Pamje të rralla: Tirana e vitit 1921

Kur vizitoi Tiranën në vjeshtën e vitit 1921, gazetari zvicerian u largua me përshtypjet më të mira, nga çfarë pa dhe dëgjoi. Ai shkruan kështu, në gazetën “Journal de Genève”, të 14 nëntorit 1921:

“Në këtë kryeqytet politik u desh të improvizohej e gjithë administrata, sepse nuk mund të pritej për të ngritur ndërtesa të mëdha qeveritare. Me një ndjenjë demokratike vërtet për t’u lavdëruar. Autoritetet i përdorën me nikoqirllëk mjetet tepër të pakta që kishte qyteti. Një shtëpi e vetme (sot, Teatri i Kukullave) u bë selia e parlamentit dhe e shumicës së ministrive. Të tjerat u shpërndanë nëpër qytet.”

“Me një thjeshtësi që i ka lezet, tamam siç është zakon edhe në Zvicër, ministri të pret në një dhomë ku muret janë të lyera me gëlqere dhe ku shikon pak gjëra: një tryezë pune, disa karrige e ndonjë divan. Të nxjerr një cigare dhe biseda rrjedh lirshëm. Të krijon një ndjenjë besimi, që ne ia dimë mjaft mirë vlerën.”

Lexo edhe: Reportazhi i panjohur amerikan: Tirana, kryeqyteti më i errët në botë

“Krah për krah, me veshje të ngjashme, myslimanët dhe të krishterët mendojnë për të ardhmen e vendit, me të njëjtin shpirt shqiptari. Çfarë qetësie në qytet! Çfarë dinjiteti, nëpër rrugë dhe në dyqane! Nuk shikon asnjë të dehur, askënd që t’i merren këmbët nga pija. Asnjë e bërtitur, asnjë gjest i papërmbajtur. Sjellja fisnike që i bën përshtypje çdo vizitori në një vend mysliman, këtu është e pranishme kudo.”/(Ilir Ikonomi)