
Kasti i Festivalit të 76-të të Sanremos është pasuruar me një emër të njohur të televizionit ndërkombëtar. Aktori Can Yaman do të ngjitet në skenën e teatrit Ariston më 24 shkurt, në mbrëmjen hapëse të festivalit më të rëndësishëm muzikor në Itali.
36-vjeçari do t’i bashkohet drejtuesit Carlo Conti dhe këngëtares Laura Pausini, duke formuar një treshe prezantuese që pritet të sjellë shikueshmëri të lartë. Lajmi u paralajmërua fillimisht nga vetë Conti në Instagram, përmes një postimi ironik ku ai shfaqej si “Tigri Malajzian”, me mbishkrimin “Carlokan” dhe fjalën enigmatike “co-co” (bashkëprezantues). Pak orë më vonë, konfirmimi zyrtar erdhi nga RAI.
Can Yaman është kthyer prej disa vitesh në një nga figurat më të dashura të ekranit italian, veçanërisht nga audienca femërore. I ardhur nga Turqia në Itali, aktori flet italishten në mënyrë perfekte, falë studimeve të kryera në një lice italian në Stamboll. Së fundmi, ai pritet të rikthehet fuqishëm në televizion, duke u përfolur edhe si pasardhësi i Kabir Bedit në rolin legjendar të Sandokan, një nga serialet më të ndjekura në historinë e televizionit italian.
Kujtojmë se në një intervistë për Corriere della Sera, Can Yaman ka folur edhe për origjinën e tij shqiptare, duke treguar se nëna e tij ka ardhur nga Kosova, ndërsa babai është pjesë e diasporës shqiptare të hershme. Aktori ka zbuluar se në familjen e tij është folur gjuha shqipe, por pavarësisht se flet mbi gjashtë gjuhë, ai ka pranuar se nuk di asnjë fjalë shqip.
ObserverKult
Lexo edhe:
Reagon Bashkia e Pogradecit: Të bijën e Lasgushit e kemi ftuar të vijë me delegacionin tonë, refuzoi






