Osho: Ndiqeni shoqërinë deri atje ku duhet, por qëndroni padronë të fatit tuaj

osho

Krahas shumë mësimeve, Osho vjen të qartësojë shumë dilema, të zgjidh shumë mëdyshje, të çlirojë nga barra e varësisë prej kodeve zakonore dhe gjithfarësoj sajesash të shndërruara jo dhe aq konsiderim të individit se sa skllavërim të tij.

Nga: Osho

Ji individualist nëse do të jesh i lumtur, zgjidh vetë. Sa herë duhet të jesh i pabindur, mos u bind, rebelohu. Përpiqu të gjesh individualitetin tënd, integritetin, e mos u përpiq të bësh kompromis. Sa më shumë bie dakord aq më pak je individ. Ngelesh një dhëmb ingranazhi në një mekanizëm të stërmadh. Jam absolutisht kundër bindjes. Vdekja është shumë më e bukur se një jetë me kompromise.

Individi është lindur për të qenë rebel, është antikonformist. Ai u thotë ‘po’ vetëm gjërave për të cilat ndjen se ia vlejnë, duke u besuar ndjenjave të veta, intuitës së vet, inteligjencës. Ai më mirë vdes se dorëzohet, nuk mund të bëhet skllav i bindur, nuk di sesi të bëhet i tillë. Kur e ndjen diçka, përkushtohet, përfshihet, bindet plotësisht, por dritës së tij të brendshme, jo urdhrave nga jashtë. Të jesh individualist është gjëja më e vështirë në botë, pasi askush nuk ju do të tillë, por kërkojnë t’ju bëjnë dele.

Shpirti është gjithmonë individual, mendja është gjithmonë turmë. Nëse besoni në Zot do të thotë se i përkisni një grupi që ju ka dhënë idenë. Besimet tuaja vijnë prej mendjes sociale, kishës, shtetit, dihet prej ku. Individualisti ka interesa krejt të kundërta me shoqërinë, pasi shoqëria nuk ka shpirt, e, nëse bëheni pjesë e një shoqërie do të katandiseni si një joentitet. Keni humbur gjithë shanset. Ndiqni shoqërinë deri atje ku duhet, por qëndroni padronë të fatit tuaj.

Çdo individ është liri, liri e panjohur. Ju më kërkoni formula dijeje, që të bashkangjiteni me to. Nuk jap formula unë, madje i flakë tutje nëse keni ndonjë me vete. Ngadalë shkatërroj sigurinë tuaj, ju bëj të pasigurtë, hezitues. Këtë duhet të bëjë çdo mjeshtër: t’ju lërë në liri të plotë, gjithë mundësitë para, asgjë e fiksuar, të jeni vigjilentë. Të jeni nxënësit e mi nuk ka asnjë lloj detyrimi, thjesht konfirmim lirie. Nuk ju jap ideologji, por kurajo të shporrni ideologjitë. Nuk ju jap fe – Hindu, Musliman, Kristian – por vetëm kurajon të jeni individë unikë, të veçantë.

Kujtohuni gjithmonë: individualiteti nuk është personalitet. Kur flakni personalitetin zbuloni individualitetin, e vetëm si i tillë mund të përndriteni. Vetëm e vërteta prek të vërtetën, jo falsiteti. Individualiteti juaj është ekzistencial, prandaj kur ai lulëzon bëheni një me të gjithën. Zhdukja e personit tuaj nuk është zhdukje, në fakt, përkundrazi: është shfaqja juaj e vërtetë. Kur personi bie, personaliteti juaj zhduket dhe individi, individualiteti juaj shfaqet. Të mbash një personalitet është hipokrizi, të jesh individ është e drejtë e lindur. Funksioni i mjeshtrit është të shporrë atë që nuk jeni ju, duke lënën vetëm atë që është thelbësisht juaja, e falur nga vetë ekzistenca. Unë jam në themel individualist, sepse vetëm individi ka një shpirt, jo turma, e cila është stisje e vdekur. Vetëm individi është fenomen i gjallë.

Një i Krishterë, Hindu, Jainist nuk është besimtar vetëm sepse i përket një feje, madje nuk është fare besimtar sepse ka zgjedhur të jetë i tillë, pjesë e një doktrine të organizuar. Një besimtar autentik është individualisti: vetëm dhe rrezëllitës. Unë ju mësoj ta keni i tillë madhështinë e vetmisë. Mos u bëni kurrë besimtar, ndjekës, anëtar organizate. Mos tradhtoni vetveten.

Njerëzimi nuk do të jetë kurrë besimtar derisa të gjitha fetë e organizuara të zhduken dhe besimi të kthehet në angazhim individual kundrejt ekzistencës.
Po ju them: Besimi është rebelim, besimtari është rebel kundër gjithë ortodoksive, traditave, organizatave e turmave, kundër gjithë ideologjive. Dashuria e madhe e vetme e tij është e vërteta. Të tjerët vetëm sa vërdallosen nëpër injorancë, ëndrra e gjumë – prandaj vuajnë./Albert Vataj

Osho

Lexo edhe:

OSHO: JO SE JE NË DASHURI- TI TANI JE VETË DASHURIA…

ObserverKult