Panairi i Helenës pa Kadarenë, rrëfehet bashkëshortja e gjeniut të letrave: Më duket sikur do shfaqet në çdo çast

“Me thënë të drejtën është një ndjesi që akoma nuk e kam gëlltitur. Më duket sikur nga çasti në çast do të shfaqet, do të vijë në shtëpi. Edhe në studion e tij, hap derën dhe akoma nuk jam futur. E vetmja gjë që më mban afër tij është të shkruarit. Atë që e bëj tani dhe si një terapi”, u shpreh ajo.

Zonja Kadare vjen me një libër me dy tregime, zhanrin me të cilin nisi të shkruajë dhe u njoh për herë të parë me Ismail Kadaren, që lexoi dhe komplimentoi veprën e saj, të publikuar te Zëri i Rinisë.

“E botova tregimin. Ismaili ishte në Moskë për studime pasuniversitare. Merr gazetën Zëri i Rinisë dhe thotë ç’është kjo vajza nga Shqipëria që paska shkruar. Ai më pas shkruajti dy rreshta: ‘më pëlqeu tregimi, shkruani dhe mos u trembni’. Nuk e di pse, por mora shumë vrull nga kjo histori. Kur e kam takuar pastaj, kur ai u kthye në Tiranë dhe ishte rastësisht në rrugë, ishte si një mrekulli”, tregoi Helena.

Krimineli nga Kadizi dhe Gruaja e Lirë janë dy tregimet që shkrimtarja ka përfunduar së fundi.

“Po afronte panairi dhe unë kisha disa tema të paelaboruara dhe hapa blloqet e shënimeve ku ishin temat që mbaja shënim gjatë gjithë jetës dhe midis tyre gjeta dy tema që i kisha shumë përzemër u shkruan gjatë muajit tetor dhe fillimit të nëntorit”, shtoi ajo.

Mes pengjeve për krijimet që nuk ka arritur të botojë, Helena Kadare e sheh këtë si botim libri si frymëzim për të sjellë te lexuesi më shumë vepra në vijim.

“Kam shumë pengje në fakt. Nga shënimet që kam mbajtur, gjej gjithë ato gjëra që më kujtohen që kanë një histori pas. Çdo shënim aty ka një histori pas. Kur i kam shkruar kam thënë sa të më jepet rasti do t’i nxjerr. Në fakt ky rast nuk erdhi. Nuk e gjeta dot kohën e mjaftueshme”.

Në stendën e shtëpisë botuese Onufri ndërkohë, veprat e Ismail Kadaresë tërheqin po të njëjtin interes nga vizitorët, që duan të njihen me krijimtarinë e gjerë, që e bëjnë të pavdekshme figurën e tij./topchannel

ObserverKult


Lexo edhe:

HELENA KADARE: LEXOVA DITARET E ISMAILIT DHE U MËRZITA! JA ÇFARË KISHTE SHKRUAR