Panairi i librit në Ulqin: Ndahen çmimet, këta janë fituesit

Ky vit shënjoi 21-vjetorin e panairit të Librit në Ulqin, një event i rëndësishëm i kulturës së rajonit, që ka bërë bashkë librin shqip nga të gjitha hapësirat shqipfolëse, duke pasur një kontribut në përsosjen e gjuhës shqipe përmes leximit.

Një numër i madh shtëpish botuese, institucione kulturore dhe përfaqësues të letrave nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj., kanë sjellë në panairin e librit në Ulqin botimet më të fundit.

Promovime librash, diskutime, konferenca kanë shoqëruar ditët e këtij panairi.

Mbrëmjen e djeshme u bë ndarja e çmimeve të panairit të 21-të të Librit “Ulqini 2022”. Çmimi “Dega e Ullirit” shkoi për shkrimtarin Xhahid Bushati për përmbledhjen me vjersha “Trumcak bredharak” (Mediaprint).

Çmimi “Servantes” shkoi për Erion Gjatollin, për përkthimin nga italishtja të romanit “Ethet” të Jonathan Bazzi (Toena).

Çmimi “Liburnia” shkoi për shkrimtarin Ridvan Dibra, për romanin “Gruaja që deshe” (Onufri).
Çmimi “Olcinium” shkoi për Fatmir Toçin, autor i “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” (Toena).

Çmimet iu dorëzuan fituesve nga personalitete të kulturës së shkruar, që ishin të pranishëm: nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, shkrimtari Odise Kote, botuesi Bujar Hudhri, akademik Neritan Ceka.

Juria që mori në analizë këtë herë prurjet e shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, përbëhej nga personalitete të fushës: Arta Marku Qëndro (kryetare), Dorian Koçi (anëtar), Ismet Kallaba (anëtar)./ATSH


LEXO EDHE:

PANAIRI I ULQINIT, 45 BOTUES NGA TIRANA, PRISHTINA, SHKUPI E ULQINI-PJESË E EVENTIT

Panairi i 21-të i librit shqip në Ulqin do të mbahet në datat 29 korrik deri më 2 gusht duke bashkuar në Mal të Zi, më së 45 botues shqiptarë nga Tirana, Maqedonia e Veriut, Kosova e Mali i Zi që çojnë vepra e autorë shqiptarë e të huaj në 5 ditë, në festë libri. Organizatorja Irena Toçi, shpjegon detajet…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU

ObserverKult