Në kuadër të Panairit të Librit “Kamëza Lexon” u promovua Antologjia e poeteve shqiptare ‘Magma’ përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci dhe botuar nga SHB “Littera”, Prishtinë.
Promovimin e udhëhoqi shkrimtari Liridon Mulaj, ndërsa për librin folën botuesja Donika Dabishevci, poetja dhe redaktorja e portalit për Kulturë ObserverKult, Vlora Ademi dhe poetja Nurie Emrullahi.
“Portali për kulturë, letërsi dhe art, tashmë është zgjeruar edhe me Shtëpinë botuese, “Littera”, hapjen e së cilës e kemi parë si domosdoshmëri, pasi gjithë ata bashkëpunëtorë, shkrimtarë, poetë, kritikë, studiuesë që e kanë konsideruar ObserverKultin si shtëpi të tyre, tash e sa vite, na kanë pyetur shpesh nëse munden të botojnë edhe libra tek ne.
Kam kënaqësinë me e promovu këtu librin e parë të botuar nga Littera, Antologjinë e poeteve shqiptare ‘Magma’ përpiluar dhe përkthyer nga Vlora Konushevci. Ndjej keqardhje që Vlora sot për shkaqe objektive nuk ka mundur të jetë mes nesh, por do të mundohem që si botuese t’ja bëjë një prezentim librit duke folur edhe për mbarëvajtjen e tërë projektit, gjë e cila sigurisht do t’i takonte Vlorës që ta bënte.
Tridhjetë poete nga gjithë hapësira shqiptare në “Magma”, përmes vargjeve të zgjedhura, flasin në gjuhën shqipe dhe angleze.
Do të gjeni në “Magma” poezi nga Alma Braja, Ardiana Shala Prishtina, Ardita Jatru, Arjola Zadrima, Blerina Rogova Gaxha, Dije Demiri Frangu, Drita Ademi, Donika Dabishevci, Edi Shukriu, Emine Maliqi, Enkeleda Ristani, Entela Kasi, Erenestina Gjergji Halili, Fakete Rexha, Flutur Mustafa, Herman Hera Çuka, Ilire Zajmi, Leonora Buçinca, Lindita Ahmeti, Manjola Brahaj Halili, Mimoza Ahmeti, Naime Beqiraj, Nora Prekazi, Nurie Emrullai, Puntorie Muça Ziba, Rita Filipi, Dije Lohaj, Vjollcë Berisha, Vlora Ademi dhe Vlora Konushevci.
E bukura e kësaj antologjie është dygjuhësia. Secilën prej poezive , pra mund ta lexoni edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën angleze. Vlora është një përkthyese e dëshmuar edhe në projekte të mëparshme, kështu që kemi marrë kritika pozitive dhe lavdërata për cilësinë e përkthimit. Redaktor i versionit anglisht është Robert Wilton, ndërsa i versionit shqip jam unë”
Nga ana tjetër është bërë një punë e madhe deri sa ka ardhur produkti final, ky libër që po e shihni tashti këtu para jush. Nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja e 30 poeteve, por Vlora Konushevci, në bashkëpunim edhe me konsulentët Dije Demiri Frangu, Halil Matoshi dhe Primo Shllaku, nga një listë prej 60-70 poeteve janë dakorduar për emrat e mësipërm. Kjo pasi është menduar që projekti të vaazhdoj tutje, me botimin edhe të vëllimit të dytë, me 30 poete tjera .
Poetja Vlora Ademi përveç që lexoni disa nga poezitë e poeteve të botuara në “Magma”, theksoi se kjo Antologji edhe njëhërë kthen vëmendjen tek gratë që shkruajnë, duke perifrazuar në shenjë nderimi për Konushevcin që mungonte në promovim, pjesë të parathënies së shkruar nga ajo.
“Pra, në antologjinë “Magma”, poezia merr frymë, zë hapësirë dhe kërkon vëmendje, jo vetëm për gratë, por për të gjithë ata që bien në kategorinë e të tjerëve brenda mbretërisë së patriarkatit. Zëri i krijueseve letrare në hapësirën shqiptare i ka dhënë poezisë frymën njerëzore dhe ka luajtur në vazhdimësi rol emancipues. Vargjet e poeteve shqiptare janë thirrje e fuqishme për ndryshime shoqërore, në gjitha dimensionet”, citoi Ademi, Konushevcin.
Poetja Nurie Emrullai po ashtu foli për rëndësinë e botimeve të tilla dhe shprehu emocionet e saja si pjesë e poeteve të përzgjedhura , të botuara Brenda antologjisë.
Promovimi vazhdoi me takime me publikun, me studentë e nxënës të pasionuar për letërsinë.
ObserverKult
Lexo edhe:
V.KONUSHEVCI PËR “MAGMA”: KËTO GRA POETE JEMI NE. ËSHTË SHOQËRIA SHQIPTARE NË VARGUN POETIK!