Omer Kaleshi, mjeshtri i vetmisë

Në vend të in memoriamit

Nga: Bajram Sefaj

“…Duket sikurse ai (Kaleshi) ecën si i verbër midis rekuizitës shekullore të përfytyruar prej poetëve e piktorëve, që nga Geothe e Byron te Delacroix, me një padurim për të mbërritur në themelin e gjërave, atje ku është  baza, shtresa tektonike që nuk lëviz…”

Në qoftë se nga teksti (frëngjisht e turqisht) i librit monografik të artit “Omer Kaleshi”, që për autor ka autorin e njohur shqiptar, Ismail Kadare, nuk mësohet edhe aq shumë mbi mjeshtërinë artistike të këtij piktori  me prejardhje shqiptare, kur “emrit të tij turk Omer, i mungon vetëm H-ja, për t’u bërë i njëjtë me emrin e poetit të madhe grek, atëherë, lirisht mund të thuhet se, mbi jetën e tij mëson gjëra fantastike. “Një zjarr i rënë në hambarët dhe stallën ngjitur me shtëpinë e tij, kujtim shqetësues i fëmijërisë, i ka lënë mbresë të thellë. Ishte një zjarr kriminal, i vënë për arsye urrejtje dhe hakmarrjeje, ndaj i është dukur dhe më i tmerrshëm. Dele dhe buaj digjeshin. Më vonë, kur urrejtja të bëhej edhe më e fortë, do të digjeshin njerëz”, thotë ndër të tjera Kadare, kurse piktori Omer, i qetë e zë-paktë, shton: “ Ka vjet që punoj në këtë dramë”, për të ardhur deri “…në atë të bardhë, të ftohtë anash, atë dëborë, atë brymë frigoriferike, ato na kujtuan morgun e madh të Prishtinës, ku hetuesit e TPI-së plotësojnë dosjet e tyre, në vitin e  egër 1999”. (Kadare).

Omer Kaleshi, piktor turk, me origjinë shqiptare, ka vjet mbase decenie, që jeton e krijon në Paris, ku, pos veprës kolosale artistike, krijon edhe vetminë, madje më të madhe dhe më të qetë se Ludvig van Bethoven-it të shurdhër. Kaleshi, përnjëmend, është mjeshtër i vetmisë. Me këtë pohim pajtohet  gjithsecili që ka pasur rastin ta vizitojë atelienë  e tij dhe të rrijë e të bisedojë me të. Ndonëse ka në tokën e shqetësuar të gadishullit më aventurier të Evropës, Omer Kaleshi është njeri i shquar për butësi dhe tolerancë por, le të lexojmë bashkë një pjesë të tekstit të kapitullit të pestë të librit ku Kadare, me mjeshtërinë dhe zhdërvjelltësinë e tij tashmë të njohur dhe të pranuar nga të gjithë, hedh dritën më të fortë në një pjesë të mirë të rrugës jetësore të këtij piktori të mirënjohur.

Katundi Serbicë në Maqedoni është një ndër më të largëtit e më të paarritshmit për udhëtarin. Omeri i vogël, që kishte lindur në këtë humbëtirë, shumë herët e kuptoi përse gjyshi i tij, i ardhur nga malet veriore të Shqipërisë, kishte zgjedhur për vendvendosje në këtë skutë të mënjanuar. Një rënie në gjak e kishte detyruar. Qysh në atë kohë emri i Shqipërisë, malet me mjegull  të së cilës dalloheshin nga rrafshulëta maqedonase, lidhej me një kërcënim… Ishte viti 1955. Një vit më pas, familja e tij, ashtu si mijëra familje të tjera, u mërgua në Turqi. Ishte koha e egër e terrorit të serbomadhit Rankoviq. Jugosllavia dëbonte nga trualli i vet një pjesë të kombësive josllave. Shenjat e para të spastrimit etnik  dukeshin në horizont… Në Ankara, Omeri punoi si elektricist. Ëndrra e tij për të shkuar  në Stamboll, në Akademinë e Arteve të Bukura, u krye më në fund! Më 1962, bashkë me dy studentë të tjerë, vendosën “të shikojnë botën”. E fillon nga Turqia. Për pesë muaj i bien  anekënd me autostop gjithë vendit. Shikojnë katunde, qytete,  pazare, dervishë, barinj, karvanë, saraje, tyrbe otomane, uzina, varre bidonvile. Vizitojnë rrënojat e Trojës, Bergamon, Hefesin , gjithça. Pas këtij shtegtimi, vëllai i tij, Hasan Kaleshi, profesor në Hamburg e në Prishtinë të Kosovës, ku edhe vdiq, e ndihmoi të marrë vizë  për të dalë në botë. Më 1963 udhëton  nëpër Itali dhe Francë. Më 1964 në Vjenë, Gjermani, Angli e Holandë. Më pas viziton Madridin e Toledon. Muzetë dhe galeritë janë magjepsëse kudo, por atë e tërheq sidomos Parisi. Kthehet në Paris dhe punon si lyrës ndërtesash. Një aristokrat shqiptar, një zotni i madh i kulturës evropiane e otomane, Abedin Dino, e ndihmon, ashtu siç kishte ndihmuar dhjetëra bashkëkombës të tij, të merrte letrat. Ca kohë lan qelqet në Drugstoren e Champs Elyseese. Një ditë aty gjithashtu, ra zjarri…”.

                Mbase, duke pasur parasysh këtë biografi dramatike, ndjekur krejt me flakë e zjarr, edhe mund të kuptohet pse Omer Kaleshi, fill pas rinisë së tij të hershme, është ngujuar në kështjellën e vetmisë, për t’u bërë mjeshtër i saj. Ky piktor i vyer dhe i afirmuar, tash i shtyrë në moshë, me përjashtim të rasteve të rralla, kur në dyert e banesës atelie pret dikë, pjesën tjetër të jetës e bën midis figurave të tij, që, kryesisht, pra, janë barinj ose dervishë. “Këta njerëz, këto koka janë banorë  të Anadollit, po aq sa të luginave ballkanase, ata janë turq, shqiptarë, maqedonas, epirotë, hebrenj, trojanë, babilonas, pellazgë”, që edhe përbejnë plejadën e modeleve të tij më të shpeshta.                                                                                                                               (prill, 2002)


Lexo edhe:

“OMER KALESHI NUK ARRITI DOT TA PËRFUNDONTE AUTOPORTRETIN E TIJ”

ObserverKult