
Projekti me titull “Arti dhe kreativiteti publik si pasuri e përbashkët”,me fokus në promovimin e artit dhe kreativitetit si pasuri e përbashkët është realizuar me sukses nga OJQ Gurmania, me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Projekti është zhvilluar përgjatë disa muajve në komunën e Istogut dhe ka përfshirë një sërë aktivitetesh dedikuar artit figurativ, muzikës dhe skulpturës, duke përfshirë të rinj dhe artistë vendas.
Aktivitetet e projektit kanë synuar të nxisin diskutimin dhe ndërgjegjësimin mbi rolin e artit dhe kreativitetit në jetën shoqërore, përmes takimeve, seminareve dhe ligjëratave të mbajtura nga profesionistë të fushës.
Në kuadër të projektit, janë organizuar takime me të rinj, studentë dhe artistë të Istogut, si dhe seminare mbi ndikimin e artit dhe muzikës në komunitet, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë dhe të ndajnë përvojat e tyre.
Në këtë projekt morën pjesë rreth 25 persona, kryesisht të rinj të moshave nga 18 deri 41 vjeç, të cilët, sipas organizatorëve, për herë të parë patën mundësinë të jenë pjesë e një aktiviteti të tillë kulturor e edukues në qytetin e tyre.
OJQ Gurmania ka bërë të ditur se projekti ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e vetëdijes për rëndësinë e artit dhe kreativitetit në shoqëri, si dhe ka hapur mundësi për bashkëpunime të reja mes artistëve dhe komunitetit lokal.
“Ne kemi parë një interes të madh nga të rinjtë për të qenë pjesë e aktiviteteve të tilla, që deri më tani kanë munguar në Istog. Shpresojmë që projekte të tilla të vazhdojnë të mbështeten në të ardhmen”, është thënë ndër të tjera në përmbyllje të projektit.
Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
ObserverKult





