Panairi i Librit në Lajpcig/ Shqipëria lobon që Kosova të bëhet pjesë e Tradukit

Dje ka nisur zyrtarisht Panairi i Librit në Lajpcig të Gjermanisë, si një nga ngjarjet kryesore globale që bashkon çdo vit mijëra lexues anekënd botës.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e Shqipërisë, edhe këtë vit, i është bashkuar Panairit Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig, i cili do të vijojë deri më 30 mars.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli ka mbajtur takimin e parë në stendën e Shqipërisë me drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha dhe ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, ka hedhur idenë që Kosova të bëhet pjesë e Tradukit. Sipas saj në takimin e radhës së Tradukit, që do të mbahet në prill në Zagreb, Shqipëria do të lobojë pikërisht për këtë gjë.

“Shqipëria dhe Kosova janë bashkë në hapësirën e Tradukit, këtu në Panairin e Librit në Lajpcig, që ne prezantojmë autorët tanë në një arenë ndërkombëtare. Letërsia bëhet pjesë e diskutimeve këtu në panair, por ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë është që Kosova të jetë pjesë e Tradukit, një rrjet i rëndësishëm, i cili mbështet autorët nga rajoni. Në mbledhjen e radhës që do të mbahet në prill në Zagreb do diskutohet për këtë gjë që ta finalizojmë”, shprehet Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Sipas drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha është shumë e rëndësishme për të nxjerrë letërsinë shqipe të Kosovës jashtë kufirit.

“Është shumë e rëndësishme për Kosovën që të jetë pjesë e rrjetit kulturor ‘Traduki’, pikërisht për promovimin e letërsisë shqipe të Kosovës jashtë kufijve, krijimin e urave të bashkëpunimit kulturor. Deri më tani fatkeqësisht, Kosova nuk ka arritur të jetë pjesë e këtij rrjeti, por ne si Bibliotekë Kombëtare dhe diplomacia jonë në Gjermani kanë lobuar në këtë drejtim dhe së shpejti urojmë që ta arrijmë këtë qëllim të përbashkët”, shprehet Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti e vlerëson shumë të rëndësishme këtë nismë dhe shprehet që do bëhen të gjitha institucionet bashkë për të arritur që Kosova të bëhet pjesë e Tradukit.

“Shpresojmë të arrijmë të gjithë bashkë që Kosova të bëhet pjesë e këtij rrjeti kulturor. Kjo do të jetë një arritje e madhe, sigurisht për autorët tanë nga Kosova”, thotë Faruk Ajeti, ambasadori i Kosovës në Gjermani.

Panairi i Librit në Lajpcig të Gjermanisë është një nga panairet më të mëdha të librit, dhe pjesëmarrja e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë panair është një ngjarje me rëndësi për letërsinë shqipe./BW

ObserverKult


Lexo edhe:

UMBERTO ECO, I CILI ZOTËRONTE 50.000 LIBRA, THA KËTË PËR BIBLIOTEKAT E SHTËPISË…