Ndonëse Panairi i 23 i Librit online ka mbyllur siparin, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka analizon këtë proces, ku për herë të parë lexuesit shqiptarë patën mundësi, që ta ‘preknin librin’ në pak ditë në një tjetër format.
“Është një përpjekje, e cila duhet të kishte qenë më e madhe, që libri të ishte i pranishëm. Kur politika takohet në parlament, përse libri mos të ishte në sheshe të hapura”.
Një tjetër rezervë, që Gjoka ka sa i përket këtij edicioni të panairit, janë aktivitetet mbi librin, që sipas tij, në fokus nuk patën autorin shqiptar, por mendimin institucional.
“Institucionet zyrtare kishin rënë dakord me botuesit, që kjo duhet të ishte bërë. Në momentin që mungon lexuesi, kur nuk është panair sikundër ka qenë në traditë, do të thoja se ka diçka që duhet të ishte bërë më mirë”.
Ndërsa, sa u përket çmimeve që u ndan, ku ‘Autor i Vitit’ u përzgjodh Fatos Baxhaku pas vdekjes me librin “Në emër të Noes”, Gjoka thotë se:
“Nuk i kam parasysh tekstet e secilit, por çmimi është rezultat i një procesi të kahershëm. Mbase juritë kanë funksionuar, por unë do të thoja: Po letërsia shqipe ku ishte? Në kuptimin e tekstit letrar. Kam shumë respekt për Baxhakun, e kam njoh personalisht dhe e meritonte që të ishte ‘Autor i vitit’, por teksti letrar ku ishte?”, shprehet Gjoka.
Panairi i Librit 2020 u mbyll këtë të diel, ndërsa shitjet për lexuesit përmes platformave online vazhdojnë deri në datë 30 nëntor./shqiptarja.com