Odise Plaku: Nuk dua të jetoj i vetëm…

odise plaku nevojë
Odise Plaku

Nga Odise Plaku


Jo pak herë e qortoj veten në padurimin tim për të ndarë me ju copëza të jetës time krijuese, por jo vetëm.

Jo pak herë i them vetes “Sot është dita e fundit që do të publikoj!”.

Por krimbi nuk më lë dhe përsëri vazhdoj.

Përse?

Jetojmë në një kohë të vështirë ku grija na ka veshur edhe gjumin, edhe ëndrrën, edhe shpresën.

Çelim sytë dhe dëgjojmë për vrasje të reja, rrëmbime, përdhunime, vënie tritoli dhe shpirti nxihet.

Ecën rrugës dhe shikon njerëz që nxitojnë dhe duken indiferentë në pamje të parë, por në çast dialogu shprehet shqetësimi për familjen, prindin, fëmijën.

E, në këtë vorbullën e jetës gri a zi duhet pak shpresë, duhet pak energji për të mos rënë përfundimisht në humnerën e dëshpërimit, të trishtimit, të depresionit. Për të mësuar diçka të re e të bukur për mikun, shokun, shoqen, për të gjithë ne.

Ndaj shkruaj për dashurinë, jo se dashuria më mungon apo jam në kërkim të saj, ndaj shkruaj për nënën, vajzën, djalin, bashkëshorten.

Shkruaj për miqtë e mi, që do të doja t’i kisha në një natë të madhe dhe pa fund të pinim kupa të miqësisë dhe mirësisë.

Shkruaj për vellon e bardhë të nuses dhe shaminë e djegur të beqarit. Për zanën e shtojzovallen që gjumin prishin. Për ëndrrat e bukura që duhet të trokasin në dritaren e çdo njeriu bashkë me rrezen e diellit.

Shkruaj, sepse dua që jetën ta kemi të veshur me ngjyrat e ylberit dhe sytë të kenë vështrim të qartë. Shkruaj, sepse dua që buzëqeshjen ta kemi në fytyrën tonë, jo maskën e klounit.

Shkruaj jo se dua famën a përkëdheljet në sedrën time.

Shkruaj, sepse e dua jetën me të gjithë miqtë e mi.

Nuk dua të jetoj i vetëm.

*Titullii origjinal i shkrimit: “KORREKTIM

ObserverKult

Lexo edhe:

ODISE PLAKU: MË PUTH, ZEMËR, MË PUTH PËR TË FUNDIT HERË…