Nën koordinimin e Departamentit të Luftës Kundër Kontrabandës dhe Krimit të Organizuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe prokurorisë së qytetit Adana, u zhvillua një operacion kundër kontrabandimit të veprave historike.
Në Turqi për herë të parë në historinë e Republikës është ndërmarrë një operacion kundër “të ardhurave nga krimi” me kontrabandimin e artefakteve historike, ku dhe janë arrestuar 76 persona nga 92 të dyshuar për të cilët ishte lëshuar urdhër arrest.
Sipas informacioneve që ka marrë Anadolu Agency, mësohet se nën koordinimin e Departamentit të Luftës Kundër Kontrabandës dhe Krimit të Organizuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe prokurorisë së qytetit Adana, u zhvillua një operacion i emërtuar “Anadolu” kundër një rrjeti kriminal i cili u përcaktua se kryente kontrabandë ndërkombëtare të veprave historike.
Artefaktet historike të marrë nga gërmues, koleksionistë dhe mbledhës të paligjshëm në Turqi, u përcaktua se nxirreshin jashtë vendit me rrugë të paligjshme duke përdorur korrier nga organizata kriminale.
Departamenti i Luftës Kundër Kontrabandës dhe Krimit të Organizuar (KOM) filloi punimet rreth 2 vite më parë dhe zbuloi lidhjet brenda dhe jashtë vendit të anëtarëve të organizatës me kreun e rrjetit kriminal në fjalë.
Pas përcaktimit se organizata nëpërmjet korrierëve kontrabandonte artefaktet historike në SHBA dhe Evropë, u vendosën nën inspektim edhe katalogët e shtëpive të ankandeve në këto vende.
Nga inspektimi i kryer më pas edhe nga ekspertët e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës, u përcaktua se në sallat e 9 ankandeve në SHBA dhe Evropë ishin vendosur në katalogë për t’u shitur 52 vepra historike.
Nga shtëpitë e ankandeve në fjalë u përcaktua se në llogaritë e anëtarëve të organizatës ishin dërguar nëpërmjet këmbimit aktual valutë e huaj në vlerën e 26 milionë lirave turke (rreth 3 milionë dollarë) si kosto e shitjes së artefaktet historike. Gjithashtu u konstatua se disa shitje në shtëpitë e ankandeve janë realizuar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara mbi pronësinë.
Operacioni me qendër qytetin Adana
Pas përfundimit të punimeve, përcaktimit të identifikimit të personave të dyshuar dhe provimin e elementëve kriminal, ekipet kaluan në veprim me udhëzim të prokurorisë së qytetit Adana dhe nën koordinimin e departamentit KOM. Në këtë kuadër me qendër qytetin Adana filloi operacion i njëkohshëm në 30 qytete.
Në orët e para të mëngjesit ekipet ndërmorën një operacion në 108 adresa, prej të cilave 91 banesa dhe 17 biznese. Gjatë operacionit u arrestuan 76 persona nga 92 të dyshuar për të cilët ishte lëshuar urdhër arresti në mesin e të cilëve janë të përfshirë edhe 5 koleksionistë.
Mësohet se vazhdojnë kontrollet në adresat e përcaktuara më parë dhe se në kuadrin e operacionit janë konfiskuar një numër i madh i veprave historike.
Në kuadrin e punimeve ku theksohet se është operacioni i parë kundër kontrabandimit të artefakteve historike në historinë e Republikës ndaj “të ardhurave nga krimi”, mësohet se do të kërkohet edhe konfiskimi i të gjitha pasurive të 7 personave të dyshuar përfshirë edhe kreun e organizatës.
Ndër të tjera informohet se kreu i organizatës i cili u arrestua në një hotel në rajonin Silifke në qytetin Mersin ka 3 regjistra të aktivitetit kriminal për kontrabandimin e artefakteve historike.
Në anën tjetër gjatë hetimit që ka zgjatur rreth dy vite, janë konfiskuar 4.122 vepra historike në 4 operacione të ndërmjetme të ndryshme që janë zhvilluar në Turqi, Bullgari, Kroaci dhe Serbi.