Këndohet si asnjë këngë tjetër në stadiume kur luan Kombëtarja, nuk mund të mungojë në çdo festë kombëtare, është pa asnjë diskutim hiti dhe himni jozyrtar i çdo organizimi formal dhe joformal të shqiptarëve, është kënga që gjen vend në netët live të të rinjve dhe nga të paktat që dinë ta këndojnë edhe fëmijët e vegjël.
Po kush e di nga ka ardhur kjo këngë? Është shkrirë aq njësh me emocionet kombëtare, sa duket si një krijim i vjetër, me autor popullin, por nuk është kështu.
Kjo këngë është relativisht e vonë dhe autorët e saj mund ta tregojnë shumë imtësisht historinë e krijimit të saj që pak njerëz e dinë. Të mërzitur që fama e tyre nuk është aq e madhe sa ajo e këngës?
Ndoshta ky është i vetmi skenar, kur një artist nuk ndjen pengun e anonimatit, sepse ç’triumf më të madh mund të arrijë një krijues sesa kur krijimi i tij hyn bëhet e pjesë e shpirtit të publikut dhe e pëlqen i madh e i vogël?!
Këta krijues janë kompozitori Zef Çoba dhe poeti Alfred Çapaliku që ka krijuar vargjet, ndërsa këngëtarja që e ka sjellë e para, për të cilën edhe është krijuar kjo këngë, që titullin në origjinal e ka pasur “Kam një lot, m’pikon si ar”, është këngëtarja nga Kosova, e nderuar edhe me çmimin “Mjeshtre e Madhe” në Shqipëri, Shkurte Fejza.
Kënga është krijuar brenda një nate, në periudhën 1992-1993. Ishte udhëtimi i parë i Shkurte Fejzës në Shqipëri, pasi ishte bërë e njohur në Kosovë, si një këngëtare që kishte mbajtur gjallë shpirtin kombëtar dhe ishte persekutuar nga regjimi serb.
Dhe ndërsa ajo vjen në Shqipërinë e ëndërruar, artistët shkodranë menduan të krijonin një hit që të bënte bashkë Kosovën dhe Shqipërinë përmes artit.
Ishte ora 22.45 dhe i thashë të çohej nga shtrati dhe të fillonim menjëherë punën
Kompozitori Zef Çoba kujton: “Unë ndërgjegjen time krijuese e kam shumë të lidhur me ndërgjegjen kombëtare. Kam studiuar shumë etnosin dhe folklorin tonë muzikor dhe kur krijova këtë këngë isha me një “ngarkesë” të tillë kombëtare”.
“Kur isha në një koncert me një grup nga Shkodra pata fatin të bija në kontakt me shqiptarët e Kosovës. Emocionet dhe përshtypjet janë të jashtëzakonshme”.
“Më pas, rashë dakord pë këngën me këngëtaren Shkurte Fejza dhe shkova menjëherë tek miku im poet Alfred Çapaliku. Ishte ora 22.45 dhe i thashë të çohej nga shtrati dhe të fillonim menjëherë punën. Atë natë kemi punuar deri në orën 4 të mëngjesit dhe në orën 5 të mëngjesit gjithçka ishte e mbaruar.”
Mora frymëzim nga Shkurte Fejza dhe nisa tekstin si një udhëtim
Poeti Alfred Çapaliku, autori i tekstit të këngës thekson: “Në darkë më erdhën në shtëpi Shkurte Fejza me bashkëshortin dhe miku im Zef Çoba. I thashë gruas t’i shërbente mysafirëve dhe vetë u futa në dhomë për të shkruar i qetë tekstin e këngës”.
“Mora frymëzim nga Shkurte Fejza dhe nisa tekstin si një udhëtim, udhëtimin që kishte bërë këngëtarja nga Kosova për të ardhur në Shqipëri. Më vjen mirë sepse kjo këngë po e humb autorësinë dhe po kalon në folk”.
“Gjithashtu më ka rastisur ta dëgjoj këtë këngë në diskoteka dhe më vjen mirë që pëlqehet nga brezi i ri”.
“Kam marrë shumë çmime, por ajo që më krenon më shumë është kur në 2 shtator të vitit 2002, në ndeshjen miqësore Kosovë-Shqipëri i gjithë stadiumi buçiste duke kënduar refrenin e kësaj kënge”, nënvizon kompozitori Coba në një intervistë për Top Channel në vitin 2011.
Në këto vite, është bërë disa herë me radhë krenar Çoba, por edhe Çapaliku dhe Shkurte Fejza!/Class
Teksti:
Kam një lot m’pikon si ar
se ne shekuj jam shqiptar
e kur malet i mloj bora
për atdhe kanges ja mora
Rreh si zemër çiftelia
O është Kosova o është Shqipëria
Është një qiell qe na bashkon
e një djep që na burrnon
është një gjuhë qe e flasim tan’e
e një toke qe e thërrasim nan’ë
N’xhamadanin vija vija
o është Kosova o është Shqipëria
Rrugës sime për Shqipëri
më ka përcjell ai Drini i zi
dhe u nisa për me ardh’e
por si vala e Drinit t’bardh’e
Bjen lahuta e sharkija
o sa e madhe është Shqipëria.
———————
Lexo edhe:
“MOJ E VOGLA SI FLORINI”, JA CILA ËSHTË HISTORIA E BUKUR E DASHURISË QË FSHIHET PAS KËNGËS