Këtë vit për herë te parë, kompania tetovare për zhvillimin e softuerit REX Solution në bashkëpunim me Lidhjen e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni përmes Platformës së parë Shqiptare organizojnë Panairin e librit Tetovë.
Kjo platformë nuk ju dedikohet vetëm tetovarëve por edhe të gjithë lexuesve të Maqedonisë së Veriut të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin titujt e tyre të preferuar nga autorë shqiptarë dhe të huaj duke shkarkuar aplikacionin iPanairi në telefonat e tyre celularë.
Për shkak të situatës së pandemisë globale me virusin Covid-19, të gjitha aktivitetet kulturore në vend janë të pezulluara. Në këto kohë të vështira ku libri dhe dija janë mjetet më të fuqishme për t’i kapërcyer pengesat e shkaktuara nga pandemia që ka tronditur botën, janë krijuar të gjitha kushtet për të pasur një panair online të librit që mund të sfidojë shumë pamundësi dhe ta bëjë leximin e librit aktivitetin më të dashur të të gjitha grupmoshave të lexuesve shqiptarë.
Është paraparë që porosia në Platformën e Panairit të librit të bëhet përmes aplikacionit iPanairi.
iPanairi i Librit Tetovë përveç karakterit kulturor ka edhe karakter humanitar. Organizatorët kanë paraparë që të hollat e grumbulluara nga shitja e librave t’ua dedikojnë fëmijëve në nevojë. Në këtë mënyrë, me çdo libër të blerë, lexuesi njëkohësisht do të kontribuojë edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së një fëmije në nevojë./rtklive