Në një letër, Akademia ka hartuar një sërë rregullash në funksion të edicionit të 93-të që do të mbahet në 25 prill.
Përpara ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, të planifikuar në 25 prill, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit i dërgoi një letër kandidatëve dhe të ftuarve të tyre, duke i siguruar që mund të marrin pjesë personalisht pasi konsiderohen “punëtorë thelbësorë”. Organizimi i çmimeve specifikon që ky status u jep kandidatëve disa përjashtime nga kufizimet e parashikuara për pandeminë, por i detyron ata të bëjnë karantinë dhe teste molekulare.
Për të garantuar siguri maksimale, edicioni i 93-të i Oscar-eve është organizuar si një set filmik dhe do të zhvillohet kryesisht në Union Station në Los Angeles me disa aktivitete në vendin tradicional të Teatrit Dolby, transmeton ‘a2news.al’.
“Ata që janë përfshihen në prodhimin e Oscar-eve, si dhe të nominuarit dhe i ftuari i tyre, kualifikohen si punëtorë thelbësorë, dhe për këtë arsye u lejohet të udhëtojnë në dhe nga qendra e qytetit gjatë fazës së përgatitjes së Oscar-eve, duke përfshirë, ceremoninë e ndarjes së çmimeve”, lexohet në letrën e Akademisë. Në veçanti, të ftuarit duhet të arrijnë në Los Anxhelos deri më 17 prill nëse vijnë nga vendet jashtë dhe me rrezik të lartë dhe deri më 20 prill nëse vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ose vendet me rrezik të ulët.
“Nëse arrini në Los Anxhelos nga jashtë territorit të Kalifornisë, duhet të qëndroni në karantinë për 10 ditë pas mbërritjes tuaj dhe nuk mund të ndërveproni me askënd gjatë atyre 10 ditëve përveç personave në familjen tuaj, domethënë me njerëzit me të cilët jetoni” shpjegon Akademia.
Të gjithë aplikantët dhe të ftuarit duhet të kenë minimumi dy teste molekulare negative të kryera nga Akademia dhe një total prej tre testeve gjatë javës që paraprin Oscar. Secili prej aplikantëve dhe të ftuarit e tyre duhet të paraqesin planin e udhëtimit dhe karantinës për miratim deri më 8 prill, me ndryshime të mundshme deri më 12 Prill.