Filmi “Pa vend” nga regjisori Samir Karahoda, është bërë filmi i parë nga Kosova që është përzgjedhur në mesin e 10 filmave që do të garojë për “Palmën e artë” në garën zyrtare të festivalit të Kanës.
“Filmi ‘Pa Vend’ që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Regjisori Karahoda ka thënë se ky film sjell në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve ndaj sporteve të vogla.
“Personalisht i uroj dhe përgëzoj anëtarët e klubit të ping pongut “Lidhja e Prizrenit” në krye me trajnerin Rifat Rifati për sukseset e tyre pavarësisht rrethanave të cilët akoma vazhdojnë stërvitjet në kushte jo normale. Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Cannes na bënë edhe më krenar si ekip dhe dua t’i falenderoj të gjithë për kontributet e tyre individuale. Qasja jonë ndaj këtij rrëfimi na jep hapësirë për të shprehur shqetësimin tonë si shoqëri për një ndjenjë të përgjithshme të pashpresës që përshkon jetën tonë dhe me të cilën ballafaqohemi edhe sot. Kjo ngjarje fillon diku në vitin 2005, duke na dërguar në ato ditë kur stërvitjet për zhvillimin e këtij sporti janë mbajtur vetëm falë entuziazmit të patriotëve të vërtetë, siç janë Jetoni, Ermegani, Rifati e shumë të tjerë. Në një rrugëtim të veçantë kinematografik, ky film na sjell në ditët e sotme, duke vënë në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit”, ka thënë Karahoda.
Ndërsa producenti Eroll Bilibani ështe shprehur se në korrik, ping pongistët do të ecin në tapetin e kuq të Kanës, aty ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu e Arta Dobroshi.
“Ne arritëm të krijojmë një lidhje të veçantë me gjithë ekipin e ping pongut që ishte pjesë e produksionit. Edhe me gjeneratat e vjetra, edhe me talentët e rinj. Një gjë që na bashkonte ishte dëshira e madhe që të bëjmë më të mirën sipas mundësive tona. Në korrik, në tapetin e kuq të Kanës ekipi ynë i filmit dhe ping pongistët që asnjëherë nuk u ‘dorëzuan’ do të ecin në tapetin ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu e Arta Dobroshi. Por, këtë herë është me një film nga Kosova, që është duke i vendos themelet e valës së re të filmit nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha”, ka thënë Bilibani.
LEXO EDHE: Filmi “Zgjimi në Mars” i Dea Gjinovcit i kushtohet vuajtjeve të një familje kosovare
Postimi i QKK-së në Facebook