Nga: Albert Vataj
Afro 30 mijë njerëz, 195 vite më parë, më 29 mars 1827, morën pjesë në ceremoninë e lamtumirës për Ludwig van Beethoven, tre ditë pas vdekjes që i erdhi nga një pneumoni e rëndë.
“Ai për të cilin ti mbani zi sot është ndër njerëzit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kthehuni në shtëpitë tuaja me një dhembje që ju sëmbon me një humbje të madhe. Dhe sa herë që gjatë jetës tuaj, fuqia e veprave të tij t’u pushtojë si një stuhi që vjen, kur ngazëllimi juaj derdhet në mes të një brezi ende të palindur, atëherë mbani mend këtë orë dhe thoni: Ne ishim aty kur u varros ai, dhe kur ai vdiq ne qamë me dënesë!”
Janë fjalët përmbyllëse të një ndarje me tokësorin e hyjshëm të një gjeniu.
Ceremonialin e kësaj dite funebre ka mundur ta jetësojë në një tablo, vjenezi Franz Xaver Stöber (1795–1858). Nuk mundtte të fashitej nën cohën e hollë të pluhurit të memuarit, një ndarje e trishtë me tragjikun e muzikës.
Madhështor, e plumbtë për nga pesha e solemnitetit, cingëritëse për nga korrektësia e protokollit, gërmushëse dhe e përvajshme si vetë kambanat e kishave vjeneze që përmes gjëmimit të tyre të metaltë, lotëve dhe pikëllimit u ndanë nga njëri prej mjeshtrave të muzikës klasike, Ludwig van Beethoven.
Ai kishte vdekur më 26 mars 1827, pas një pneumonie të rëndë dhe lëngimi të gjatë nga problemet me shqisat, kryesisht dëgjimin.