Optimizmi është opium i llojit njerëzor

Milan Kundera

(Milan Kundera: “Shakaja”, Rilindja, Prishtinë, 1979)

Shkruan: Gentiana Softolli

“Shakaja”, është novela e parë e Milan Kunderës, të cilën e shkroi i inspiruar nga përvoja e tij personale, kur u përjashtua nga partia komuniste më 1950, nën akuzat se po organizonte aktivitete kundër partisë. Milan Kundera, me origjinë çeke dikur në Çekosllovaki konsiderohej si disident, ndërsa sot është një nga shkrimtarët më me ndikim në botë, duke arritur kështu që të kapë thelbin e kohës nëpërmjet pasqyrimit të saj në krijimet e tij.

Shakaja e Ludvikut

Një shaka e rëndomtë dhe e parëndësishme, është ajo e cila do të vendosë për fatin e jetës së studentit Ludvik Jahn. Ta mendosh se e gjithë jeta lëkundet e merr tërësisht kahje tjetër vetëm për një shaka të kotë është goxha e vështirë të besohet, mirëpo Ludvikun pasojat e kësaj shakaje do ta përcjellin edhe pas shumë vitesh. Romani në fjalë ndriçon vetëm 18 vjet të personazhit kryesor, duke i ndërlidhur këto vite me ngjarjet që ndodhin gjatë një vikendi pas kthimit të tij në vendlindje. Gërshetimi i këtyre dy periudhave, së bashku me pjesëmarrjen e disa personazheve të tjerë (më shumë në aspektin dytësor) e plotëson tablon rrëfyese në këtë roman.

Marrëzia e Marketës

Optimizmi është opium i llojit njerëzor. Mendja e shëndoshë kutërbon era budallallëk. Rroftë Trocki! Është fraza e cila i dërgohet në një kartolinë Marketës, një vajze të bukur por paksa të cekët, e cila duke e marrë shumë seriozisht secilën gjë, bën që t’i përmbysen ëndrrat Ludvikut. I dashuruar pas Marketës dhe pa menduar për pasojat, Ludviku nis një kartolinë me një mbishkrim të tillë, për të cilën më vonë do ta kuptoi i gjithë Universiteti. Sensi i tepruar i humorit, Ludvikun e përjashton nga partia dhe e internon në një minierë, ku do të punojë për vite të tëra. Gjatë kësaj kohe ai përjeton vuajtje të mëdha. Ludviku do të kthehet në vendindjen e tij pas disa vitesh dhe një nga qëllimet e tij është edhe hakmarrja ndaj Pavelit. Në tentimin për hakmarrje kundrejt Pavelit, atij që dikur ja mori jetën nga duart, Ludviku dështon, pasi që këtij të fundit edhe ashtu i ishte mërzitur gruaja e tij (Helena).

Hakmarrja e folklori

I vetëdijshëm për faktin se i gjithë fati i jetës së tij është përcaktuar nga një shaka e krisur, një marrëzi, edhe sikur të mund të shfuqizonte këto gabime të tij ai prapëpseprapë nuk do të mund të fshinte nga jeta ato vite të trishta, që i shkaktuan aq shumë vuajtje e mërzi duke u shprehur se Ndjeva njëfarë trishtimi nga fakti se gjërat e krijuara nga gabimi janë njësoj reale siç janë edhe ato të krijuara me të drejtë dhe domosdo.

Mirëpo janë pikërisht gabimet e njëpasnjëshme ato që e formësuan një histori të tillë, e cila rrodhi si pasojë e një keqkuptimi të një kartoline, keqkuptim ky i cili u bë i barasvlefshëm sikur të kishte qenë një gabim i qëllimshëm, që i kushtoi me aq vuajtje Ludvikut.

Së këndejmi si lule mes ferrash na vjen rrëfimi për dashurinë ndaj folklorit. Tema të cilën Kundera e trajton me më shumë deliaktesë dhe që para lexuesit shërbehet si diçka e shenjtë, e paprekshme dhe e pakrahasueshme, është pjesa kur ai flet për kulturën popullore.

Kur flet për të ai ngre në piedestal madhështinë dhe rëndësinë që kishte folklori për të. Në qoftë se provojmë ta ndajmë romanin Shakaja në tri pjesë, të cilat trajtojnë dashurinë, politikën dhe folklorin atëherë mund të vërejmë se sa të virgjër dhe të pastër e përshkruan dashurinë e tij për folklorin.

Mangësi dashurie

Ludvikun pikërisht dashuria ndaj një vashe ishte ajo që e shtyri të bëntë atë shaka, e cila mbeti përherë njollë e zezë në jetën e tij. Në aspektin e dashurisë Ludviku dështoi qysh në tentimin e parë, me Marketën. Pas Marketës Ludvikut nuk i eci mbarë as me Lucijen. Me këtë të fundit realisht dukej sikur s’funksiononte asgjë sepse provoi pothuaj të gjitha format e sjelljes, mirëpo dukej sikur asgjë s’bënte punë me të. Fillimisht karakteri i Lucijes shfaqej si i butë dhe i ndrojtur, mirëpo shpesh krijonte edhe njëlloj konfuziteti apo misticizmi sa i përket sjelljeve të saj. Refuzimet e njëpasnjëshme të Lucijes disi të shtynin drejt gjurmimit në errësirën e mugët, e cila ndriçohet në pjesën e fundit të romanit. Pas Lucijes, tentativë e e tretë bëhet Helena, e cila qysh në fillim shihet si pre për një hakmarrje të largët. Ndonëse me dy të parat Ludviku nuk ia arriti qëllimit që t’i fuste në dorë, me Helenën në fakt i duket sikur e arrin qëllimin, mirëpo neveria dhe boshllëku që i krijohen përbrenda pas asaj pasditeje që e kalojnë së bashku, dëshmon më së miri se, as Helena nuk është asgjë më shumë se një humbje kohe. Duhet kujtuar po ashtu që Ludviku jetën e tij seksuale e kishte plotësuar edhe me femra one night stand por që as ato nuk kishin arritur ta plotësonin boshllëkun që ndjente. Dështimet e njëpasnjëshme as vet Ludviku nuk dinte si t’i cilësonte Nuk besoj se e di shkakun e këtij mossuksesi, nuk e di a gjendet ai, shkurt, me ndonjë mangësi të zemrës sime, apo rrjedh nga biografia ime.

Njerëzit si skllevër të dispozitave

Ngjarjet e përshkruara te romani Shakaja dhe rrëfimi i realizuar aty janë një ekuacion i jetës më vete. Gjithçka shpaloset si një lloj paradoksi, që vazhdimisht i merr me vete personazhet për t’i shpënë në shtigje të errëta. Qëllimi i vetëm që duhet arritur është rezistenca, që e karakterizon personazhin kryesor, i cili duke i bërë ballë sprovave që e kalitin karakterin e tij, jo rrallëherë ai gjendet buzë greminave të jetës. Për të arritur në një konkluzion të qartë se kush je, kush ke qenë dhe kush do të doje të ishe, nevojiten fillimisht vite të tëra të kaluara nëpër ferra e gjemba, të cilat do ta ndërtojnë personalitetin, do ta përcaktojnë bindjen e mbi të gjitha do ta falin një pasqyrë prej nga do t’i shohësh vitet e humbura, e do të kërkosh për disa të tjera më të mira e më të ndritura ndoshta. Njerëzit janë rëndom skllav të dispozitave. Dikush u ka thënë se duhet të jenë të tillë e të atillë, ndaj edhe ata përpiqen të jenë të atillë, kështu që zakonisht deri në vdekje nuk e dinë cilët janë dhe çfarë kanë qenë.

Pushtetet e mëdha, shakanë e tolerojnë vetëm në qoftë se ata nuk janë pjesë e saj, mirëpo Kundera, është ai i cili përmes një krijimi të tillë artistik sjell para lexuesit dëshmi për burokracinë gjatë periudhës së komunizmit në Çeki.

Përveç pasurisë letrare e artistike, Shakaja hedh dritë mbi ngjarjet dhe përjetimet gjatë komunizmit, të cilat historia mbase do të ngurronte t’i paraqesë si të tilla. Kundera me ndihmën e një shakaje ka bërë përpjekje të përshkruaj përditshmërinë dhe tragjedinë e një pjese të popullsisë, për të cilët nuk shkruajnë gazetat, për të cilët pushteti nuk çan kokën dhe jeta e të cilëve llogaritej si një pikë uji në oqean.

ObserverKult

milan kundera
Milan Kundera

Lexo edhe:

MILAN KUNDERA: TI NUK KE DITUR KURRË TË JETOSH…