JETË
ObserverKult