Oskar Milosz: Kur të vijë ajo…

Kur të vijë ajo – do të bëhet gri apo e blertë në sytë e saj,
E blertë në lumë apo gri?
Ora në këtë të ardhme kaq të lashtë do të jetë lajm,
Lajm, por kaq pak i ri…
Orë të vjetra ku çdo gjë u tha, çdo gjë u ëndërrua, çdo gjë u pa!
Nëse e dini hallin jua qaj…

Do të jetë të sotmet dhe zhurmat e qytetit
Krejt si sot e gjithnjë – prova të rrepta shumë!-
Dhe aromat – sipas stinës – të shtatorit a prillit
Dhe qiej të rremë dhe ca re nëpër lumë;

Dhe fjalët – sipas çastit – gazmore a me ngashëri
Nën qiej të gëzuar a që rigojnë shi,
Se ne do kemi jetuar e jemi shtirur, ah! kaq shumë,
Kur të vijë ajo me sytë e saj prej shiu mbi lumë.

Do të jetë (zëri i mërzisë, qeshje e dobësisë)
Çasti shterpë i tanishëm, i moçëm, i thatë,
Rrahje e një përjetësie motër e qetësisë;
Çasti i tanishëm, krejt si në këtë çast.

Dje, dhjetë vjet më parë, sot, për një muaj,
Fjalë të tmerrshme, mendime të vdekura, po ç’vlerë ka!
Pi, fli, vdis, – bëjmë mirë t’ia mbathim nga vetja,
Në një mënyrë a në një tjetër pra…

Përktheu: Zimo Krutaj