“Ora e njëmbëdhjetë”/ Salman Rushdie rikthehet me libër të ri pas sulmit fizik ndaj tij

Salman Rushdie do të publikojë më 4 nëntor librin e tij të parë artistik pas sulmit me thikë në vitin 2022, një përmbledhje tregimesh me tematikë vdekshmërinë, lamtumirën dhe identitetin. Libri titullohet “The Eleventh Hour” dhe përfshin rrëfime të vendosura në Indi, Britani dhe SHBA.

Salman Rushdie boton librin ”The Eleventh Hour”, i pari pas sulmit me thikë.

Salman Rushdie, shkrimtari britaniko-amerikan, i lindur në Indi do të publikojë në nëntor, veprën e tij të parë artistike që nga sulmi me thikë që i kushtoi atij dëmtimin e syrit të djathtë, në vitin 2022.

Libri nën titullin “The Eleventh Hour” (“Ora e njëmbëdhjetë”), është një përmbledhje e pesë tregimeve dhe novelave të vendosura në tre vendet ku ai ka jetuar: vendlindja e tij Indi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku ai tani jeton.

“Tri tregimet e shkurtra në këtë vëllim, të gjitha të shkruara në 12 muajt e fundit, eksplorojnë tema dhe vende që më pushtojnë mendjen – vdekshmëria, Bombei, lamtumira, Anglia, zemërimi, paqja, Amerika”, shpjegon autori 77-vjeçar në deklaratën për shtyp.

“Jam i kënaqur që këto histori, të cilat janë kaq të ndryshme nga njëra-tjetra në mjedisin, narrativën dhe teknikën e tyre, megjithatë arrijnë të dialogojnë me njëra-tjetrën dhe me dy historitë që shërbejnë si prolog dhe epilog për këtë treshe”, shtoi Salman Rushdie.

“Është një koleksion i tregimeve të shkurtra prekëse dhe mjeshtërore që na çon nëpër botë, nga lagjet e Bombeit në universitetet prestigjioze angleze dhe është planifikuar të dalë në treg më 4 nëntor”, tha botuesi.

Autori i librit  “Vargjet Satanike”, u sulmua më 12 gusht 2022, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, i goditur me thikë nga një libano-amerikan i dënuar në shkurt për tentativë vrasjeje

Irani e ka dënuar shkrimtarin me vdekje mbi bazë të një vendimi fetar më shumë se 30 vjet më parë, duke e konsideruar veprën blasfemuese./oranews

ObserverKult


Lexo edhe:

PANAIRI I LIBRIT NË LAJPCIG/ SHQIPËRIA LOBON QË KOSOVA TË BËHET PJESË E TRADUKIT