Orët e poezisë

Koha e dëshmimit në shkrim të poezisë nga autori dhe koha e këndimit të saj nga lexuesi, ngjajnë fort me kohën e krijimit të botës nga i Plotfuqishmi dhe i përjetimit të kësaj Bote nga qenia e arsyeshme dhe ndjenjësore, njeriu.

Nga Demir Gjergji


Ndërsa endesh nëpër korijen e këtyre motiveve poetike të autorit Ilir Korçari, ndërsa këndon (sepse metrika e tyre, struktura e vargut, melodia e fjalës nëpërmjet akordeve të rimave, flladi i ndjenjës që fryn tej e ndanë tyre, pothuaj të diktojnë t’i lexosh me zë, domethënë, t’i këndosh ato), pra, ndërsa je përfshirë nga fryma e ngrohtë njerëzore dhe kumbimi i fjalës, dhe përjeton mallin, dashurinë, brengën, shpresën e jetës, dhe shijon peizazhet malore, bregdetare, qiellore, ujore, apo qytetëse, që të shfaqen pranë e pranë në sajë të bashkëjetesës së harmonishme të motiveve brenda librit, ti, i dashur, lexues je në kohën hyjnore të kësaj Bote, që është binjake me kohën e krijimit të saj.
Ilir Korçari është nga ata poetë, jeta njerëzore e të cilit është në harmoni të plotë me përjetimet letrare, ku përfshihen leximet e vazhdueshme, miqësia me autorët e librave, po sidomos krijimtaria e tij, që ai e quan si një ndër tre përbërësit e jetës së vet, ku rendit edhe punën e lodhshme të përditshme dhe familjen.
Koha e dëshmimit në shkrim të poezive të këtij libri, në një farë mënyre është përtej 24- orëshit të ditë-natës, ku zakonisht hyjnë koha e punës dhe ajo e përkushtimit ndaj vetes e familjes. Kjo kohë është si koha që iu desh të Plotfuqishmit për të krijuar botën, ndaj dhe koha e këndimit të këtij libri është po e tillë, gati e hyjnueshme dhe përtej kalendarëve, përtej orëve, ditëve dhe jetës së secilit prej nesh. Në fund të fundit, është koha e artit.
Ndërsa hapësira e kësaj poezie shtrihej tej e përtej kufijve, horizonteve, relieveve, mugëtirave dhe kaltërsive të kësaj bote. Si në çdo poezi, kjo hapësirë shtrihet në mallin e të larguarit, në dashurinë e të dashuruarit, në fisnikërinë e mirësisë, në pasionin e poetit!

“Poetët si Perënditë.
Vdesin ashtu si jetojnë.
Me endje i lexojmë përditë.
Kohërat pasuritë e tyre trashëgojnë.”

Kaq po them e kaq po citoj nga poezia e Ilirit. Të tjerat vijojnë.

Në vazhdim ju sjellim disa poezi të zgjedhura nga ky autor: 

ILIR KORÇARI

UDHË JETE

Nga larg rrënjët e qytetit të bardhë ma sjellin,
Limfën e të parëve të mi,
Ndërsa nga tjetër vend e shoh qiellin,
Si burrë i moçëm, djalosh e fëmijë!

Një shkëmb i rëndë më ndjek ngado,
Ndaj fort rëndoj mbi dheun ku shkel,
Rivierë e Alpe më thonë vazhdo,
Jeta ndjenja të tjera të sjell.

Shqiponjë nisem vend më vend,
Endem ngadalë në fushë në mal,
Dhe iki nga ti, drejt teje prapë rend,
O vendi im i kaltër, Shqipërizë mall!

LASGUSH PORADECI

Sa na mungon, na ka marrë malli,
të lanë të vdisje për së gjalli.
Ti, zog i qiejve plotë bukuri,
ndizesh porsi zjarri në përjetësi!

Udhëheqësi rroftë, poeti mungoftë!
Ai mos qoftë, Perëndia e shoftë!
Mënjanuar porsi hije në vetvete mendoje,
kostumin e vdekjes përditë vështroje.

Poet i mirë, njeri i keq,
Familja e gjorë prej teje ç’heq!
Më i vetmuar se vetmia vetë,
Poeti veçse me vargje vret!

Ti rroje dhe nuk rroje,
vdisje dhe nuk vdisje,
në heshtje tiraninë sfidoje,
me yjet në qiej flisje.

Shtatorja prej bronzi si shenjë hyjnore,
e dikujt që kishte qenë pa jetë tokësore,
te bregu i liqenit si një mrekulli,
Poetët edhe të duan të humbin,
ngelen në përjetësi!

GJUMI

Me ilaçe dhe shiringa,
Njeri-tjetrin vëmë në gjumë,
me bërryla dhe intriga,
pa ndjerë të hedhin në lumë.

Mendërisht të fundosin,
vdekjen tënde e vulosin,
Varri hapur, ti je gjallë,
mat i kapur, përse vallë?

Me peshkaqenët lundron,
buzëqeshe, vdekjen sfidon,
Ti ushtar, tjetri mbreti,
të dyve u ndan veç deti.

Sa gjethe bien në vjeshtë,
Sa sytha çelin në pranverë,
Sa rritet hardhia në vresht,
Sa njerëz në këtë botë shpirtin vrer!

Asgjë tjetër mos mendo,
përshtatu, mbijeto!
Tregohu të tjerëve, je ende gjallë,
Njeriu i çuditshëm, qenie e rrallë!

SHIGJETAT

Shigjeta të projektuara trupin tonë godasin,
porsi engjëj hiqen, ëmbëlsisht na flasin.
Dhimbje nuk ndjejmë, trupi ynë i mpirë,
në pamje njerëz, në shpirt vampirë!

Shpateve të jetës me krenari zvarritemi,
Fshijmë djersën e ballit me veten çuditemi,
ashpërsia e jetës më shumë na burrëron,
presin pemën të thahet, por ajo lulëzon.