Përkitazi me librin e Eduard Frrokajt, “Sagë për shtëpinë”, të botuar më 2023 nga Shtëpia Botuese “Littera”, në Prishtinë.
Nga Pal Ndrecaj
Libri “Sagë për shtëpinë” është një libër me rreth 90 poezi. Shumicën dërmuese të tyre i përshkon një makrotematikë, që është dhembja, e cila ndërtohet e plotësohet nga tematika tjera që ngërthejnë edhe aspekte periferike, me qëllim të plotësimit e përmbushjes më të mirë të spektrit të preokupimeve të autorit.
Poezitë janë copëza kujtimesh nga lufta, të bartura në kujtesë me vite të tëra dhe të ardhura mjaftueshëm për një brum poetik.
Në qendër të temës është lufta. Ndaj, le të persiasim pak në kuadër të intencës përmbajtësore të librit në lidhje me atë se si definohet lufta në kuadër të një koncepti poetik?
E vrojtuar me kujdes, lufta në vargjet e librit “Sagë për shtëpinë” të Eduard Frrokajt është gjendje. Një gjendje e shkaktuar jo thjesht nga shkaqe e faktorë që vihen në pah në trajtesa publicistike, politike, a sociologjike. Lufta është gjendje e qenies së zbrazur nga dashuria. Dhe për ta trajtuar si të tillë, autori përafron pikëpamjen e tij me atë religjioze.
“Por vetë liria nuk është ekuacion i thjeshtë është frymë”
Edhe kur poezia merr intonim vajtues, nuk qan thjesht njeriun e vrarë, por dashurinë e vrarë, nuk qan shtëpitë e rrënuara, por kohën e rrënuar, shpirtin e zhveshur e qenien e braktisur nga vetvetja.
Dhuna është tema dominante e poezive të këtij libri. Një dhunë që, në persiatjen për t’u poetizuar si fenomen, merr si pikënisje një fakt: dhunën e një komuniteti etnik kundër një tjetri, me gjithë arsenalin shekullor të mllefit. Mirëpo, përpjekja për të kaluar në një stad tjetër kuptimi na shpie tek ide më përgjithësuese, që doemos kanë të bëjnë me të keqen si fenomen e si dukuri e pashmangshme ne jetën njerëzore, të ciës autori ia kundërvën vlerat e kategorisë më sublime etike, që është dashuria.
Zaten, arti këtë synim ka: të projektojë e të ndërtojë këtë botë, botën e dashurisë, të paqes, të lirisë, të humanes. Dhe pa të nuk është art. Por, a është e lehtë kjo për njeriun që sapo ka dalur nga lufta, të cilit i shfaqen tërë ditën para sysh skenat e tmerrit, të vrasjes së fëmijëve të ndjekjes së civilëve, të dhunimit të grave?
Përgjigja është përsëri e njëjtë: Arti ka për qëllim dashurinë.
“Këtë gjuhë epike me pak lirikë për dashurinë
e marrim vesh vetëm unë, ti dhe dashuria”
Një fjalë e përdorur dendur në këtë libër është fjala “shtëpi”. Ajo përmbledh brenda saj kuptime simbolike që nuk përmblidhen vetëm brenda përkufizimit të simbolikës tradicionale. Pra, ajo nuk është thjesht atdheu i autorit. Ajo është gëzhoja brenda të cilës frymon Qenia. Shtëpia antropomorfizohet dhe bëhet vetë Qenie që merr vesh vetëm “gjuhën e dashurisë”.
Në mbarim të leximit të këtij libri, përfundoj se vargjet e Eduard Frrokajt i mbizotërojnë në masë të kënaqshme gjendjet emocionale të subjektit krijues, për çka Elioti thoshte se nuk i interesojnë edhe aq lexuesit, i cili, në vend të tyre, mjaftohet me emocionet që burojnë vetëm nga vargjet.
*
Në kohën tonë të mbushur me përpjekje të dëshpëruara për të bërë art, ky hap i parë i Eduardit (është libri i tij i parë) çan lehtë atë zhurmë të pakuptimshme, për t’u shfaqur si një zë i besueshëm dhe premtues.
Këto janë vetëm disa nga mbresat që kam veçuar nga leximi i poezive të Eduard Frrokajt. Ju, kur ta lexoni, do të keni mbresat tuaja, që mund të jenë edhe më të shumta, por një gjë që do të na bashkojë në fund, si lexues të këtij libri, është ideja se do të ndihemi mjaft të përmbushur në pritjet tona.
Velipojë, qershor 2024
ObserverKult
Lexo edhe:
LITTERA: EDUARD FRROKAJ FLET PËR LIBRIN E TIJ ME POEZI “SAGË PËR SHTËPINË” (VIDEO)