Ofendoi aktorët e Kinostudios, Arben Derhemi “shpërthen” ndaj Ermal Mamaqit

Aktori Ermal Mamaqi ditëve të fundit ka folur për filmat e tij dhe sukseset që ka arritur ani pse ai ka ritheksuar se filmat e tij janë sulmuar, goditur nga disa mjeshtra të kinemasë që fatkeqësisht pinin raki te Akademia e Arteve.

Edhe përkundër kësaj, ai tha se filmat e tij arritën mjaft suksese dhe më e rëndësishmja u pëlqyen nga publiku.

Por së fundmi lidhur me këto deklarata ka reaguar aktori i famshëm Arben Derhemi, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“U ulën malet, u ngritën halet”, shkruan Arben Derhemi për aktorin e humorit, i cili pasi u largua nga “Portokallia” dhe u bë autor i emisionit të tij “6 ditë pa Ermalit, u kthye në producent filmash dhe bën trajnime se si të bëhesh i suksesshëm.

Derhemi ka kujtuar kohët kur aktorët e kohës së mëhershme bënin tamam art dhe madje në kushte shumë të vështira.

“Sa me dhimbje lexojmë që pseudo humoristët bëhen “producentë filmash” dhe akoma më me dhimbje i dëgjojmë që ofendojnë figura që me aq sakrifica e punë, ja kanë dalë të bëjnë art në kohët më të vështira. Jo duke u zvarritur si larva dhe duke lëpirë e bërë lolo të çdo lloj pushteti e pasunari”, shkruan ai.

Gjithashtu Derhemi ka përmendur edhe faktin se qysh në Shqipëri nga show-e dhe emisione dalin ‘aktorë’ pa qenë fare aktorë dhe realizojnë filma.

“Fatkeqësia e ndjek edhe televizionin edhe filmin. Jo më larg se para ca kohësh, patëm një event të çuditshëm d.m.th, u shkulë e gjithë Shqipëria! S’e merr vesh njeri. Bën film një njeri i cili nuk ka lidhje fare me teatrin, me regjinë, me aktrimin. Bën film dhe ti vetëm kur dëgjon nga dikush: Ore, sa bukur, e ke parë atë filmin?”, shkruan Derhemi.

ObserverKult


Lexo edhe:

ERMAL MAMAQI: FILMAT E MI JANË GODITUR NGA MJESHTRAT QË PININ RAKI TE AKADEMIA E ARTEVE